Mapo Letrare

Ardian-Christian Kyçyku: autori që kërkon diçka të re…














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:38 - 08/04/17 |
mapo.al

Ardian-Christian Kyçyku është shkrimtar, poet, publicist, profesor, njeri shijehollë, bartës i shkëlqyer i një estetike të posaçme e cila të këndell të gjitha shqisat. Pikëvështrimi i tij bëhet edhe më interesant nisur edhe nga vendndodhja. Ai është edhe s`është në Shqipëri. Shkruan edhe nuk shkruan shqip. Qëllimet e letërsisë dhe karakteri i secilës vepër ia dikton gjuhën. Përnjëmend Kyçyku jeton e njihet në Bukuresht (vend kulturalisht familjar për vetëdijen tonë), por në këndvështrimin tim, është një pjesë e posaçme dhe e domosdoshme e letërsisë dhe e kulturës së sotme shqipe.  






Nga Ledia Dushi


Prozat e Ardian-Christian Kyçykut nuk janë thjesht rrëfime për njerëz apo ngjarje historike, e aq më pak të shkruara për të kaluar kohën. Mendoj se ato flasin për ngjarje të cilat në njëfarë mënyre i ka “kaluar” vetë autori. Në veprat e tij vjen njëherësh jeta dhe vdekja; autori rropatet të zbardhë jetën e jo të na befasojë me vdekjen. Personazhet e tij gjallojnë si valët e liqenit. Ato përplasen për breg, dhe kur kthehen për në liqen ndeshin dallgën e radhës. Në këtë përplasje marrin jetë veprat e tij. Është një përplasje e çuditshme. Takohen thellësia me përditshmërinë e në kërkim të së ardhmes marrin rrugën për në zemrën e liqenit, në atë që e quajmë, shpirti i autorit. I don gjërat, i don me gjithë shpirt dhe kjo gjë nuk ndikon për t`i paraqitur më të bukura nga  ç`janë. E vërteta është mbi gjithçka në prozat e tij. Kur them, e vërteta, nuk nënkuptoj diçka besnike ndaj faktit (asaj qe ndodh), por është diçka më e thellë se ajo. Ndoshta ashtu siç shkruan Borhesi: “Kur shkruaj një tregim e shkruaj se besoj në të – jo ashtu siç besohet në histori, por sikurse  besohet në ndonjë ide apo ëndërr”. Në prozën e tij ndjehet përjetimi e kjo gjë bën që të pulsojë poezia. Gjithmonë kam menduar se fryma poetike në prozë përcakton se deri ne ç’shkallë mundet njeriu të durojë të vërtetën dhe për këtë gjë, Ardian-Christian Kyçyku, me artin e tij ka vendosur dhe vazhdon te punojë për “t`i falur jetës jetë”.







Në këto shkrime kam marrë përsipër të krijoj profile për autorë të cilët kanë sjellë diçka ndryshe në letërsinë shqipe të pas viteve `90. Këtë po mundohem të bëj edhe për autorin në fjalë. Të shkruash për Ardian-Christian Kyçykun lypet një punim i gjerë i cili s’është dhe s`mund të jetë qëllimi i këtij shkrimi, për vetë vendin që duhet të ketë ky autor në letërsinë shqipe.



Ardian-Christian Kyçyku është lindur në Pogradec, ndërsa tani jeton në Bukuresht të Rumanisë ku ka një karrierë të shkëlqyer edhe si akademik. Ka shkruar dhe botuar letërsi në rumanisht dhe vlerësohet si një ndë shkrimtarët e mirënjohur të Rumanisë. Në gjuhën shqipe ka të botuara mbi 20 vepra në gjininë e romanit, tregimit si dhe dramës. Është vlerësuar me çmime dinjitoze nga të dy vendet.



Për të plotësuar profilin e tij artistik më duhet të shpreh mendimin tim për disa nga veprat e tij.

Libri i parë që kam lexuar nga ky autor ka qenë romani “Mortët”, botuar nga shtëpia botuese

“Dukagjini”, Pejë 1997.

Romani është mbështetur mbi ato që njihen si  “legjenda urbane”. Mendoj se aty shtrohet një problem fort i rëndësishëm për çdo komb, lindja e borgjezisë. Mortet përfaqësojnë një nga këto familje. Të tillë, me emra të tjerë ka patur në çdo qytet. Borgjezia lindi tek ne, por kurrë nuk u zhvillua plotësisht. Ndoshta këtu mund të kërkojmë edhe një nga vështirësitë me të cilat ndeshemi sot.

Nganjëherë të duket se autori kërkon të çlirojë Mortët  nga “përbindëshat” e tyre. Por e kupton se nuk mund të arrijë për faktin e thjeshtë se, bashkë me përbindështat do të vrasë edhe ata vetë.

Ne ndjejmë personazhet që lëvrijnë, kërkojmë të përcaktojmë secilin prej tyre, por ngadalë kuptojmë se, më së shumti autori merret me kohën ku këta personazhe gjallojne. Kjo gjë, mendoj se përdoret thuajse në tërë prozën e tij. Në tregimet dhe romanet e tij duket sikur bie ideja e ndërtimit të romanit me një hero kryesor. Dalëngadalë kupton se heroi i vërtetë të cilit i kushton rëndësi është “jeta” vetë, ku gjallojnë personazhet e tij. Është një “trup” që ndërtohet nga të githë ne, nga e shkuara jonë, nga ëndrra dhe kujtesa të cilat gatuhen në shpirtin dhe mendjen e autorit.

Në këtë libër autori shkruan “ka kujtime të së shkuarës dhe të së ardhmes; ka kujtime të asaj të ardhmeje që s’vjen kurrë, dhe kjo është e shkuara më e mbrapshtë e njeriut”(fq.40)

Duke lexuar librat e tij lexuesi është i vetëdijshëm se zbulon dhe krijon njëkohësisht; kjo gjë do të thotë se e bën të mendojë. A po vuajmë nga kjo “e shkuara më e mbrapshtë e njeriut”…

Me këtë roman autorin  e vlerësova për atë çfarë thotë dhe veçanërisht për mënyrën se si e thotë.

Dihet se e vetmja herë kur shkrimtarët dhe poetët shqiptarë ishin të “organizuar” ishte “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” e cila i ktheu ata në “shërbëtorë të Partisë në edukimin komunist të brezit të ri”. Ndoshta, në ndërgjegjen e tyre këtë “metodë” nuk e pranonin shumë autorë, por nuk e kundërshtuan aq pak. Ata që shpesh konsiderohen si desidentë më së shumti notonin turbullirave politike. S`kishte dhe s`ka ende një rrymë të kjartë artistike e cila të krijojë një mjedis artistik i cila ta bëjë të pamundur atë lloj letërsie. Pas viteve `90 kemi shkrimtarë dhe poetë që morën përsipër realizimin e një letersie ndryshe. Një pjesë e tyre morën përsipër një luftë të “fortë” kundër krijuesve të asaj periudhe, ndërsa një pjesë tjetër filluan të ndërtojnë një letërsi të çliruar, të mbështetur mbi të vërtetën me qëllim, çlirimin e plotë të njeriut. Për këtë morën rrugën drejt botës së brendshme të njeriut, sipas përvojës surealiste “duke kundërshtuar vetveten nga brenda me anë të vetvetes” Sartri, “Ç`është letersia”(fq. 149).

Në vitin 2007 Kyçyku boton romanin “Home”.  Në këtë roman autori shkruan: Pastaj përshëndetjet reshtën; tanët bluajtën kujtime e mendime, pinë fërnet e biseduan derisa ra një heshtje pusi, një heshtje e bekuar, heshtja kur gruaja lyp foshnjë, e quante Home Çkena, mirëpo doli se nuk paskësh qenë fjala për një grua të vetme, dhe doli se heshtja paskësh qenë zhurmë, një zhurmë krejt e padëgjuar më parë” (fq.105). Me këtë roman Kyçyku e kthen letërsinë në një banesë shpirtërore ku jetojnë së bashku shkrimtari, personazhet dhe lexuesi. Është një “trup” që mundësohet nga gjithë ne, nga e shkuara jonë, nga ëndrrat dhe kujtesa. Një roman i cili saktësisht duhet të jetë pjesë e literaturës njohëse dhe formuese të letërsisë sonë.

Romani fillon me një njoftim: “Të paharruarin Home Çkena e vranë buzë detit”. Dhe vazhdon me një saktësim: “Ne dëgjuam vetëm krismën”. Është krisja e shpirtit e cila godet më fort se ajo e armës. Na fton të plotësojmë një anketë të cilën edhe vetë e plotëson në fund të librit. Shkrimtari i bën vend edhe lexuesit. Dhe deri në fund të librit ne e besojmë këtë bashkëjetesë dhe ndjejmë se herë pas here ai hyn edhe brenda nesh.

Të duket sikur “Home Çkena” vjen këtu mes nesh dhe pëshpërima e tij bëhet njësh me atë që ndjen secili nga ne: “Fort mirë po jeni n’at ândërr”, “Vra na kan sikur s’jem kênë” dhe “Ju due si jetën” (fq.43).

Jo me qumësht, por me gjak (fq.49).

Lexuesi noton, si në një liqen me pyetjen: “kush i thotë këto gjëra; unë, ai apo ne”.

Kyçyku shkruan tregime gjithashtu. Tregimet e tij janë si kënaqësia që mbetet kur prej teje largohet një ndjenjë e mrekullueshme të cilën e ndjek me sy derisa hija e tij humbet te retë, pastaj kthehesh me një mungesë në shpirt dhe sheh se është përsëri aty. Pikërisht aty ku zuri vend pak më parë. Tregimet si “Ngujimi”, “Shija” apo “Kujtesa” të cilët sapo i përfundon së lexuari, e ndjen të nevojshme t`i rilexosh, sikur prej leximit të parë duhet të të ketë humbur diçka.

Di që autori është gjithashtu botues i revistës “Haemus”. Haemus është emri i parë i Ballkanit dhe di se Ballkani ka mbijetur mbi një mitologji të cilën e kanë krijuar së bashku, duke luftuar dhe bashkëpunuar me njeri-tjetrin popujt e tij. Sigurisht Ballkani është më shumë se Shqipëria dhe Rumania. Megjithatë për ne shqiptarët Bukureshti ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore dhe atdhetare.

Dëshiroj që këtë profil ta përmbyll me një fragment të shkëputur nga romani “Home Çkena” i cili më ngjan si thirrje dhe duke ruajtur atë çfarë thashë më lart, s’është vetëm e Ardian Kyçykut: “Trupi i Home Çkenës do të kish peshuar më shumë se një thes me dhé nga ai që na pat pjellë. Pyesnim veten nëse ia vlente të vdisje aq larg vendlindjes, vetëm që trupi të lehtësohej aq. Por pyesnim veten edhe se sa do të qe rritur me kthimin e shpirtit pesha e tokës sonë. Vallë e ndjente ndonjë mik i hershëm, ndonjë hasm, apo ndonjë politikan atë rritje peshe”? (fq.20)

Ardian-Christian Kyçyku është shkrimtar, poet, publicist, profesor, njeri shijehollë, bartës i shkëlqyer i një estetike të posaçme e cila të këndell të gjitha shqisat. Pikëvështrimi i tij bëhet edhe më interesant nisur edhe nga vend-ndodhja. Ai është edhe s`është në Shqipëri. Shkruan edhe nuk shkruan shqip. Qëllimet e letërsisë dhe karakteri i secilës vepër ia dikton gjuhën. Përnjëmend Kyçyku jeton e njihet në Bukuresht (vend kulturalisht familjar për vetëdijen tonë), por në këndvështrimin tim, është një pjesë e posaçme dhe e domosdoshme e letërsisë dhe e kulturës së sotme shqipe.

1



CLOSE
CLOSE
Pas