Argjentinë – Një aksident tragjik ka ndodhur të enjten e kaluar në Buenos Aires, ku si pasojë një fëmijë ka humbur jetën.
Ai po kalonte me të ëmën në vijat e bardha të rrugës së lagjes Flores, kur u përplas për vdekje nga një makinë që u fut me të kuqe. Ndonëse 5-vjeçari Isaac Sus u dërgua me urgjencë në spital, nuk mundi të mbijetonte.
E ëma, Debora Agosti, është shtruar po ashtu në spital. Ajo ndodhet jashtë rrezikut, por e traumatizuar për humbjen e të birit.
Sa i takon drejtuesit të mjetit, i cili u largua menjëherë nga vendngjarja, është shpallur në kërkim nga autoritetet argjentinase. Bëhet fjalë për Ricardo Papadopulos, 21 vjeç.
Babai i të riut, Rubén Papadopulos, u shpreh për uniformat blu se i ka humbur kontaktet me të birin prej ditës së aksidentit tragjik dhe se nuk e ka idenë ku ndodhet.
“Unë isha në shtëpi kur djali më thirri për të më thënë se ai kishte bërë një aksident”, – tha Papadopulos. “Ai ishte nervoz, i frikësuar dhe duke qarë. Nuk e kuptova mirë sepse komunikimi u ndërpre dhe nuk u lidhëm dot më. Ky ishte kontakti i fundit që kisha.”
Autoritetet zbuluan përmes pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të një parkimi nëntokësor se, Ricardo Papadopulos ishte në makinë të enjten e kaluar me një pasagjer mashkull, identiteti i të cilit ende nuk dihet.
Sipas mediave vendase, Papadopulos nuk ishte i licencuar për të drejtuar automjetin. Në tetor 2017, Papadopulos, asokohe 18 vjeç, aplikoi për të parën herë për patentën, por kërkesa fillestare u refuzua sepse ai nuk mund të siguronte një vlerësim psikiatrik.
Në janar 2018, Papadopulos-it iu dha patenta për një vit; leja e qarkullimit i skadoi dhe nuk iu rinovua kurrë.