Agron Llakaj ka reaguar i revoltuar me anë të një postimi në Instagram, ku ka shpërthyer ndaj një reality show të transmetuar në Top Channel, të quajtur “Aventurierët”, të cilin e quan “të shëmtuar, të rëndë në çdo pikëpamje, degjenerim, shthurje dhe perversitet”.
Pjesë e këtij reality janë disa të rinj, të cilët nisen në Spille për të jetuar në një shtëpi dhe për të punuar në një bar. Të rinjtë duhet t’u përmbahen disa rregullave specifike, siç janë mospërdorimi i telefonave dhe rrjeteve sociale etj. Por sjellja e të rinjve jo gjithmonë është mirëpritur nga audienca.
Kjo nuk është hera e parë që “Aventurierët” krijon pakënaqësira, sidomos te personazhet publikë. Muajin e kaluar ishte Florjan Binaj që reagoi ndaj këtij reality, duke u shprehur se “ishte i zhgënjyer nga ky program i transmetuar në televizionin ku punon, pasi po promovon antivlerat”.
Ndërsa përkrah postimit të Agron Llakajt shfaqet një video, ku dy prej personazheve thonë se kanë bërë seks, ndërkohë personazhet e tjerë luajnë lojën e famshme me dënime, duke u puthur në buzë me djemtë e grupit. Llakaj i bën thirrje AMA-s, duke ngritur një shqetësim të madh.
Reagimi i plotë i Llakajt:
“Kjo video që po shikoni, nuk është kamera e fshehtë dhe aq më pak amatore. Është një reality show, ‘Aventurierët’ dhe shfaqet çdo të premte në televizionin kombëtar Top Channel. Nuk dua të merrem me Top Channel, [apo me] qëllimin për të mbështetur një show kaq të shëmtuar dhe të rëndë në çdo pikëpamje… degjenerim, shthurje, perversitet. I drejtohem AMA-s, institucioni i monitorimit të mediave audiovizive!”
Ej njerëz! A keni familje?! A keni fëmijë?! A nuk jeni të shqetësuar për ardhmërinë e tyre?! Si mund të lejohet një reality show kaq kriminal për edukimin e fëmijeve tanë, nipërve e mbesave?! Covid-19 nuk është asgjë përpara kësaj të keqeje kombëtare që po mbillet nëpër ekranet tona, është pasqyrë reale e jona dhe kjo fillon që nga shkolla, ku shthurja dhe rrugaçëria kanë ndërtuar modele të respektuara nëpër auditore. Këta që shikoni në këtë reality show, nesër do shfaqen në rrugë si ‘VIP-at’ e ardhshëm.
‘Unë jam ajo që shkova me katër çuna njëherësh!’
‘Unë jam ai djali gay që dashurinë time e shfaqa aty në net të tëra dhe u kënaqa me këdo që më dashuroi e adhuroi!’
‘Kurse unë jam ajo që ia grisa brekët asaj gocës, e kapa nga flokët dhe e hoqa zvarrë nëpër dhomë, dhe po të mos ma kishin hequr nga duart e kisha vrarë fare!’
‘E unë jam ajo që ia zbërtheva pantallonat atij djalit…dhe…dhe…’
Media e portale që i promovojnë për ca klikime pa menduar që janë bashkautorë në krim. AMA është përgjegjëse direkte! Është më shumë se alarm! Shkolla, familja dhe shoqëria kanë lëshuar sinjalin SOS! Në qoftë se nuk ngrihemi sot dhe të vendosim rregulla, në qoftë se nuk ngrihemi sot me alarmin e ligjshëm prindëror për një të ardhme të sigurt të fëmijëve tanë, nesër do jetë vonë. Ti ose ajo, apo kushdo, jeni viktima të realitetit, i cili do fitojë qytetarinë shumë shpejt. Dhuna, shthurja, tërbimi, degjenerimi dhe krimi do jenë realiteti ynë i ardhshëm shoqëror. Shqiptarë zgjohuni! Për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë! Stop degjenerimit!
View this post on Instagram