Emri antik i lumit Thyamis mbijetoi në trajtën çam si emër i banorëve të trevës që përshkonte lumi. Lidhjen gjenetike të banorëve çamë nga emri i lumit e kanë pranuar edhe dijetarë linguistë të albanalogjisë
Nga Kristo Frashëri*
(vjon nga numri paraardhës Thesprotia-Çamëria antike)
Në lidhje me Vagenetinë, Aravantinoi shkruan: “Vagenetia (Βαγενετία), provincë e Epirit ose themë e Epirit, e cila gjatë despotëve të saj përfshinte krejt Thesprotinë, Kestrinin dhe një pjesë të Kasiopesë. Sipas Krisobulit të Dhespotit Simeon, më 1361 duken të numëruara fshatra dhe kështjella që i përkasin themës së Vagenetisë, të cilat përfshihen në tri vendet e sipërme”.
E reja që përmban punimi i Aravantinoit është përdorimi i emërtimit Çamëri dhe përcaktimi i shtrirjes së saj territoriale. Në zërin “çamët” dhe “Çëmria” (në greqisht: “Camidhes” dhe “Camuria”), Aravantinoi shkruan:
“Çamët janë banorët e Thesprotisë dhe të Kestrinit, domethënë paramithiotët, filatasit dhe margëllëçiotët e tanishëm dhe një pjesë nga administrata e Delvinës. Duhet shënuar se banorët e Parakallamit (pranë lumit Kallamas – K.F.) dinë dhe flasin disi greqishten. Ndërsa ndër homogjenët e tyre, banorët e provincës Dagi, domethënë të Margëllëçit dhe të Paramithisë, të paktë janë ata që dinë greqishten.
Me pak ndryshime, të njëjtën shtrirje territoriale të Çamërisë e pohojnë edhe dy autorë shqiptarë me origjinë nga Çamëria, Abaz Dajaka dhe Ibrahim Hoxha.
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar në lidhje me shtrirjen territoriale të Çamërisë së kohëve të reja thuhet: “Çamëria shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit, nga lumi i Pavllës ose i Shalësit (afër Butrintit – K.F.) në Veri dhe në jug deri në gjirin e Prevezës në gjatësi rreth 107-108 km, ndërsa në Lindje shkon deri të malet e Kurrillës dhe deri te shkalla e Paramithisë, që e ndajnë nga pellgu i Janinës në një gjerësi 36-37 km. Sipërfaqja e saj është 3.900 km².
Në vijë të përgjithshme këtë shtrirje territoriale e vërtetojnë emrat e lumenjve, liqeneve, limaneve të Thesprotisë antike, të cilat janë identifikuar me emrat e tyre përkatëse, që janë në përdorim në Çamërinë e kohëve të reja.
Ndër lumenjtë që kalonin nëpër territorin e Thesprotisë, dy prej tyre – lumi Aheron dhe lumi Thyamis – kanë rëndësi për temën tonë.
Lumi Aheron pasi formon gjatë rrjedhës liqenin Aherusia, derdhet në det. Për këtë lumë Aravantinoi shkruan: “Aheron – lumi i Epirit dhe i Fanarit, siç quhet zakonisht që rrjedh nga qafa dhe fshati Kukulin dhe duke kaluar nëpër fushat e Fanarit formon liqenin Aherusia, i cili tani në Fanar quhet Garla ose Karla (Γάρλα, Κάρλα)”. Dikur lumi Aheron, vazhdon Aravantinoi, ishte i lundrueshëm deri në fshatin Gliqi. Këtu ndodhen gërmadhat e limanit të kohës antike Efyra, të cilin e përmend dhe Straboni. Në të vërtetë Straboni limanin Efyra e vendos në derdhjen jo të lumit Aheron, por të lumit Thyamis. Historianët e Greqisë moderne e mbështesin vendndodhjen e limanit Efyra në gjirin e lumit Aheron. Përsa i përket lumit Thyami, Thukididi thotë se ai ndan Thesprotinë nga Kestrina. Ai shton se midis dy lumenjve të Thesprotisë (Aheron dhe Thyamis) ndodhet në bregdet kepi i Himerit. Straboni nga ana e vet shton se në gjirin ku derdhet lumi Thyamis ndodhet Kyhiri, i cili më parë quhej Efyra. Gjeografi grek i shekullit VI-V p.e.s. Scylaksi shkruan se thesprotët ishin të shpërndarë në shumë fshatra. Por, ai nuk përmend asnjë nga emrat e tyre.
Historianët grekë të kohëve të reja e kanë bërë zakon të mos shohin asnjë lidhje etnike midis banorëve ilirë të Thesprotisë me banorët shqiptarë të Çamërisë. Sipas tyre, në këtë trevë kanë banuar vazhdimisht vetëm banorë të etnikonit helen dhe se shqiptarët kanë shtegtuar në trevën epirote gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Por, pikëpamja e tyre nuk qëndron. Përfundimisht, Çamëria si krahinë etnografike përfshinte në kohët moderne rrethet me qendër në Filat, Gumenicë, Margëllëç, Paramithi, Pargë e Prevezë. Në veri të Thesprotisë shtrihej Kestrini, sipas Aravantinoit pjesë e Thesprotisë, gërmadhat e të cilit duken midis Konispolit dhe Mursisë, gjysmë ore larg detit, në rrethin e Filatit .
Ajo që të bën përshtypje nga historia mijëravjeçare e Epirit përfshirë dhe atë të krahinës së Thesprotisë, është fakti se asnjë nga toponimitë apo hidronimitë e kohës antike, nuk ka mbijetuar deri në ditët tona. Madje në ditët tona nuk ka arritur si emër krahine as ai i Vagenetisë, me përjashtim të një fshati që ruan kujtimin e tij . Nga vëzhgimet e historianëve del se vazhdimësia e toponimeve dhe hidronimeve të kohës antike, ndërpritet gjatë Mesjetës së hershme. Sikurse u tha, gjatë Mesjetës së hershme del jashtë sferës përdorimi zyrtar edhe apelativi i lashtë historik Epir për vendin dhe epirot për banorët. Të paktën emërtimi Epir mbijetoi vetëm në qarqet savante të kohës. Nën ndikimin e qarqeve savante të kohës, emërtimi Epir u përdor me ndërhyrjen nga qarqet iluministe gjatë disa shekujve mesjetarë, siç ndodhi për shembull me Despotatin mesjetar të Epirit. Gjatë sundimit osman apelativi Epir u zhduk përsëri nga qarkullimi. Perandoria e sulltanëve u dha provincave të saj administrative emrin e kryeqendrave të tyre si për shembull Sanxhaku i Janinës, Sanxhaku i Delvinës, Sanxhaku i Prevezës e të tjera. Vetëm njëri nga toponimitë antikë të Epirit mbijetoi, ndonëse mori një vështrim tjetër. Fjala është për emrin e lumit Thyamis. Toponimi Thyamis si emërtim lumi doli nga qarkullimi. Ai u zëvendësua me emrin Kallamas. Nga ana tjetër, emri Thyamis mbijetoi në trajtën çam si emër i banorëve të trevës që përshkonte lumi, ashtu si më vonë nga lumi Mat banorët e trevës u quajtën matjanë dhe si banorët e lumit Devoll, u quajtën devollinj. Lidhjen gjenetike të banorëve çamë nga emri i lumit e kanë pranuar edhe dijetarë linguistë të albanalogjisë. Kështu për shembull, dijetari i parë që vuri re lidhjen e apelativit çam me emrin e lumit Thyamis ishte U. M. Lik. Lidhjen gjenetike të apelativit çam për banorët me emrin e lumit Thyamis, nuk e kundërshtoi as Aravantinoi, por e pranoi si mundësi. Atë e pranoi dhe historiani epirot i shekullit XX Kristos Soulis. Eqrem Çabej në veprën e tij magjistrale “Studime Etimologjike në gjuhë të shqipes, përmend dijetarët, të cilët e mbështetën këtë tezë: Diefenbach I, 28, Philintas tek Andriotis, 382). E. Çabej që në vitin 1963 në Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, pranoi se emri topik Thyamis, me zhvillimin historik, në pajtim me ligjet fonetike të shqipes vërteton autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme. Çabej shton se kritika që i bën linguisti amerikan Hamp, barazimit Thyamis (Θυάμις): çam, duke kërkuar që prej një tj-je të lashtë duhet të pritej s dhe jo ç, nuk ka mbështetje sa duhet: te Θ e Θυάμις nuk përmbahej medoemos tj, po pas gjase diçka tjetër.
Çamëria gjatë Mesjetës së hershme- Vagenetia
Në fund të shekullit VI kur dyndjet barbare arritën me avarët dhe sllavët kulmin e tyre, provinca e Epirit-të-Vjetër me kryeqendër Nikopojën përfshirë dhe krahinën e Thesprotisë (e cila, sikurse dihet, është paraardhëse e Çamërisë), ndodhej ashtu si dhe provinca e Epirit-të-Ri me kryeqendër Durrësin, brenda kufijve administrativë të Perandorisë Bizantine. Me furinë që morën dyndjet barbare dhe sllave në çerekun e parë të shekullit VII, lidhjet administrative të Epirit-të-Vjetër me kryeqytetin perandorak Kostandinopojën, erdhën vazhdimisht duke u vështirësuar derisa për disa kohë pothuajse u ndërprenë krejtësisht. Madje, ato u vështirësuan aq tepër sa për shkak të situatës së trazuar, edhe kryeqendra e provincës u shpërngul nga Nikopoja jashtë kufirit të Epirit në qytetin Naupakt, në gjirin e Korinthit. Me shthurjen më tepër se dyshekullore të sistemit administrativ bizantin dhe me lëvizjet e popullatave lokale dolën dalëngadalë jashtë përdorimit së bashku me emrat e të dyja provincave, Epir-i-Vjetër dhe Epir-i-Ri edhe emrat e shumicës së vendbanimeve dhe të shumicës së lumenjve.
Dyndjet barbare qenë aq të furishme sa ato tronditën jo vetëm themelet e pushtetit perandorak në Gadishullin Ballkanik, por përmbysën edhe strukturën social-ekonomike, kulturore dhe linguistike të popujve të Europës Juglindore. Duke anashkaluar historinë tepër të gjatë të këtyre dyndjeve, ne do të kufizohemi me pasojat që ato patën në trojet e Epirit.
Pasojat kryesore të dyndjeve barbare ishin: kthimi i qyteteve në gërmadha, asgjësimi i punishteve zejtare, shpërbërja e latifundeve skllavopronare, rrëmbimi si robër i mijëra krahëve të punës, shpërngulja e fshatarëve të lirë, masakrimi i një numri të madh të banorëve, shembja e kalave antike dhe vendosja e banorëve të rinj etnikë sllavë. Të gjitha këto pasoja sollën, së bashku me shpërbërjen e administratës perandorake, edhe asgjësimin e rendit shoqëror skllavist. Shkurt, ato sollën përmbysjen e epokës antike dhe fillimin e një kohe të re – të epokës mesjetare.
Njoftimet që kemi mbi ndryshimet që ndodhën në Epirin-e-Vjetër pas dyndjeve barbare janë tepër të cekëta. Buthroti, qytet i lulëzuar i Thesprotisë gjatë Antikitetit të vonë, u rrënua në shekullin V. Sipas Prokopit të Cezaresë, pasoja të rënda pati gjithashtu dyndja e ostrogotëve në vitin 551 në Epirin-e-Vjetër. Gjatë kësaj periudhe u rrënua edhe qyteti Onhesmos (Saranda). Fatin që patën vendbanimet e Thesprotisë gjatë Antikitetit të vonë, për mungesë të dhënash dokumentare, nuk e njohim. Një ide të përafërt mbi dëmet që pësoi Epiri-i-Vjetër gjatë dyndjeve barbare mund ta formojmë nga dy njoftimet që jep historiani grek J. Darrouzes në veprën e tij botuar në Paris më 1981 . E para, se nga nëntë seli peshkopale që kishte Epiri-i-Vjetër në shekullin VI, vetëm dy prej tyre kishin në shekullin IX peshkopë – peshkopata e Butrintit dhe peshkopata e Hadrianopojës (qyteti i Drinosit, më vonë peshkopata e Dropullit në Gjirokastër). E dyta, në burimet dokumentare përmendet si diocezë fetare edhe peshkopata e Nikopojës (Nicopolis), por selia e saj për shkak të trazirave që pësoi provinca e Epirit-të-Vjetër ishte, sikurse u tha, shpërngulur nga Nikopoja e Epirit më në jug, në qytetin Naupakt të gjirit të Korinthit. Këto njoftime tregojnë se autoriteti i Perandorisë Bizantine në Epirin-e-Vjetër, pra edhe në Thesproti në shekullin IX ende nuk ishte stabilizuar. Se kush qenë faktorët që e tronditën autoritetin e Perandorisë Bizantine – ardhacakët sllavë apo banorët autoktonë – në atë masë sa të shpërngulej selia metropolitane nga Nikopoja në Naupakt, do të orvatemi ta ndriçojmë më tej.
Afërsisht një histori paralele ndodhi edhe në hapësirën e Epirit-të-Ri. Edhe në këtë provincë shumë dioceza kishtare gjatë dyndjeve barbare u asgjësuan së bashku me qytetet ku ndodheshin selitë e tyre. Në fillim të shekullit IX edhe në Epirin-e-Ri, ashtu si në Epirin-e-Vjetër, qëndronin në këmbë vetëm dy peshkopata, tepër të rrudhura – njëra në Durrës, në sajë të mureve të kalasë, tjetra në Lezhë (Lissus), në sajë të pozicionit kodrinor të kalasë. Filloi kështu për dy provincat epirote një periudhë e errët historike, e cila karakterizohet nga mungesa e burimeve dokumentare.
Historia e Thesprotisë gjatë Mesjetës së hershme, karakterizohet, ashtu si ajo e mbarë Gadishullit Ballkanik, nga një mungesë gati e plotë e burimeve të shkruara dokumentare. Varfëria e njoftimeve dokumentare është aq e theksuar sa deri sot nuk kemi ndeshur asnjë akt dokumentar apo shkrim kancelaresk që t’i cilësojë banorët e Çamërisë helenë apo ilirë ose shqiptarë.
Në përgjithësi, kronistët bizantinë banorët autoktonë të Perandorisë së tyre i përmendin me apelativin romei (romaios). Sikurse e kam trajtuar në një punim tjetër, apelativi “romaios” ishte pjellë e ideologjisë së Perandorisë Bizantine, e cila synonte t’i shndërronte etnitë e ndryshme të sunduara prej saj në një kombësi të përbashkët të quajtur “romaios” (romakë).
Dy qenë kushtet, që kërkoheshin nga shtetasit bizantinë për t’u cilësuar “romaios” – t’i paguanin perandorisë fiskun shtetëror dhe të praktikonin ritin kishtar bizantin. Banorët ilirë si qytetarë të trashëguar që në vitin 395 nga Perandoria Universale Romake, qenë ndër qytetarët e parë të Perandorisë Bizantine, të cilët u përfshinë në apelativin “romaios”. Përkundrazi, popullatat sllave, të cilat u dyndën në fillim të Mesjetës së hershme në Europën Juglindore, nuk u përfshinë në apelativin “romaios”, mbasi nuk qenë as banorë autoktonë, as besnikë të ritit kishtar lindor. Për këtë arsye, ata, edhe pse jetonin në kufijtë e Perandorisë Bizantine, përmenden me emrat e tyre etnikë. Meqenëse në burimet historike të themës së Nikopojës nuk ndeshet asnjë popullatë jo romaios, kjo të jep një farë të drejte të mendosh se në Thesproti (Çamëri) në atë kohë nuk kishte banorë sllavë.
Periudha e errët e Mesjetës së hershme vazhdoi tre-katër shekuj (shekujt VII-X). Gjatë këtyre shekujve, si pasojë e dyndjeve barbare, autoriteti bizantin në këto anë u trondit deri në themelet e veta. Popullsia që shpëtoi nga goditjet e tyre u rrudh në fshatra kryesisht malore. Të dyja provincat epirote, Epiri-i-Vjetër dhe Epiri-i-Ri ashtu si dhe viset e tjera të Gadishullit, pësuan një fshatarizim të skajshëm.
Me shthurjen e sistemit administrativ të provincave diokleciane, edhe emrat Epir-i-Vjetër dhe Epir-i-Ri dolën, sikurse u tha, jashtë përdorimit. Emri i tyre i përbashkët Epir mbijetoi vetëm në qarqet savante të kohës, gjithsesi pa një vështrim etnik të përcaktuar.
Nga shembja e pushtetit shtetëror dhe nga mbisundimi i ekonomisë natyrore banorët e fshatrave u detyruan të mëkëmbnin për vetëmbrojtje dhe për vetadministrim bashkësitë krahinore. Organizimin e brendshëm që kishin këto bashkësi krahinore shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, nuk e njohim. Një përfytyrim të përafërt mund ta krijojmë nga të dhënat historike që flasin për të drejtën zakonore që ekzistonte më vonë në këto provinca. Marrëdhëniet e tyre juridike të brendshme dhe të jashtme ato i rregullonin sipas të drejtës zakonore apo kanuneve të veçanta të pashkruara që kishte secila bashkësi. Është e vështirë të thuhet se në fushën e së drejtës zakonore kanunet e tyre kishin lidhje me korpusin e njohur bizantin të shpallur në shekullin VIII “Nomos Georgikos” (Ligji Agrar). Kjo për arsye se bashkësitë krahinore shqiptare nuk duket se kishin lidhje pushtetore me shtetin bizantin, siç nënkupton “Ligji Agrar”. Veç kësaj, në të drejtën zakonore shqiptare nuk ka shenja të ketë ekzistuar ndonjëherë dënimi me vdekje për anëtarët e bashkësisë për çfarëdo faji, siç figuron në Ligjin Agrar bizantin.
Secila bashkësi, përfshinte në gjirin e saj një numër fshatrash të përbëra nga familje patriarkale, në të cilat pronësia private familjare bashkëjetonte me pronësinë kolektive fshatare dhe më tej akoma me pronësinë e përbashkët krahinore. Ka shumë mundësi që si kufi ndarës midis bashkësive fshatare të caktoheshin malet ose kodrat, të cilat shërbenin si ujëndarëse të lumenjve ose të përrenjve, që përshkonin trojet e bashkësisë.
Në burimet latine të mëvonshme këto bashkësi krahinore fshatare në shumicën e rasteve quhen “provintia”. Kështu për shembull, në themën e Nikopojës përmendet provintia Vagenetia, provintia Drinupoleos, provintia Collonie, provintia Chimaera, e të tjera. Për krahasim, në themën e Durrësit përmendet provintia Arbani, provintia Philot, provintia Chunavia, provintia Jericho. Sigurisht ato kishin juridiksion territorial shumë më të ngushtë se provintia diokletiane. Natyrisht, nuk kemi të drejtë ta përgjithësojmë trajtën latine provintia për të gjitha bashkësitë krahinore. Sikurse do të thuhet më tej, disa nga këto bashkësi krahinore u quajtën me termin bizantin archondi.
Vështirësitë që u krijuan gjatë shekujve VII-IX në lidhjet e administratave të provincave perëndimore me kryeqytetin perandorak, sikurse u tha, në mos u ndërprenë plotësisht, u vështirësuan së tepërmi. E vetmja rrugë kontakti midis tyre qe deti, por lundrimi në Egje gjatë Mesjetës së hershme paraqiste plot rreziqe për shkak të piraterisë. Si rrjedhim, kontaktet administrative shumë të pakta midis provincave epirote me kryeqendrën perandorake, dëshmohen nga objektet tepër të rralla të kulturës materiale bizantine të zbuluara në këto vise. Dëshmi është gjithashtu fakti se në viset e sotme shqiptare nuk janë zbuluar monedha bizantine të prera pas Justinianit II (685-695) dhe para perandorit Aleks Komnenit (1080).
Kjo shpjegon arsyen përse nga kronistët bizantinë të Mesjetës së hershme nuk kemi fare njoftime mbi rrjedhën e punëve në viset iliro-shqiptare. Në këto rrethana, mungesa e vazhdueshme e autoritetit perandorak bizantin nxiti faktorët e brendshëm politikë të viseve ilire ta konsolidonin më tej autoritetin pushtetor autonom në bashkësitë krahinore të të dy Epireve.
*Pjesë nga libri “Historia e Çamërisë” me autor historianin e njohur Kristo Frashëri, botim i UET-Press. Ky studim i botuar në vitin 2015 shënon dhe punën e fundit të historianit para se të ndërronte jetë
Teza e Çabejt: Ligjet fonetike vërtetojnë autoktoninë e çamëve
Eqrem Çabej në veprën e tij magjistrale “Studime Etimologjike në gjuhë të shqipes, përmend dijetarët, të cilët e mbështetën këtë tezë: Diefenbach I, 28, Philintas tek Andriotis, 382). E. Çabej që në vitin 1963 në Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, pranoi se emri topik Thyamis, me zhvillimin historik, në pajtim me ligjet fonetike të shqipes vërteton autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme. Çabej shton se kritika që i bën linguisti amerikan Hamp, barazimit Thyamis (Θυάμις): çam, duke kërkuar që prej një tj-je të lashtë duhet të pritej s dhe jo ç, nuk ka mbështetje sa duhet: te Θ e Θυάμις nuk përmbahej medoemos tj, po pas gjase diçka tjetër.