Kryesore

Arjan Dyrmishi: Vetingu i ngadaltë, duhet më shumë transparencë






               Publikuar në : 09:00 - 25/05/19 |
mapo.al

Flet për gazetën Mapo, Arjan Dyrmishi, drejtues i organizatës “CSDG”


Reforma në Drejtësi nisi funksionimin e saj pas ndryshimeve Kushtetuese me 140 vota në Parlament në korrik të vitit 2016. Pas dy vitesh punë nga KPK dhe KPA, si do e konsideroni procesin e vetingut?

Procesi i vetingut deri në këtë fazë mund të vlerësohet mbi bazë të tri kritereve: kohës së zhvillimit të procesit, cilësisë së procesit dhe rezultateve të tij. Për sa i përket kohës së zhvillimit të procesit, deri në këtë fazë vetingu nuk është kryer me shpejtësinë e parashikuar dhe për pasojë kjo ka sjellë deri diku edhe vonesa në krijimin e institucioneve të reja, si ato të qeverisjes së sistemit të drejtësisë (KLGJ, KLP, KED, ILD), ashtu edhe atyre të hetimit dhe gjykimit të veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar (Gjykatat e Posaçme dhe SPAK). Them deri diku sepse në një masë të madhe vonesat dhe boshllëqet në organet e gjyqësorit janë krijuar për shkak se nuk parashikohej që përqindja e subjekteve të cilat nuk do ta kalonin vetingun do të ishte kaq e lartë. Për sa i përket cilësisë së procesit, në masën më të madhe vendimet e komisioneve të vetingut kanë qenë të arsyetuara dhe të pranuara si nga subjektet e vlerësuara, ashtu edhe nga organet mbikëqyrëse (ONM) dhe opinioni publik. Megjithatë KPK ka patur disa luhatje për sa i përket shkallës së transparencës dhe qëndrueshmërisë në mbajtjen e transparencës dhe mungesës së komunikimit publik mbi ecurinë dhe parashikueshmërinë e procesit. Për sa u përket rezultateve vlerësimi është më i nuancuar për shkak se nuk është arritur në një dakordësi të gjerë për t’i pranuar rezultatet e vetingut në mënyrë të njëjta nga aktorët institucionalë politikë të vendit. Për shkak të boshllëqeve të krijuara në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë apo dhe vonesave në krijimin e institucioneve të reja vetingu vlerësohet se ka sjellë probleme në funksionimin e institucioneve, ndërkohë që të vlerësuara në mënyrë strikte mbi kriterin e integritetit aktorë të tjerë janë të gatshëm ta pranojnë këtë kosto.

Sot praktikisht jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, si e shihni situatën aktuale në sistemin e drejtësisë, a është një kolaps dhe sa rrezikon kjo shkeljen dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësinë?

Mendoj se ka qenë e pamundur që reforma të parashikohej të ndërtohej duke menduar shmangien e një situate të tillë pa e kompromentuar rezultatin e vetingut. Kështu që në kushtet e krijuara duhet një kohezion më i madh për të bërë të mundur që procesi të mbështet për të ecur më shpejt, por pa kompromentuar cilësinë e tij.

Ka patur akuza se institucionet e reja të drejtësisë janë të kapura politikisht. Në këndvështrimin tuaj sa qëndron ky dyshim?

Mendoj se kjo më së shumti lidhet me rrethin vicioz në të cilin është futur veprimi politik kolektiv në Shqipëri në vitet e tranzicionit por veçanërisht në vitet e fundit ku mungesa e besimit në institucione ka shpënë që qytetarët të kërkojnë ndërhyrje politike për zgjidhjen e problemeve dhe nga ana tjetër, mosbesimi tek institucionet politike të bëjë që zgjidhjet e ndërmarra të shihen vetëm si ndërmarrje për përfitim politik. Këtij rrethi vicioz nuk i ka shpëtuar edhe Reforma në Drejtësi, kjo për shkak se nuk ka një ndarje të prerë me thikë se ku fillon pavarësia dhe ku mbaron ajo për t’i hapur rrugë llogaridhënies. Në këtë kuadër mendoj se një nga dobësitë e procesit të vetingut është se duke synuar për t’i bërë ato sa më të pavarura nuk është parashikuar një mekanizëm i qartë llogaridhënieje i tyre. Dhe siç e theksova më sipër kjo mungesë ndikon edhe në paparashikueshmërinë në aspektin kohor të procesit.


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas