Po konfirmohen zërat për të ardhmen e Armando Brojës. Bomberi shqiptar që shkëlqeu vitin e kaluar në huazim te Vitesse tashmë do të rikthehet te Chelsea për të qëndruar gjatë.
Siç bëhet e ditur nga gazetari i famshëm, Fabrizio Romano, i cili nuk del kurrë huq me lajmet e merkatos, drejtuesit e Chelseat po punojnë dhe kanë intensifikuar bisedimet për rinovimin me Armando Brojën me një kontratë të gjatë deri në vitin 2026.
Kontrata e re 5-vjeçare tregon edhe synimet që kanë te Chelsea për të ardhmen e sulmuesit shqiptar, i cili që këtë sezon pritet të ketë hapësira dhe shanse për të luajtur me skuadrën e Tuchel dhe ndoshta edhe në Champions League ku Chelsea niset këtë vit me synimin për të mbrojtur titullin.
Broja shikohet si lojtari që do të plotësojë sulmin e skuadrës londineze duke qenë se Giroud ka arritur akordin me Milanin ndërsa Abraham ka kërkuar largimin.
E rëndësishme është që te Chelsea besojnë te cilësitë e sulmuesit kuqezi dhe për më tepër, kombëtarja shqiptare tashmë e ka gjetur bomberin dhe pikën e referimit në sulm për vitet e ardhshme.