Duket se shumë shpejt për Armando Sadikun do të hapen dyert e futbollit të madh. Sulmuesi i Lokarnos, që ka shkëlqyer në Zvicër duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij, ka përfunduar në objektivin e siçilianëve të Katanias. Skuadra ishullore po kërkon një zëvendësues të shpejtë për Maksi Lopezin që mund të largohet pas pak ditësh, ndaj ka filluar të vëzhgojë emrat e mundshëm të kandidatëve. Shqiptari Sadiku dhe Kastanjos i Interit mund të jenë dy emrat që do të shkojnë në Siçili këto ditë. Sipas gazetës më të madhe sportive në Itali, “Gazzetta Dello Sport”, Katania i ka ofruar ekipit të Lokarnos 700 mijë franga zvicerane (rreth 600 mijë euro) për shërbimet e Sadikut. Nuk dihet ende përgjigjia e klubit zviceran, por një lëvizje e elbasanasit të shpresave kuqezi në janar nuk do të çudiste askënd. Kjo pasi Sadikun ka shkëlqyer me kombëtaren e Skënder Gegës në ndeshjet e para në grup duke realizuar 6 gola në po aq takime. Padyshim që golat më të paharrueshëm për Sadikun janë katër golat (nga dy në çdo ndeshje) kundër Moldavisë dhe Portugalisë, që u përkthyen në katër pikë për shpresat, 3 ndaj moldavëve dhe 1 ndaj portugezëve.