Personi që shihni më poshtë është 30-vjeçari Fadil Likaj nga Shkodra, i cili plagosi me armë zjarri studenten 20-vjeçare. Ngjarja ndodhi në mesditën e sotme në qytetin e Vlorës, pranë Poliklinikës.
30-vjeçari më pas hodhi edhe një granatë, që e kishte fshehur në çantë, por që fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Dy të rinjtë, që dyshohet se kishin pasur lidhje intime me njëri-tjetrin, kanë nisur sherrin në një lokal, duke e vijuar atë edhe në rrugë, ku ka ndodhur edhe plagosja.
Nga kontrolli, autorit i është gjetur në çantë një tjetër granatë, përveç asaj që i kishte hequr siguresën dhe e kishte hedhur, si dhe pistoletës, me të cilën ka plagosur vajzën.
20-vjeçarja studente nga Berati i kishte kërkuar Likajt ndërprerjen e lidhjes së tyre, por ky i fundit nuk ka pranuar. Mëngjesin e sotëm ai kishte udhëtuar nga Shkodra drejt Vlorës, me synim për ta zgjidhur ndryshe refuzimin e Kostandina Zanajt.
Fadil Likaj u arrestua disa metra larg vendit të ngjarjes nga një patrullë e Shqiponjave. Ai ndodhet në ambientet e policisë së Vlorës. Mbi të rëndon akuza e plagosjes dhe mbajtjes së armëve dhe municioneve luftarake pa leje.