Një specialist i Muzeut Historik të Artit në Vjenë po merret me procedurat e fundit për të rikthyer në Muzeun Kunsthistorisches në Vjenë armët e Heroit tonë Kombëtar, të cilat për një muaj qëndruan në Shqipëri. Ora apo mënyra sesi do të bëhet transporti i tyre nuk bëhen publike për arsye sigurie. Gjatë dy muajve të ekspozimit të dy shpatave dhe përkrenares së Skënderbeut, në Muzeun Historik Kombëtar kanë hyrë dhe kanë dalë 1 milion e 700 vizitorë. Kjo shënon dhe rekordin e 32 viteve të këtij institucioni. Vizitorët kanë qenë nga Shqipëria, Kosova por dhe të huaj. Në sajë të një bashkërendimi edhe me drejtoritë arsimore të vendit, kanë qenë të shumta shkollat që ditë pas dite sillnin në muze nxënësit për të vizituar armët dhe përkrenaren e Skënderbeut. Fluksi i vizitorëve nuk ka munguar as ditën e fundit të ekspozitës (13 janar), ndërsa rekordi i një dite është shënuar më 28 Nëntor, kur numri i vizitorëve shkoi në rreth 400 vetë. Këto janë të dhënat e para statistikore të Muzeut Historik Kombëtar, ndërkohë që sot vetë drejtori i këtij institucioni, Luan Malltezi do të bëjë të ditura në një konferencë për shtyp detaje dhe shifra zyrtare të vizitorëve. Ekspozimi i dy shpatave dhe përkrenares së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përbën një rast unikal jo vetëm të vizitorëve të shumtë, por dhe të kushteve të larta të sigurisë. Dyert e Muzeut Historik kanë qenë të hapura çdo ditë që nga ardhja e armëve, ndërsa hyrja ka qenë falas. Armët e Skënderbeut, një pikturë në vaj që paraqet Heroin tonë Kombëtar dhe pjesë të një codex të Jakob Schrenk von Notzing, mbërritën në atdhe në datën 19 nëntor 2012. Ato erdhën nga Muzeu i Vjenës Kunsthistorisches, nën masa të rrepta sigurie. Pas dy ditësh udhëtimi në det armët kanë mbërritur në portin e Durrësit dhe më pas, të shoqëruara nga Policia e Shtetit, erdhën në Muzeun Historik Kombëtar për t’u ekspozuar në Pavijonin e Mesjetës. Armët u rikthyen në atdhe pas 500 vjetësh. Ekspozita e armëve u çel me një ceremoni të veçantë me 10 roje nderi në hyrje të Muzeut Historik, dy prej të cilëve të veshur me veshje të Gardës historike të Skënderbeut, ndërkohë që njerëz të shumtë prisnin jashtë muzeut për të parë armët e Skënderbeut. Kërkesa për të sjellë në Shqipëri armët e Skënderbeut janë bërë disa herë që në kohën e Zogut, së fundi edhe në kuadër të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por për shkak të kushteve dhe të mungesës së sigurisë përgjigjet kanë qenë gjithmonë negative. Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë u arrit që pas pesë shekujsh armët e Heroit tonë Kombëtar të mund të ekspozoheshin për publikun. Këto objekte u ekspozuan në një hapësirë prej 11 metrash dhe në mënyrë rrethore u vendosën imazhe të marra nga botimi origjinal në gjermanisht i “Historisë së Skënderbeut”, për të krijuar ndjesinë e përjetimit të asaj epoke. Në një ekran të madh, në rreth 17 minuta transmetoheshin skenat e betejave nga filmi i njohur “Skënderbeu”, ndërkohë që në banera nuk u lanë jashtë as vargjet e Naim Frashërit nga “Historia e Skënderbeut”. Historia e “udhëtimit” të armëve të heroit gjatë këtyre 5 shekujve është shumë interesante. Pas vdekjes së Skënderbeut, përkrenarja dhe shpata u morën në Itali nga gruaja e Skënderbeut, Donika, dhe djali i tij, Gjoni. Kush i trashëgoi pas vdekjes, nuk dihet. Armët u rishfaqën në dekadën e fundit të shekullit të 16-të. Në 1590, një helmetë dhe një shpatë ishin në pronësinë e Kontit Eolfgang i Sturnbergut, kurse shpata tjetër ishte në Inventarin e Muzeut të Armëve të Arqidukës Karl të Stirisë. Personi që i grumbulloi të gjitha armët bashkë ishte djali i Perandorit dhe vëllai i Karlit, Arqiduka Ferdinand i Tirolit, i cili i bleu armët dhe i mbajti në të njëjtin vend. Më vonë ky princ ngriti Muzeun e Ambrasit, pranë Tirolit, të cilin e mbushën me lloj-lloj materialesh ushtarake, ashtu si edhe me piktura dhe portrete të personaliteteve të kohës. Në 1806-ën, armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë.