fbpx

Mapo Letrare

Armiku 75-vjeçar (Tregim)





               Publikuar në : 16:12 - 09/11/19 |
Mexhit Zharri

Mexhit Zharri


Gjithë jetën me krrabë në dorë pas tufës së bagëtive. Gunës me lesh dhije, nga përdorimi, në shumicën e vendeve i qenë shkurtuar qimet e gjata që kullonin shiun. Në mot të thatë e shtronte mbi bar dhe shtrihej mbi ‘të. Mali qe hapësirë e madhe, prandaj rrallë takohej me shokë. Çdo bari rrinte pranë tufës së vet, se egërsirat dhe hajdutët që dilnin nga pylli i dendur ia mbyllnin derën… Apo s’qenë të pangopur disa varfanjakë përtej kodrës, që vinin litarin në brez, i afroheshin gjahut, nuhatnin çastin kur vigjilenca zbehej dhe “fap” i hidhnin lakun deles duke e tërhequr në përrua. Atje thika e copëtonte dhe me thesin në krah, zhdukej pa lënë gjurmë.



Ndonjëherë e merrte gjumi,por veshin e kishte në punë; dallonte nga cila anë vinte melodia me fyell apo fishkëllima a thirrja e barinjve të tjerë, çmonte tringëllimën e këmborëve kur largoheshin tutje, njihte ulërimën e Laros e Balos kur lihnin në erë ujku apo i suleshin ndonjë të panjohuri që i afrohej tufës etj. Nuk i besohej që mbas disa ditësh nuk do t’i kishte më delet e tij, të cilave u vinte emra të veçantë, u njihte zërin, cila kish lindur binjakë, cila qe pëllenjë e cila rrurëz ,sa vjeç ishin etj. Është urdhëri i partisë ,-i patën thënë.


Do të grumbulloheshin bagëtitë e fshatit, tokave do t’u hiqeshin kufinjtë dhe do të punoheshin së bashku, buka do të piqej në furra të mëdha dhe do të shitej në dyqan. Duke menduar këto, truri mori arratinë, mërmëriti dhe lëshoi ca të shara si nëpër dhëmbë kur ia behu Feriti, një burrë thatanik, pak i kërrusur, me një të qeshur të shtirur dhe që në majë të gjuhës kishte shprehje ledhatuese.

-Kush të ka mërzitur kaq shumë që shfryn ,o Seit ? Tregomë mua ,mbase të ndihmoj, se të kam mik…Askush s’na dëgjon këtu. Heziton të hapet plaku ,se e merrte me mend që do ta keqinterpretonte i porsaardhuri, ndaj nxorri nga xhepi i kofsharëve (shallvare shajaku) qesen me duhan Krrabe, të verdhë e të fortë, se qe mbjellë me pleh dhije, drodhi një cigare për vete dhe një për të sapoardhurin, përplasi disa herë ururin e çeliktë me gurëstrallin mbi të cilin qe vendosur një copë eshkë e shkulur nga pema e vidhit afër burimit dhe që e pati regjur me finjë.

Shkëndiat shkëputeshin nga guri dhe përhapeshin në drejtime të ndryshme. Disa prekën pushin dhe një fjollë tymi spiraloi drejt hundës. Qëndroi disa çaste ashtu duke nuhatur erën e këndshme që lëshonte ajo dhe ndezi cigaren,të cilën e thithi dy herë radhazi me vështrimin hedhur tutje duke përfytyrur partinë si një malukat që ka hipur mbi kalë xinxarë pa ditur deri ku do të vazhdonte revanin para se të grmisej.

– Kohë e keqe po vjen, or mik. Mundi ynë, pasuria jonë po ikën për dhjamë qeni… A mund ta lëshoj tufën time, tokën time, mallin tim në dorë të atyre që s’kanë hi në vatër ? Zoti e di këtë punë, por uroj që kjo parti të mos e çojë gjatë! Pastë jetë sa kjo cigarja që po pimë! Tjetri pohoi me kokë ato që foli i pari,zgjati dorën për t’i thënë lamtumirë , se edhe gomari i ngarkuar me një krah dru zjarri po kaptonte kodrën dhe duke thirrur nga larg “Ushshu!””Ushshu!” shpejtoi hapat për ta arritur.

Në oborrin e shtëpisë gjeti të shoqen, së cilës i tha që ta shkarkonte barrën nga kafsha, se vetë do të shkonte të takonte një ”shok”. Me një frymë zbriti në qendër të fshatit dhe hyri në zyrën e Veselit. Pasi shkarkoi informacionin sekret, doli duke shikuar se mos e kishte parë njeri dhe, duke bluar në mendje ato që kish thënë, se mos kishte harruar ndonjë imtësi, mori rrugën nga kish ardhur…

Vetë nuk foli në mbledhjen e organizuar te vatra e kulturës … Denancimin e bëri vetë shoku Vesel,i cili siguroi edhe mështetjen e dy shoqeve aktiviste të rinisë e të frontit që pohuan se xha Seiti nuk e kishte pritur mirë kolektivizimin. Pati edhe zëra që shprehën keqardhje dhe habi,por materiali i mbledhur për agjitacion e propagandë qe i mjaftueshëm … Prangat kërcitën kur u hoqën nga rripi i policit dhe u mbërthyen pas duarve mbrapa të shtatëdhjetë e pesë vjeçarit … Do të kalonin pesëmbëdhjetë vite që plaku të kthehej në vendlindje…


Etiketa: , ,

Pas