Mapo Letrare

Aromat e egra të verës më therin






               Publikuar në : 16:00 - 24/08/19 |
mapo.al

Shqipëroi Alban Bala


Pablo Neruda

Dashuria

Duhet të jetë prej teje që në kopshtije të harlisura
Më dhembin aromat e pranverës.
Ta kam harruar fytyrën, s’t’i mbaj mend
Duart; buzët e tua si flegronin
Mbi buzët e mia?

Duhet të jete prej teje që tani dashuroj
Statujat e bardha, statujat
Që përgjumen në parqe, shtatore
pa zë e pa sy.
S’ta mbaj mend tingullin e frymës, jonat e gëzuara.
T’i kam harruar sytë.

Si lulja që mbetet peng i aromës
Së saj, ashtu kam mbetur unë pas kujtimit
tend që vjen si mjegull.
mes dhimbjesh jetoj
Dhe kjo është si plagë; në më preksh tani
Do më bëje një dëm të pakthyeshëm.

Ledhat e tua më mbeshtjellin ende
Si pjergullat që veshin mure të trishtë.
Dashurinë tënde e kam harruar, por prapë
Të shoh në çdo dritare si përshndrit.

Duhet të jetë prej teje që aromat e egra
Të verës më therin; prej teje përsëri
Kërkoj shenjat që nënshtrojnë butë dëshirat:
Yje që këputen, sende
në rënie të lirë…

Rabindranath Tagore

Dashuri e pavdekshme

Me gjasë të kam dashur në forma të pafund, s’e di sa herë të kam dashur
Jetë pas jete, moshë pas moshë, gjithmonë.
Zemra ime e magjepsur ka thurur e rithurur gjerdanin e këngëve,
Qe ti pate dhuratë dhe e vure mbi gjoks në format e tua të panumurta
Jetë pas jetë, moshë pas moshe, përgjithmonë.

Kurdo që dëgjoj ngjarje të moccme dashurie, rikthehen dhimbjet e moshës.
përralla e lashtë e të qenit përkrah o të ndarë rivjen
Ndërsa unë ngultazi shoh prej të shkuarës, ku ne fund ti rishfaqesh
Stolisur me dritën e yllit polar, ma shpon errësirën e kohës
Dhe bëhesh fytyra e asaj që do kujtohet pa kthim, përgjithmonë .

Ti dhe unë lundruam gjer këtu mbi rrjedhën që sjell burimi
Në zemër të kohës dashurinë e njërit për tjetrin.
Përkrah miliona të dashuruarve kemi luajtur
Shijuam të njëjtën ëmbëlsi të drojtur ndër takime
Lotët rrënues të lamtumirës
Dashuri e vjetër, në gjedhe që rinohen e rinohen paprerë.

Sot ajo është palosur në këmbët e tua, arriti tek ti fundudhën e saj
Dashuria e të gjithe diteve të njeriut, te shkuara e te perjetshme:
Gëzim i gjithmbarshem, trishtim krejtësor, jetë universale.
Kujtesa e krejt dashurive tretet me atë që ne patëm dashuri
Dhe këngët e të gjithë poetëve, të vdekur e të pavdekshëm.

 

Robert Browning

Takim natën

Deti i hirtë dhe tokë e gjatë trupzezë

Dhe gjysmë hëne e verdhë, e gjërë, gati përdhe’

Dallgët rishtare të imta që perhidhen

Në byzylykë të egërsuar nëpër ëndrra

N’sa hyj në gji me bashin tim që shtyn

E hovin ndal mbi rërën e përujshme.

Pastaj një milje plazh n’aromë deti të ngrohtë

Tre fusha do pershkoj gjer te nje ferme;

Një levë cep dritares, gërvimë e shkurt’ e mprehtë

Pizga ngjyrë blu e flakëzes së shkrepses

Dhe një zë më i ulët mes gëzimit e frikës

Se rrahja e dy zemrave për njëra tjetren.

 

 

Luis H. Borges

Hëna

Në ate ar shkelqen një vetmi kaq e rrallë.

Hëna e këtyre netëve nuk është ajo hëna

E fillimit që Adami pa.

Sy njerëzore

Që e ngulën me shekuj ia brejten trupin

Me një brengë të vjetër.

Shihe! Ja ku e ke pasqyrën!

 

 

Rumi

Nga vetja zhveshur

Një moment lumturie

në verandë, unë dhe ti.

Në dukje dy, por në të vërtetë një shpirt i vetëm

duke ndjerë këtu rrjedhën e limfes se jetës

ti dhe unë, dhe bukuria e kopshtit

me cicerima zogjsh.

Yjet do rrinë do na vështrojnë

ndërsa ne t’u tregojmë

se si është të tretesh në një rrip hënëze të hollë.

Unë dhe ti, nga vetja zhveshur,

e ndaj arsyes së ngrirë mospërfilles.

Papagajtë në parajsë si sheqeri do shkrijnë

ndërsa ne të qeshim.

Me një formë të caktuar përmbi këtë tokë

por ne një krejt tjetër në atë tokën e ëmbël të pakohë.

 

Edwin Morgan

Kur të ikësh

Nëse do të shkosh
Dhe kur unë vdekjen ta lus
Asgjë më shumë në këtë botë s’do më mbajë
Sesa koha kur
Ti flije në krahët e mi
Hirshëm në paq’e besë sa unë
E lija dhomën tek shuhej ne errësire
Te mekohej me mbremjen
Gjersa shplodhja a troku i shiut te fresket
Te te zgjonte bute.
Te pyeta mos e degjove shiun neper endrra
Dhe perenderrt ti perseri me the Te dua.

 

 

 


Etiketa:

Pas