Nga Alban Bala
Aromën e jasminit kur bie muzgu
ti ke
shijen e frutit të ardhur mirë,
shkëlqimin e piklës së ujit mbi gushë kur sapo del nga banja,
aromën e jasminit kur bie muzgu i majit, dehjen
e blirit të lartë,
freskinë e kujtesës se malit
ti ke
atë që qiejt jua tregojnë veç fëmijëve kur ëndërrojnë fluturimin;
je një krijesë si deti që udhëton dhe kur ndalet,
jehone e heshtjes më të bukur, shtrat ngjyrash
për katër stinë
verboje gëzimi
metër për gjithçka nuk matet….
dora jote është krëhër kur bëhem gati për festë
dhe flladi i natës kur të mendoj i pagjumë,
e padukshme si ëndrrat, ngjethëse si dëshira
kur t’ i shqipton “më shumë”
ti je
uji, ajri, toka dhe zjarri,
drita, fryma, koha, hapesira
dhe ca gjëra te tjera që s’u di emrat akoma
por falë teje tash i njoh mirë…