Alessia Selimi
Po përshkojmë një rrugë që gjarpëron në kthesa të shumëfishta dhe me krahë gurë, të fortë dhe të ngjeshur. Në njërën anë shihet ajo copëz që lihet pas; shtëpiza, shumë shtëpiza. E në tjetrën mullarë, kalli misri, si dhe pemë kryeneçe ndaj hapësirës dhe kohës. Me diellin e qiellin pranë, Razma, ky fshat vetëm 43 km larg qytetit të Shkodrës dhe me një sipërfaqe prej 3680 hektarësh, është një tablo, tan ngjyra.
Fushë-sofra rroket me sy edhe nën zgafellen e mbrëmjes. E në mos me sy, duke ndjekur gjurmët e bisedave të ndrojtura, të cilat pipëtijnë prej vendeve bujtëse. Këto të fundit rrethohen nga bredhë e pisha shtatmesme dhe plot hijeshi, që bëhen njësh vetëm me terrin e mraztë. Mund të besosh vërtetë se zanat enden këtyre anëve, po të nisesh nga virgjëria e natyrës. E vendosur në lartësinë rreth 900 metra mbi nivelin e detit, Razma të ofron bujare aromën trallitëse të lirisë.
Nuk të rastis të shohësh shumë banorë. Një prej tyre rrëfen për Mapo se pjesa dërrmuese ka emigruar drejt Shteteve të Bashkuara. “Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme; asht e neveritshme, e keqe, e turpshme”-shprehej dikur Migjeni, kalitësi shkodran i kushtrimit. Me të njëjtën forcë dhe zemeratë, kështu janë larguar edhe bijtë e saj. Dimri është i athtë, fukarallëku, sa më s’ka. Ky fshat, ndër më të bukurit në vendin tonë, lulëzon sot vetëm në sajë të turizmit malor.
Një i ri nga fshati i vogël i Reçit, i cili ka zgjedhur të punojë në një nga bujtinat më të pikasura të Razmës, bën hera herës edhe udhërrëfyesin për turistët. Kësisoj, na prin përpara. “Në vitin 1935, Mbreti Zog e shpalli këtë vend zonë turistike për vlerat e saj klimaterike dhe disa familje shkodrane të pasura të kohës ndërtuan shtëpitë e para turistike. Mirëpo, në vitin 1953 u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve, i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Turizmi në Razëm u rizbulua pas ’90-ës”- fillon së treguari Arbëri. “Në këto momente që po flasim, Razma ka rreth 300 banorë dhe shumë pak shtëpi”- vijon ai, tepër i ngratë. “I gjithë fshati, por edhe ato pranë tij, mbahen gjallë në sajë të tregtimit të produkteve vendase. Më së shumti, falë shitjes së mishit të kecit dhe deles. Por, nuk përjashtoj shitjen e bimëve medicinale dhe aromatike, sikurse është çaji i malit dhe sherebeli”-shprehet Arbëri, duke shtuar se blerësit kryesorë janë vetë administratorët e bujtinave.
Nëse po bëheni kureshtarë për specialitetin e zonës…kudo do të haseni me “mish fërliku”. Me një pjatë djathrash, ku nga më të preferuarit është ai i dhisë, rakia e dëllinjës të ofrohet për mik. Izraelitëve u pëlqen të darkojnë dhe të kundrojnë yjet me të tillë pije në dorë, si dhe u shijon përgatitja e ushqimeve pa shumë ojna. Po, po, e lexuat mirë! Izraelitët përbëjnë numrin më të lartë të turistëve të huaj që frekuentojnë relievin malor të Razmës, të përfaqësuar në trajtën e gropave, hinkave dhe shpellave karstike. “Ka rreth 100 shpella. Është një shpellë që quhet Shpella e Lujzit, në krah të saj janë Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Priftit, si dhe Shpella e Llesh Marashit. Ato kanë marrë emra njerëzish sepse secila prej tyre tregon një histori. Po të ndalemi te Shpella e Llesh Marashit, lidhet me rezistencën që vetë personi në fjalë, së bashku me banorët e zonës, i bëri vendosjes së komunizmit”-tregon Arbëri, i cili i rikthehet sërish turistëve izraelitë. “Ata nuk preferojnë thjesht Razmën.Kemi fatin e madh që kemi afër Thethin dhe Vermoshin. U pëlqen të lëvizin, shëtisin, të shijojnë kuzhinën dhe të studiojnë mikpritjen”-shprehet ai.
Teksa i ngjitemi tatëpëpjetave, hasim pikërisht me shtëpinë e rrënuar të Mbretit Zog. Si të ish e shkëputur nga ndonjë përrallë, kontraston së tepërmi me vilat e pakta dy-tre katëshe, të sapo ndërtuara aty pranë. Me arkitekturën e pashoq, fryma e së tashmes rivalizohet edhe nga shtëpiza e parardhësve të aktores Tinka Kurti. I shohim teksa shijojmë çdo dhjetë hapa ëmbëlsinë dhe thartësinë e manaferrave të freskëta.Toka nuk na i shënon hapat si gjurmë, e ka të pamundur në sajë të pishave të rëna. E megjithatë, ruan ende ndërtesën e hotelit të parë e të mirëfilltë në të. Sot, ai është i braktisur dhe me xhama të thyer. Fare pranë hotelit, vëmë re për të parën herë një grua me fytyrë të vranët, me një triko me kuadrate shumëngjyrëshe dhe një palë pantallona të gjera. Tafti i freskët i mbrëmjes ka pak që po ndjehet, ja përse e shohim me hapa të mëdha.
Jeta e kllapitjes parashikon jo në pak raste në prag dyersh praninë e dhelprave, ujqërve dhe derrave të egër. Ama, banorëve u duhet të shqetësohen edhe për mungesën e ujit. Ndonëse ka plot 8 puse, uji i pijshëm mbetet një problem serioz për fshatin e Razmës, aq sa i është kushtuar edhe festa Shen Prenja, e cila daton më 26 korrik. “Nuse të reja dhe bija, me enë të drunjta, ju drejtohen pikërisht puseve dhe mbushin ujë”-na shpjegon ritualin e përvitshëm një i moshuar i zonës, duke iu referuar mungesës së ujit të bollshëm, që mbart mbi vete elementin kryesor të festës tradicionale.
Për t’iu larguar monotonisë, stresit, ajrit të ndotur dhe fytyrave të prishura, arratisja është parë gjithnjë si një zgjidhje efikase. Dhe, ku ka më bukur se sa të arratisesh brenda një tjetër realiteti? Në tërë panoramikën e saj si fshat turistik, Razma të ofron qetësinë e moçme të maleve dhe çelësin për të rigjetur veten përmes banorëve të saj. Kur i hipëm makinës së vjetëruar, jo më kot e kthyem kokën pas. Sipas gojëdhënave, kështu do të rikthehemi sërish.