Kryeministri Edi Rama është njoftuar Live në emisionin “Zonë e Lirë” për arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi i cili akuzohet për abuzime me tendera.
Rama u pyet nga moderatori nëse ka pasur dijeni.
Ai reagoi shumë shkurt duke theksuar se vetëm tani po e dëgjon për herë të parë.
“Tani po e marr vesh”, u shpreh kryeministri Edi Rama. Kujtojmë se gjatë karrierës së tij, Gëllçi ka mbajtur disa poste pranë PS.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve, ai shërbeu si zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit të kryeministrave socialistë: i Fatos Nanos më 1997-1998, i Metës më 1999-2002 dhe sërish i Nanos më 2002 deri më 2005.
Pas largimit nga pushteti, në vitin 2005 të PS-së, Gëllçi emigroi në SHBA, nga ku u kthye në vitin 2016, për të kandiduar për pozicionin e drejtuesit të RTSH-së.
Arrestimi
Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit Ofertave janë arrestuar mbrëmjen e sotme me urdhër të SPAK-ut pas një hetimi të nisur në 2020 për një tender të zhvilluar në vitin 2018 për një fond me vlerë mbi 86 milionë lekë të reja për blerjen e pajisjeve për kanalin e “RTSH Agro”.
Tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave që u arrestuan janë; Alban Malaveci, Julian Tapia dhe Ervin Muraj.
Thoma Gëllçi më 21 maj u shkarkua nga detyra e drejtorit të RTSH-së të cilën e mori më 6 maj 2016.
Thoma Gëllçi ka punuar fillimisht si gazetar në Revistën humoristike “Hosteni” dhe më pas në gazetën “Zëri i Populli”, të cilën e drejtoi për disa vjet si kryeredaktor.
Ai është themelues i gazetës “24 orë”.
Thoma Gëllçi akuzohet për shpërdorim detyre në këtë tender, ndërsa anëtarët e vlerësimit të ofertave për shkelje të barazisë në tendra.
Pasi është njohur me kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme e ka pranuar duke firmosur urdhrin për arrestimet që janë ekzekutuar nga policia e Tiranës.
LEXO EDHE:
Abuzim me tenderat, arrestohet ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi dhe 3 të tjerë