Kryeministri Edi Rama ka reaguar në “Twitter” pas operacionit të SPAK që çoi në arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe.
Në pranga përfunduan edhe disa zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Rama deklaron se as kryetari i Bashkisë së Lushnjës, i zgjedhur i PS dhe as cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në asnjë rast nuk do ketë mbrojtje nga PS e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre.
Sipas Ramës, çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt
“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.
Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkruan Rama.
LEXO EDHE:
Jo vetëm kryebashkiaku, në pranga edhe 10 zyrtarë të Bashkisë Lushnje (EMRAT)