Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejt Alibeaj në një reagim për mediat ka hedhur akuza kundër Edi Ramës, pas arrestimit të Pajtim Agës, vëllai i shefit të Komisariatit të Dibrës. Në një deklaratë nga selia blu, Alibeaj u shpreh se arrestimi i Agës, dëshmon dëshmon përshkallëzimin e fenomenit kriminal e konfirmon se krimi, trafiku i drogës dhe liria për të vepruar e kontingjentit kriminal ka mbështetjen e shtetit, të qeverise dhe policisë.
Sipas tij ky arrestim është një provë e freskët për Prokurorinë, veçanërisht për SPAK-un, se çështjet e korrupsionit të lidhura me krimin elektoral të blerjes së votave i ka përpara syve. “Mjafton që SPAK- u të ketë vullnet për të çuar para drejtësisë që nga trafikantët e rëndomtë të drogës që kanë vjedhur zgjedhjet, si Robert dhe Pajtim Aga, deri tek porositësit e masakrës së zgjedhjeve në Dibër Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri”, përfundoi Alibeaj.
Deklarata:
Arrestimi i përsëritur për trafik droge i Pajtim Agës së dosjes 184, përveçse dëshmon përshkallëzimin e fenomenit kriminal, konfirmon se krimi, trafiku i drogës dhe liria për të vepruar e kontingjentit kriminal ka mbështetjen e shtetit, të qeverise dhe policisë. Kur krimi lidhjet me zgjedhjet, ai ka mbështetjen direkte të Edi Ramës. Pajtim Aga, i arrestuari për trafik droge është vëllai i Robert Agës, drejtorit famëkeq të policisë së Dibrës në vitin 2016, i cili del në përgjimet e publikuara nga BILD si “ushtari i bindur” i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ky është shefi i policisë që garantoi mbjelljen e Dibrës me hashash prej të vëllait, tani të arrestuar, i njëjti shef policie që terrorizoi qytetarët e Dibrës për të vjedhur votat e tyre, bashkë me Bablokun e krimit Edi Rama, Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Xhemal Qefalia, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu e të tjerë. E gjithë kjo bandë vjedhësish votash, arriti që nën përdorimin e parasë, terrorit policor dhe administratës, të vidhnin votat e dibranëve. I madh e i vogël brenda e jashtë Shqipërisë janë njohur me bëmat e kësaj bande qeveritare, nga Zëri i Amerikës, nga Bild-i gjerman e media të tjera botërore. I arrestuari recitivist për trafik droge dhe vëllai i tij shef policie në Dibër janë ekzekutues të realizimit të planit për vjedhjen e zgjedhjeve, për të cilin interesohej vetë Babloku Edi Rama.
Robert Aga ishte ai që merrte garanci nga kryeministri dhe ministri i brendshëm, që “të mos e çante kokën” për asgjë, mjaftonte që gostia e bandës qeveritare, me votat e vjedhura, të shantazhuara, të terrorizuara, të blera me paratë e drogës e kanabisit, të kënaqte babëzinë për pushtet dhe para të bandës qeveritare me në krye Bablokun. Bildi gjerman tregoi fare qartë, ne shqip, anglisht dhe gjermanisht, batërdinë me zgjedhjet e Dibrës 2016, që ishin paradhoma e zgjedhjeve të vitit 2017. Zëri i Amerikës konfirmoi terrorin mbi administratën deri në kupolën e qeverisë. Por në vend që hajdutët të ndëshkoheshin, Robert Aga u shpërblye me gradim në detyrë dhe i vëllai vazhdoi trafikun e drogës. Nuk ka provë më të qarte, e më të freskët se kjo ngjarje për t’i kujtuar kujtdo brenda vendit e deri në Bruksel, Berlin e Paris, se plani i vetëm i Edi Ramës për zgjedhjet në Shqipëri është bashkëpunimi gjithnjë e më i fortë, gjithnjë e më i qëndrueshëm, me bandat e krimit dhe bosët e trafikut. Kjo është një provë e freskët për Prokurorinë, veçanërisht për SPAK-un, se çështjet e korrupsionit të lidhura me krimin elektoral të blerjes së votave i ka përpara syve. Mjafton që SPAK- u të ketë vullnet për të çuar para drejtësisë që nga trafikantët e rëndomtë të drogës që kanë vjedhur zgjedhjet, si Robert dhe Pajtim Aga, deri tek porositësit e masakrës së zgjedhjeve në Dibër Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri.