Duke iu referuar arrestimit të dhjetëra qytetarëve që morën pjesë në protestën e së shtunës kundër tarifës së “Rrugës së Kombit”, avokati Spartak Ngjela deklaron se nëse gjykata nuk i liron, ata duhet t’i lirojë Presidenti.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Ngjela tha se Gjykata duhet t’i lirojë sepse nuk ka krim të rëndë, por nëse kjo nuk ndodh atëherë ndërhyn presidenti me falje.
“Do të keni parasysh një gjë se juridikisht ka një rregull që ligji ka karakter formal dhe jo logjik. Këta janë njerëz që kanë bërë një dëm, që do ta paguajë shteti. Kush e ka fajin? Nuk kisha bukë thotë, nuk e përballoja dot jetën. Atëherë është në nevojë ekstreme, është domosdoshmëri e nivelit juridik. Nëse ligji ka prapë karakter formal dhe nuk i lëshon gjykata, shteti ka shkelur në një gjë të paligjshme, janë përgjigjur me paligjshmëri. Do duhet t’i lirojë presidenti, me falje, nuk duhet të rrinë në burg. Se kanë shumë të sigurt nga gjykata. Kuksianëve ua kanë paguar paratë që iu kanë përmbytur qytetin”, deklaroi avokati Ngjela.
Sipas tij, meqë ligji ka karakter formal, çështja mund të shkojë tek Presidenti.
“E mira është të mos ketë vendim. Gjykata nuk duhet të vendosë masë arresti se është krimi shumë i lehtë. Por nëse gjykata nuk i liron, duhet t’i lirojë Presidenti”, deklaroi Ngjela.
Për sa i përket rolit të kryeprokurores Arta Marku në këtë çështje, Ngjela tha se ajo nuk ka çfarë të bëjë. “Nuk ka çfarë të bëjë. Ajo është si kalë, ajo është akuza. Ajo do vazhdojë të hetojë. Është tronditje shoqërore. Ajo nuk di si ta zgjidhë, ose di si ta zgjidhë, por nuk është në kohën e saj”, deklaroi Ngjela.