A pritet të ketë arrestime të tjera të nivelit të lartë në Shqipëri? Kjo është pyetja që mundon shumëkënd gjatë këtyre ditëve.
Gazetari Artan Hoxha tha se do ketë të tjera zhvillime në kuadër të hetimeve për operacionin ‘Vol-vo 4’.
“Do të ketë arrestime të tjera. Grupi i hetimit po punon për identifikimin e “Xhuxhit”. Nisur nga përmasat fizike, ka disa drejtues dhe ish-lokalë që i përmbushin kushtin për të qenë “xhuxhi”,” u shpreh Artan Hoxha në emisionin Top Talk, duke shtuar se: “Skema ka qenë shumë më e ndërlikuar se sa e njohim ne. Në vijimësi do të ketë arrestime të tjera”.
Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi mendon se politika do të turbollohet akoma më shumë, madje vitin tjetër do ketë zgjedhje të parakohshme.
“Kryetari tha zgjedhje vendore, por unë nuk jam e bindur nëse do jenë vetëm zgjedhje vendore. Kjo vjen për shkak të situatës politike që është sot në Shqipëri, për shkak të politikës, të rendit, të pasigurisë, të korrupsionit, të varfërisë, të ekonomisë që ka sot Shqipëria. Jo më larg, por para disa kohësh, ju vetë keni parë në media se si Kryetari i Bashkisë së Durrësit komunikonte për shitblerjen e votës, pra ajo që është më e domosdoshme dhe ne e kemi thënë më përpara dhe kanë qenë kryetarët apo ndërmjetësuesit të bandave apo të grupeve kriminale që merren me trafikun e drogës për të tjetërsuar votën e shqiptarëve. Në vazhdim do ketë dokumente dhe fakte të tjera me zë dhe me figurë se si drejtues të Partisë Socialiste në bashkëpunim me bandat kriminale në qytete të ndryshme, kanë tjetërsuar dhe kanë blerë votat”, tha Kryemadhi në Dibër.