Ish-shefi i Policisë në Elbasan, aktualisht polic në Lezhë, Leonard Palushi është arrestuar dje gjatë operacionit të SPAK, ku u goditën emra të njohur të botës së krimit. Ai u vu në pranga, me akuzën për “Shpërdorim detyre”.
Sipas dosjes së Prokurorisë, rezulton se Palushi dhe Erion Alibej orientuan hetimet në drejtim të gabuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit.
Ai ka deklaruar se u kontaktua nga një person i panjohur, për vendin ku mbahej arma e vrasjes së Ramazanit dhe pas deklaratës së tij 2 persona të pafajshëm u arrestuan nga policia.
“Rezulton se i hetuari Palushi në bashkëpunim me Alibej ka bërë të mundur që të orientojë hetimet në drejtim të gabuar duke synuar implikimin e personave të cilët nuk kishin asnjë lidhje me veprën penale të kryer. Edhe deklarimet e dhëna nga ana e të hetuarit Leonard Palushi janë aspak bindëse dhe në kundërshtim me tërësinë e provave të administruara deri në këtë fazë të hetimit. Deklarimet e dhëna nga shtetasi Nuredin Dumani si dhe ato të dhëna nga bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Euglent Halili krijojnë dyshimin se dhënia e informacionit është bërë qëllimisht që për këtë ngjarje të futeshin në konflikt familja Manahasa me grupin e Talo Çelës. Në këtë mënyrë si rezultat i këtyre veprimeve të kryera nga ana e Palushit ai ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke qenë në kushtet e ushtrimit të një funksioni publik duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetasve, konkretisht të shtetasve Albert dhe Seit Manahasa, të cilët rezulton se janë arrestuar gabimisht”, thuet në dosjen e Policisë.
Si ndodhi vrasja e Emiljano Ramazanit
Emiljano Ramazani, babai i katër fëmijëve u ekzekutua në korrik të 2020 me pesë plumba në makinën e tij. Viktima mësohet se po hynte në mes të dy pallateve për të parkuar mjetin e tij, ndërsa një nga autorët ka parkuar mjetin buzë rrugës dhe tjetri ka zbritur dhe me hap të shpejtë ka arritur ta qëllojë me pesë plumba viktimën në momentin që ky i fundit ishte duke parkuar. Më pas, autorët janë larguar duke djegur makinën në një zonë të pyllëzuar, në Papër. Policia gjeti në mjetin e djegur edhe dy armë të tipit kallashnikov.