Shtatë persona janë arrestuar në Pikën Kufitare të Qafë Thanës në Pogradec, në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare.
Sipas policisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në kuadër të operacionit “Dinarët” ka arrestuar në flagrancë 2 punonjës policie të Pikës Kufitare Qafë Thanë, 2 doganierë dhe 3 shtetas për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion aktiv/pasiv” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”.
“Në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare, nga informacionet e marra në rrugë operative nga AMP Korçë, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e luftës kundër krimit ekonomik dhe njësinë operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, kapën në flagrancë shtetasit J. H., B. H. dhe F. G. Shtetasit e lartpërmendur janë kapur në flagrancë ndërsa udhëtonin me mjete të ndryshme nga shërbimet në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, duke transportuar mallra ushqimorë të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar “Qafë Thanë”, duke shmangur detyrimet doganore. Në vijim të veprimeve hetimore rezultoi e provuar se shtetasit e mësipërm janë favorizuar kundrejt shumave në para nga punonjës policie në bashkëpunim me punonjës të doganës me detyrë doganier pranë kësaj pike kufitare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa më tej theksohet se janë arrestuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” katër persona.
“Për sa më sipër nga AMP në bashkëpunim me DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal, për:
– Inspektor A. H., 43 vjeç, Ndihmës/Specialist kontrollor në PKK Qafë Thanë.
– Inspektor F. M., 38 vjeç, Trupë Shërbimi në PKK Qafë Thanë.
– V. B., 53 vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë
– J. P., 45vjeç, me detyrë Doganier, pranë Degës Doganore Qafë Thanë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë që tre të tjerë janë arrestuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Po ashtu në vijim të veprimeve paraprake hetimore u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 174 dhe 244 të Kodit Penal shtetasit:
– J. H. , 37 vjeç, banues në Librazhd
– B. H., 38 vjeç, banuese në Librazhd
– F. G., 22 vjeç, banues Librazhd
Nga veprimet hetimore të kryera dhe këqyrja e pamjeve filmike është provuar se punonjësit e policisë së Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë në bashkëpunim me punonjësit e Doganës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe kundrejt shpërblimeve në para, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit”, theksohet më tej.
Po ashtu, sipas policisë, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 automjete, 9 aparate celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundraligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambientet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimorë dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.