Aktualitet

Arrestohet i ‘forti’ i Shkodrës Artan Koçeku, kërkohej për vrasje






               Publikuar në : 15:43 - 12/07/19 |
mapo.al

I “forti” i Shkodrës Artan Koçeku është arrestuar nga policia. Ai ishte në kërkim për vrasjen e mikut të tij Angjelin Shkambit, për një borxh prej 30 mijë euro. Koçeku njihej si një person me rrezikshmëri të lartë në veri të vendit.


Artan Koçeku i cili ka përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar. Gjatë kësaj kohe me datë 17.12.2017, ky person ka vrarë me armë zjarri shtetasin Angjelin Shkambit 35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër“, – thotë policia.

Njoftimi

Finalizohet me sukses operacioni i koduar “IRON HAND”

Kapet dhe ndalohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje, i cili qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole, autor i ngjarjes së ndodhur më datë 17.12.2017 ku ka mbetur i vrarë shtetasi A. Sh.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, falë informacioneve të mara në rrugë operative dhe një pune të mirëorganizuar, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “IRON HAND”, ku si rezultat është kapur dhe ndaluar shtetasi:

Artan Koçeku 29 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër.

Ky person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në momentin e kapjes nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e D.V.P Shkodër. Për këtë shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17. 12. 2017, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.

Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi Rr. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” .

Përmbledhja e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi Artan Koçeku i cili ka përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar. Gjatë kësaj kohe me datë 17.12.2017, ky person ka vrarë me armë zjarri shtetasin Angjelin Shkambit 35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër.

I njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj I Ri dhe ka mundur të largohet.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Si u vra Angjelin Shkambi

Angjelin Shkambi është qëlluar me tre plumba në kokë brenda në automjetin e tij tip “Mercedes Benz” me targa AA 275 BF, teksa po dilte nga varrezat e fshatit.

Ngjarja ka ndodhur pranë një zone banimi, pranë një dyqani lulesh, por askush nuk ka dëgjuar të shtëna. Mendohet se vrasja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit ose autori ka përdorur silenciator.

Angjelin Shkambi

Motivi i vrasjes 

Angjelin Shkambi është ekzekutuar nga miku i tij Artan Koçeku, i cili sipas prokurorisë së Shkodrës i kishte dhënë disa vite më parë, 30 mijë euro borxh Shkambit. Viktima dhe autori i krimit njiheshin së bashku dhe se kanë pasur në disa raste marrëdhënie huaje financiare me njëri-tjetrin. Por ajo që e rëndon akoma dhe më tepër situatën është se autori i krimit Koçeku, kishte përfituar 7 ditë lejë nga burgu i Peqinit.

Koçeku duhet të paraqitej patjetër nnë ambientet e burgut, por ai ka ekzekutuar me armë zjarri ish-shokun e tij Angjelin Shkambi. Pas kryerjes së krimit brenda në makinën e Shkambit, autori i krimit është larguar në drejtim të paditur dhe sot është arrestuar.

Prokuroria thotë se sherri mund të ketë agravuar në kohë, duke sjellë që Koçeku, të marrë leje nga burgu, me synimin e vetëm për të ekzekutuar ish-shokun e tij Shkambi.

Kush është Artan Koçeku?

Artan Koçeku rezulton i dënuar me 8 vite burg për akuzën e “Grabitjes me armë” të disa pikave të karburantit në Shkodër.

28-vjeçari me precedentë të theksuar kriminalë, u arrestua në vitin 2013 si pjesë e një grupit të përbërë prej 4 personash të cilët grabisnin me armë pika karburantesh. Në atë kohë policia numëroi 8 pika të grabitura në lagje të ndryshme të qytetit verilindor.

Së bashku me të arrestuarit e tjerë Pashko Qarri, e dy vëllezërit Mikel e Marjan Thani janë dhe autorë të vendosjes së eksplozivit në automjetin në pronësi të efektivit të policisë P.Vuksani në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër në shkurt të vitit 2013.

E shkuara kriminale e Koçekut nuk përfundon me kaq. Së bashku me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim në atë kohë (Fred Shkembi dhe Tom Gjergji) ata ishin autorë të vjedhjes së 12 dyqaneve po në Shkodër.

Artan Koçeku


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas