Policia e Lezhës ka vënë në pranga shtetasin Edmond Përdodën, që sipas bluve është me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
39-vjeçari u arrestua në banesën e tij, gjatë një operacion të koduar “Lalm i Ri”, zhvilluar nga strukturat e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.
Sipas policisë, ai ishte i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Vrasja”, dhe në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
“Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A. P. (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.