Policia e Elbasanit ka arrestuar një 50-vjeccar, të cilësuar si ‘killer’ nga drejtësia italiane. Shqiptari kishte vrarë dy persona në Itali në vitin 1998-të, në Bergamo dhe më pas ishte arratisur për në Shqipëri, ku fshihej prej 20 vitesh. Policia bën me dije se ka arrestuar S. T., (alias V.D.,) 50 vjeç, pasi Gjykata e Bergamos në Itali, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
NJOFTIMI
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana, pas një pune të mirëorganizuar dhe profesionale, në bazë të informacioneve të marra, bënë kapjen dhe arrestimin e përkohëshëm me qëllim ekstradimin drejt Italisë të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
S. T., (alias V.D.,) 50 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Bergamos në Itali, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
Rrethanat e ngjarjes:
Më datë 10.10.1998, në Osio Sotto/Beragamo, shtetasi S. T., (alias V. D.), në bashkëpunim me shtetasin P. D., kanë qëlluar me armë zjarri automatikë në drejtim të shtetasve F. K. dhe A. K., të cilët kanë humbur jetën.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprime të mëtejshme.