Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, është arrestuar nga policia. Ndaj tij është vendosur masa e sigurisë arrest në burg 30 ditë nga gjykata.
Ai akuzohet nga prokuroria për shpërdorim detyre. Së bashku me dy persona të tjerë me shtetësi kroate, në periudhën prill 2021 – janar 2022, ka nënshkruar marrëveshje për shërbime konsulente me person juridik në të cilën i kanë ndihmuar me paramendim dy shtetasit kroatë.
“Me propozimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të dyshuar për kryerjen e veprës penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, gjyqtari i procedurës paraprake pas prokurorit kompetent dhe të dyshuarit në prani të mbrojtësit të tij në lidhje me propozimin, duke vlerësuar të gjitha faktet që i bashkëngjiten propozimit, ka marrë vendim me të cilin pranohet propozimi dhe i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit për shkak të ekzistimit të shkaqeve nga neni 165, paragrafi 1, 1,2 dhe 3 të LPK”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Shkupit.