Në qoftë se ushtron zanatin e fermerit dhe ke më shumë se 2 dynym tokë, mund të përfitosh nga programi i qeverisë përmes fondit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2012. Ky program parashikon të ndihmojë familjet shqiptare që jetojnë në zona rurale dhe merren me bujqësi, blegtori dhe pemëtari. Qeveria vendosi dje në mbledhjen e radhës të gjitha kriteret bazë, sektorët që do të mbështeten dhe masën e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2012. Gjithashtu shumë shpejt do të punohet për sistemin dixhital dhe financiar të sektorit bujqësor.
Duke iu referuar vendimit, fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2012 për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, zëri “Transfertë në buxhetet familjare”, do të përdoren për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit. Kurse fondet e transfertës së pakushtëzuar do të përdoren për pemëtari. Sektorët që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të jenë: prodhimi i frutave, arroreve e shegëve, ullinjve dhe rrushit; prodhimi i perimeve në sera; prodhimi i qumështit, vajit të ullirit dhe mjaltit; prodhimi i produkteve organike; nxitja e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë; mbarështimi i njëthundrakëve; mbarështimi i kërmillit; prodhimi i bimëve medicinale.
Qeveria ka menduar të mbështesë aktivitetet e sipërpërmendura me anë të programit në masën: për mbjelljen e ullinjve, 250 000 lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe 180 000 lekë/ha për format tradicionale. Për mbjellje arrash, 250 000 lekë/ha për mbjelljet me fidanë të shartuar për qarqet Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin Librazhd, si dhe 180 000 lekë/ha për mbjelljet me fidanë të pashartuar në të gjithë vendin. Për mbjellje të ngadaltë lajthish, bajamesh dhe shegësh, 180 000 lekë/ha etj.
Gjithashtu, vendimi parashikon se projektet e shpallura fituese gjatë vitit 2011 për mbjelljen e arrorëve, shegëve e ullinjve dhe që plotësojnë kushtet për pagesë do të financohen nga fondet e planifikuara të vitit 2012. Në të njëjtën kohë, vendimi parashikon që 70 000 000 lekë do të përdoren për bashkëfinancimin me projektin e IPA-s 2011, “Bujqësia dhe zhvillimi rural”. Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë ka theksuar se do të ndërtohet sistemi më modern i vaditjes, si një ndër projektet madhore në të ardhmen për këtë sektor dhe mbështetja e nxitja e industrisë së përpunimit. Qeveria shqiptare pas infrastrukturës rrugore ka shpallur si prioritet të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit bujqësinë, si një sektor prodhimi shumë i rëndësishëm i krijimit të pasurisë, rritjes së të ardhurave, përmirësimit të bilancit tregtar, por mbi të gjitha, të mëkëmbjes së atyre që zotërojnë tokën në këtë vend.
Masa që do të përfitohet
1. Mbjellje ullishtash, 250 000 lekë/ha.
2. Mbjellje arrash, 250 000 lekë/ha për qarqet Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin Librazhd. 180 000 lekë/ha për mbjelljet me fidanë të pashartuar në të gjithë vendin.
3. Mbjellje lajthish, bajamesh dhe shegësh, 180,000 lekë/ha.
4. Mbjellje lajthish, bajamesh dhe shegësh, 200 000 leke/ha.
5. Mbjellje mollësh, dardhësh, kumbullash, qershish, pjeshkash dhe ftonjsh, 200 000 lekë/ha.
6. Agrume, kivi dhe luleshtrydhe, 200 000 lekë/ha,
7. Mbjelljen e vreshtave, në masën 250 000 lekë/ha.
8. Ujitjen me pika në arroret, lajthitë, bajamet e shegët, 250 000 lekë/ha.
9. Prodhimin i vajit të ullirit ekstra i virgjër, 100 lekë/litër për sasitë deri në 15 tonë/vit.
10. Prodhimin e produkteve organike bujqësore nga bimët e kultivuara në masën 70 000 lekë/fermë.
11. Blerjen/zëvendësimin e plastmasit për serrat me ngrohje diellore dhe teknike, në shkallë vendi në masën 200 000 lekë/ha për serrat ekzistuese.
12. Blerjen e plastmasit për prodhimin e bostanoreve në serra tunele në masën 150 000 lekë/ha, për fermerët që mbjellin jo më pak se 5 dynymë shalqi.
13. Pagesën me 10 lekë/litër qumësht, për numër lopësh jo më pak se 10 krerë, por jo shumë se 80 krerë.
14. 5000 lekë/krerë, për fermat blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 10 krerë njëthundrakë, por jo më shumë se 30 krerë;
15. Pagesën me 500 lekë/krerë dele ose dhi të matrikuluara për fermerët, të cilët mbarështojnë jo më pak se 100 krerë.
16. Pagesën me 600 (gjashtëqind) lekë/koshere blete, për fermerët me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) koshere blete.
17. Pagesën me 20 000 (njëzet mijë) lekë për kokë mëshqerre racë e pastër, të moshës mbi 15 muaj.
18. Mbështetjen, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 5 vite radhazi për kreditë deri në 25 milionë lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:
a) Ruajtja dhe përpunimi i produkteve bujqësore, blegtorale, kërpudhës dhe bimëve medicinale.
b) Mjete mekanike bujqësore, agregate dhe tank ftohës për qumështin.
c) Peshkimi dhe përpunimi i produkteve ujore.
19. Grumbullimin e gështenjës dhe shegës, 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/kv. Pagesa të bëhet vetëm kundrejt sasive të gështenjave të shitura me faturë tatimore.
20. Mbarështimin intensiv të kërmillit, 50% e vlerës së rasatit për ha, por jo më shumë se 500 (pesëqind) mijë lekë/ha.
21. Mbjelljen e bimëve medicinale 200 000 lekë/ha.