Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla prezanton masat e marra për vitin 2014 për Arsimin e Lartë
Arsimi i Lartë në Shqipëri bëhet gati për një testim të dytë, atë të cilësisë, pas testimit të ligjshmërisë në verë të këtij të fundit, që nxori shumë probleme dhe rezultoi me mbylljen e disa IAL-ve publike dhe private. Për herë të parë, universitetet shtetërore do t’i nënshtrohen testimit të cilësisë me anë të akreditimit nga një agjenci ndërkombëtare, testim që do të përfshijë dhe universitetet private, të cilat e kanë një “certifikatë” akreditimi nga agjencitë shtetërore. Ministria e Arsimit dhe Sporteve zhvilloi dje analizën e saj vjetore, ku prezantoi dhe masat që ka ndërmarrë në arsimin e lartë për vitin 2014, masa që sipas kësaj ministrie kanë sjellë reforma të dobishme dhe kanë evidentuar problemet. Ministrja Lindita Nikolla sqaroi dhe dy nga pikat më të nxehta të debatit publik dhe politik për këtë reformë; ajo e rritjes së tarifave dhe e uljes së kuotave të regjistrimeve.
Rritja e tarifave, sipas ministrisë, bëhet për të krijuar një autonomi financiare të universiteteve, ndërkohë që shteti ka menduar për shtresat në nevojë duke financuar me bursa studentët e kësaj kategorie. Gjithashtu ka një fond të veçantë në qindra milionë lekë për financimin e studentëve të ekselencës. Por kreu i këtij dikasteri vuri theksin tek beteja për cilësinë që prek sot arsimin e lartë në vend, duke theksuar se janë mbyllur ndërkohë programe të cilat kanë pasur 10 kërkesa, apo kanë pasur kandidatë me mesatare shumë të ulët, rreth 5.5.
Pse u rritën tarifat
“Rritja e tarifës është e bazuar në kërkesën e IAL-ve dhe është në respekt të autonomisë së tyre, por nuk duhen harruar se janë 8 655 studentë që vijnë nga shtresa në nevojë dhe janë 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit që shkojnë për arsimin e këtyre grupeve, si dhe 6000 studentë me një buxhet prej 410 milionë lekësh, i cili mundëson bursat e ekselencës”, – tha ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla dje, gjatë analizës së këtij dikasteri. Ndërkohë qeveria është përballur me një peticion nga ana e studentëve në lidhje me këto tarifa, duke kërkuar anulimin e pagesës prej 30% të tarifës që në fillim të vitit akademik. Ministrja deklaroi se bëhet fjalë për një pagesë prej 7990 lekësh për studimet Bachelor dhe 18 738 lekë për Masterin Profesional e 25 000 lekë për Masterin Shkencor. “Kjo pagesë bën të mundur përdorimin e këtyre fondeve që në fillim të vitit nga IAL-të, për t’u dalë përpara gjithë situatave të procesit të mësimdhënies dhe për të bërë në kohën e duhur gjithë ndërhyrjet që garantojnë cilësinë e mësimdhënies në auditorë”, – tha Nikolla.
Tarifat ndërkohë janë rritur për studimet Master. Sipas raportit të prezantuar nga ministria, mësohet se “vitin e kaluar ka qenë 14 353 lekë, është bërë 44 995 lekë dhe këtë vit, nga 20 000 lekë ka shkuar në 45 000 lekë, me një rritje mesatare prej 6285 lekësh, vetëm 17 lekë në ditë”.
Debati për kuotat
Ministrja Lindita Nikolla deklaroi se kjo analizë tregon se ndërhyrjet në kuota dhe tarifa jo vetëm kanë qenë të konsultuara, por kanë qenë edhe ndërhyrje efikase që kanë përmirësuar ndër të tjera edhe raportin pedagog-student. Ekspertët më të mirë të çështjeve ligjore dhe të arsimit të lartë po punojnë për të draftuar ligjin e ri të arsimit të lartë, pas raportit që prezantoi Komisioni. “Po me aq përgjegjësi ju garantoj se ajo që po ndodh në realitet në Institucionet e Arsimit të Lartë, është rruga e duhur që Ligji i ri i Arsimit të Lartë të gjejë shtratin e nevojshëm për të pasur sukses. Një ligj i mirë do të ketë rezultatet e veta, me IAL që u kthyen në shinat e ligjshmërisë, me ato IAL që do të vijojnë pas procesit të akreditimit nga agjencia britanike, me të cilën së shpejti firmoset fillimi i punës. Gjithashtu ligji do të ketë sukses me kuotat dhe tarifat e studiuara mirë, me një këshill të ri akreditimi etj”, – tha Nikolla.
Gjatë prezantimit të analizës, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku iu referua kuotave dhe tarifave të studimit në IAL publike, për vitin akademik 2014-2015. Sipas tij, “në vitin 2013 u akorduan 29 390 kuota, ndërkohë që u regjistruan vetëm 23 689 studentë. Ka pasur 5701 kuota më shumë se kërkesa. Kurse në vitin 2014 janë miratuar 19 196 kuota nga 22 000 që kanë kërkuar universitetet publike. Pra vetëm 2800 më pak se kërkesa”. Sipas llogaritjeve të ministrisë, 69% e maturantëve do të studiojnë këtë vit në IAL publike, ndërkohë që pjesa tjetër do të studiojnë jashtë vendit apo në IAL private.
Ministria ka mbyllur dhjetëra programe të cilat nuk kanë pasur kërkesa, ose kanë pasur kandidatë me mesatare shumë të ulët. Kështu ministria bën të ditur se kuotat nuk janë miratuar për programe që kanë pasur më pak se 10 studentë, apo programe që kanë pasur mesatare të të gjithë studentëve më të ulët se nota 5.5.
Kuotat e pranimeve janë rritur në Nivelin e Dytë të Studimeve, siç njihen ndryshe studimet Master. “Për studimet Master, në vitin 2013 u regjistruan në MP – 5.559 studentë dhe në MSH – 5.890 studentë, ndërsa në 2014-ën u miratuan në total, MP – 5.823 kuota (+264) dhe MSH – 6.087 kuota (+197) “, thuhet në raportin e kësaj ministrie.
Të pranishëm në analizën e Arsimit të Lartë ishin rektorët e universiteteve publike, dekanë, profesorë, studentë etj., të cilët MAS i ka përfshirë gjithnjë në çdo nismë e reformë që ka ndërmarrë.