Një analizë e problemeve me të cilat përballet arsimi parauniversitar dhe përgjigjeve që priteshin nga Ministria e Arsimit
Nga Mirela Karabina*
Arsimi parauniversitar po përballet me një tjetër vit të vështirë shkollor. Bilanci tronditës i vitit të kaluar me mbylljen e më shumë se 150 shkollave, tashmë një fenomen, ka sjellë tronditje në sistem. Nga Ministria e Arsimi na ofrohet një tablo jo e qartë reflektimi, angazhimi dhe veprimi për një shërbim normal mësimor për fëmijët dhe nxënësit. Kështu, Arsimi Parauniversitar (nga mosha 3 vjeç-18 vjeç) i cili luan rol primar në formimin fizik, social, intelektual të fëmijëve dhe nxënësve duket se sërish është në “kurthin” e politikave qeverisëse, duke ia humbur orientimin dhe funksionin e duke ia deformuar modelin e edukimit.
Po cila ishte platforma vepruese e parashtruar nga Ministria përgjegjëse për Arsimin në këtë fillim viti?
Mbyllja e qindra shkollave nuk ishte pjesë e platformës së saj dhe paraqitej nga ministria si një situatë që ka ndodhur, po ndodh dhe do të ndodhë. Dhe, bazuar në vlerësimin e saj të këtij fenomeni, ajo nuk kishte shpenzuar nga buxheti për restaurimin e shkollave në zona të largëta pasi: e para, kishin numër të vogël nxënësish dhe nuk kishte vlerë dhe; e dyta, gradualisht ato shkolla ishin drejt mbylljes për arsye të emigrimit dhe migrimit të popullsisë në mungesë të shërbimeve të ofruara. Ndërsa, gjendja e shkollave të tjera paraqitej e mirë, të gatshme për të pritur nxënësit.
Çoroditjen e sistemit si rezultat i rënies së numrit të nxënësve dhe mbylljes së shkollave apo klasave kolektive dhe daljen jashtë tij të një sërë mësuesish për ministrinë kishte një zgjidhje, por në të ardhmen. Kështu, këta mësues do të rifuteshin sërish në sistem nëpërmjet rifutjes në garë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, i cili pritej të rihapej gjatë vitit. Dhe, për një pjesë të tyre, pavarësisht formimit do të hapeshin kurse trajnimi për t’i rikthyer në sistem si mësues ndihmës, apo dhe si psikologë, punonjës socialë dhe punonjës sigurie. Por, të gjitha këto do të realizoheshin pa një rritje buxheti për arsimin dhe në një kohë të pacaktuar.
Mësuesit e rinj të sapo diplomuar dhe mësuesit me eksperiencë të mbetur pa punë do të hynin në garë për vendin e punës me të njëjtat kushte, pavarësisht viteve disavjeçare në profesion. Dhe diferencimi do të bëhej vetëm për mësuesit e kualifikuar në vite.
Problem i teksteve shkollore paraqitej normal, pavarësisht se një pjesë e prindërve nuk pranonin librat falas të përdorur dhe kishin ankesa për çmimin e lartë. Mungesa e disa teksteve ishte faji i shtëpive botuese, sipas ministrisë. Por, e mira ishte që tashmë të gjitha nivelet e shkollimit ishin pajisur me tekste sipas kurrikulës së re.
Dhe, ajo që cilësohej si risi e këtij viti do të ishte krijimi i Parlamentit të nxënësve me 140 vetë që do të ndihmonte ministrinë që të informohej rreth problematikave të shkollës. Pra, kjo ishte ajo çfarë Ministria ofroi duke folur për një të ardhme të papërcaktuar.
Por, Ministria përgjegjëse për Arsimin ka detyrimin moral dhe institucional, jo konstatimin, por të tregonte në kohë të tashme zgjidhjet, dhe se çfarë ishte bërë:
-Për rritjen e buxhetit për arsimin i cili u premtua në vitin 2013 nga kjo qeveri që do të shkonte në 5% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto),dhe jo vetëm që ka mbetur në kuotat 3% por ka pasur dhe rënie në vite në 2.49%. Dhe, krahasuar me vendet e rajonit dhe OECD-së jemi vendi që shpenzojmë më pak për arsimin.
-Për krijimin e kushteve normale mësimi për nxënësit në zona të largëta, në mënyrë që të mos i detyrojë familjet shqiptare dhunshëm të marrin rrugët brenda dhe jashtë vendit për një arsimim të mirë të fëmijëve të tyre. Shifrat alarmante të INSTAT se, krahasuar me vitin 1992 numri i shkollave ka rënë me gati 60%, nga 2200 shkolla sot janë afërsisht 1000 të tilla; numri i nxënësve ka rënë në 38%, 260 mijë nxënës më pak janë ulur këtë vit në bankat e shkollës janë këmbanë alarmi. Nga 2010-ta, çdo vit largohen 10-13 mijë fëmijë dhe nxënës, ndërsa këtë vit janë rreth 17 mijë. Nga të dhëna të Ministrisë së Arsimit në harkun e tetë viteve numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar është reduktuar në 27%.
-Për mësuesit të dalë nga sistemi për arsye të numrit të nxënësve dhe mbylljes së klasave kolektive kur do t’i nënshtrohen sërish garës apo trajnimeve të thëna, pasi viti ka filluar dhe janë në pritje të punësimit? Sipas INSTAT, krahasuar me vitin 1991 ku numëroheshin 43 mijë e700 mësues, numri i tyre është sot 31 mijë, pra me rënie 23% më pak.
-Për uljen e numrit të nxënësve për klasë në shkolla të Tiranës dhe të rretheve ku lëvizja e pakontrolluar e popullsisë nga zonat rurale në ato urale ka thelluar çdo vit këtë fenomen. Pra, a po kontrollohet ky fenomen, a janë ndërtuar kopshte e shkolla të reja? Nëse jo, pse?
-Për përmirësimi e teksteve në cilësi dhe vlerë të tyre, pasi janë konstatuar probleme serioze. Tekstet e përkthyera paraqesin probleme më vete, jo vetëm në kontekstin jo shqiptar të pasqyruar, por dhe mospërputhje moshore. Ndërkohë programet tona i janë përshtatur teksteve të përkthyera duke sjellë jonormalitet në atë çfarë kurrikula kishte parashikuar.
-Për sigurimin e mjeteve të domosdoshme mësimore, të laboratorëve dhe bibliotekave të cilat mungojnë në shkolla ose nuk janë funksionalë dhe kanë nevojë për mjete të reja.
-Për edukimin digjital si domosdoshmëri e kohës për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të tregut në njohuri dhe aftësi në teknologji. Ministria e Arsimit në programin e zhvillimit 2020-2022 synon që të sigurohet një kompjuter për çdo dy nxënës në shkollë, ndërkohë mungojnë laboratorë të tillë, dhe kur janë kompjuterat nuk punojnë dhe kanë kosto në mirëmbajtje. Projekti i klasave digjitale ka dështuar, pra një klasë digjitale për 1000-1500 nxënës dhe nxënësit nuk u pajisën dot me tablet për zhvillimin e mësimit një premtim i pambajtur i vitit 2013. Ndërkohë rreth 4.8% e shkollave kishin internet në 2018, konstatuar kjo nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, krahasuar me Malin e Zi që ishte 100% dhe Serbinë 99.2 %.
-Për procesin e restaurimit të shkollave pikërisht me fillimin të vitit shkollor, duke krijuar një anomali të madhe, “kacafytje” shkollash e nxënësish të niveleve të ndryshme, duke sjellë ulje të kohës mësimore, rënie të cilësisë dhe ulje të sigurisë. Pse ky restaurim nuk ka ndodhur në muajt e gjatë të Verës? A është siguruar ngrohja në këtë vit shkollor?
Pra, ky është realiteti i trishtë në Arsimin Parauniversitar, këto ishin probleme që kërkonin një strategji kombëtare emergjente zgjidhjeje për mbarëvajtje normale të mësimit dhe edukimit, probleme të thelluara për të cilat është përgjegjëse Qeveria dhe Ministria e Arsimit.
Por, në vend të zgjidhjes morëm demagogjinë, në vend të organizimit morëm paqartësinë dhe amullinë dhe në vend të zhvillimit morëm arrogancën.
I futur në “çarkun” qeverisës, Arsimi Parauniveristar është i destinuar që edhe këtë vit të përballet me pasigurinë e frikshme dhe çorganizimin e organizuar.
Dhe pasoja, formim dhe edukim i gjymtuar e i deformuar i nxënësve.
Dhe kjo, falë reformave të kësaj Qeverie.
* Pedagoge dhe ish-ministre e Arsimit në qeverinë teknike 2017