Intervista/ Diplomati Arben Cici sjell librin “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, botim i UET-Press
Aleanca me Italianë pas ardhjes në pushtet ishte një nga vendimet më të mira që mund të merrte në ato kushte Mbreti Zog, por gjithsesi ai nuk ishte vizionar për të parë problemet që do t’i shfaqte në plan afatgjatë aleanca me Italinë fashiste. Arben Cici, diplomat karriere, sjell për lexuesin një libër tepër interesant, ku analizon pikërisht këtë periudhë në marrëdhëniet italo-shqiptare duke sjellë dëshmi dhe dokumente të kohës për ta ilustruar librin “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, botim i UET-Press.
“Situata politike dhe ekonomike e Shqipërisë në vitet e qeverisjes së Zogut ishte shumë e vështirë dhe zgjidhja mes mundësive për një garanci dhe partneritet në politikën e jashtme ishte më e mira që Zogu bëri kur hodhi sytë dhe vëmendjen drejt Italisë. Instinkti i tij prej politikani shqiptar për të kapërcyer situata të momentit ia lehtësoi përkohësisht situatën e tij të brendshme politike, por jo të ardhmen e tij në planin afatgjatë”, – thotë ndër të tjera ai për MAPO-n.
Pse një libër për marrëdhëniet shqiptaro- italiane, dhe pse zgjodhët periudhën e viteve 1920-1934?
Shqipëria dhe Italia janë dy vende, nuk gaboj nëse pohoj se shqiptarët dhe italianët janë dy popuj me histori marrëdhëniesh aq të lashtë sa vetë ekzistenca e tyre. Natyrshëm historia e marrëdhënieve të tyre është jashtëzakonisht e pasur dhe e larmishme. Është folur e shkruar shumë për këto marrëdhënie, por asnjëherë mjaftueshëm e shterueshëm. Jo vetëm burimet arkivore shqiptare e italiane por edhe arkivat e vendeve fqinje e ato të Austrisë, Francës, Britanisë e ShBA-së e të vendeve të tjera larg nesh, ofrojnë mundësi për të hedhur thellësisht dritë në historinë e marrëdhënieve, antike apo bashkëkohore, shqiptaro-italiane. Periudha e zgjedhur në librin tim është një gjetje që i shërben qëllimit të tij: Analiza e raporteve mes dy shteteve për një periudhë të caktuar historiko-politike me fillimet dhe mbarimet e saj.
Vitet ‘20 përkojnë me formëzimin institucional të shtetit shqiptar në planin e brendshëm dhe veprimit të tij, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në planin e jashtëm dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vitet ‘20 përkojnë, në planin europian, me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, nën një status specifik të njohur, të Italisë në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe në planin dypalësh përkojnë me përpjekjen e parë të qeverisë shqiptare për të normalizuar marrëdhëniet me qeverinë e Romës në anën tjetër të Adriatikut.
Periudha e zgjedhur është jo vetëm shumë e larmishme në planin e raporteve dypalëshe, por edhe dëshmitare e ndryshimeve radikale në qeverisjet e të dyja vendeve, ndryshime të cilat ndikuan jo vetëm në planin e brendshëm dhe në atë të marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë dhe Italisë, por edhe për fatet e mëtejshme të historisë së Ballkanit dhe Evropës.
Në Itali, pushtetin e rrëmbeu Musolini dhe Partia Fashiste; në Shqipëri, Zogu bëhet Kryeministër, President e më pas Mbret i shqiptarëve, duke u lidhur gjithnjë e më shumë me Italinë dhe politikat e qëllimin e saj shtrirës drejt Shqipërisë dhe Ballkanit. Studimi përfundon me vitet ’34, duke i konsideruar ato si përfundimin e periudhës së përpjekjeve dhe dobësimin përfundimtar të rezistencës së qeverisë shqiptare përballë presionit dominues në rritje të Italisë fashiste. Në këto vite u dukën shenjat e para të nënshtrimit gradual të bindjes të pakushtëzuar të qeverisë shqiptare ndaj Romës, duke mbyllur një nga kapitujt më interesantë të marrëdhënieve italo-shqiptare të asaj kohe.
Në atë kohë kur tentativat e shtetformimit shqiptar ishin akoma në fillim, si ishte marrëdhënia me vendet fqinje? A kishte, ashtu siç besohet, tentativa për ta “sunduar” Shqipërinë politikisht dhe ekonomikisht?
Politikanët shqiptarë të asaj kohe u përpoqën që të normalizonin marrëdhëniet me vendet fqinje, duke e menduar këtë si një opsion për të dobësuar përpjekjet dhe qëllimet e këtyre vendeve, të fshehta ose të hapura. Fqinjët e Shqipërisë synonin të pengonin shtetformimin shqiptar e në rastin më të keq përpiqeshin ta tkurrnin atë gjeografikisht në kufijtë maksimalë.
Zhvillimet e Konferencës së Paqes së Parisit (përfundoi më 10 prill 1920), ku delegacioni shqiptar nuk u pranua të marrë pjesë dhe diskutimet në lidhje me çështjen shqiptare dëshmojnë për situatën kritike të ekzistencës së një Shqipërie të pavarur dhe për synimet copëtuese të vendeve fqinje ndaj saj. Një Shqipëri e pavarur konsiderohej një “qenie politike e padëshirueshme” dhe copëtimi i saj duhej bërë mes Italisë, Greqisë e Jugosllavisë, duke ruajtur Shqipërinë e Mesme me një pavarësi nominale e nën kujdesin e një Fuqie të Madhe ishte pikëpamja e kancelarive të Fuqive të Mëdha gjatë diskutimeve në Konferencën e Paqes së Parisit.
Nga ana tjetër, vetë Italia, Jugosllavia dhe Greqia, e Anglia e Franca si mbështetëse të tyre, nëpërmjet traktateve të fshehta kishin bërë planet për copëtimin dhe ndarjen e Shqipërisë mes tyre. Traktati i Fshehtë i Londrës (26 prill 1915), Traktati Venizellos-Titani (29 korrik 1919) pasqyrojnë përpjekjet e fshehta të tyre kundër krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Në terrenin shqiptar, një vështirësi e madhe për t’u kapërcyer ishte edhe përplasja e klaneve politike të brendshme shqiptare për preferencat e tyre përzgjedhëse ndaj shtetit me të cilin ata mendonin të lidhnin Shqipërinë. Italia, Jugosllavia dhe Greqia, individualisht, nxisnin dhe mbështesnin me mënyra të ndryshme idhtarët e tyre në këtë lojë të rrezikshme.
Si iu është përgjigjur shteti shqiptar këtyre tentativave? Pse sipas jush, Zogu vendosi të bëhej “vasal’ i Italisë?
Një fakt i rëndësishëm është se gjatë debatit për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, doli mjaftueshëm në dritë parimi ekonomik. Anglia u bë mbështetëse e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në këmbim të së drejtës së saj ekskluzive për shoqërinë vajgurore anglo-persiane “Oil Company” në shfrytëzimin e burimeve të vajgurit që prej vitit 1925. Kompromisi i pranuar nga qeveria shqiptare, jo vetëm i siguroi asaj avokatin e fuqishëm në Lidhjen e Kombeve, por bëri që menjëherë të mbërrinte në Shqipëri diplomati anglez Eyres, në cilësinë e kryekonsullit.
Kur më vonë fillon depërtimi serioz i kapitalit italian në Shqipëri, një pengesë e madhe do të bëhet pikërisht prezenca e interesave dhe kapitalit anglez aty.
Zogu bëri zgjidhjen e tij politike drejt fqinjit të Adriatikut, duke gjykuar se Italia dhe regjimi i Romës do të mund të përmbushte ambiciet e tij politike dhe do të garantonte regjimin që ai mendonte të ndërtonte në Shqipëri gjatë sundimit të tij. Në manovrimet e tij me Italinë, ai kërkoi të sigurojë njohjen e plotë të autoritetit të tij të brendshëm politik nga ana e saj e për këtë ishte i gatshëm të bënte lëshime.
Duke njohur synimet e Italisë, ai dëshironte të përfitonte sa më shumë prej saj duke u kthyer në një “vasalitet përfitues”. Me kalimin e kohës ai forcoi bindjen për zgjedhjen e në të njëjtën kohë pranoi peshën dhe koston e rëndë të kësaj zgjidhjeje dhe pamundësinë për t’u kthyer mbrapa ose për të gjetur liri të tjera vepruese në politikën e jashtme.
Ai e përdori Jugosllavinë dhe ndihmën e saj vetëm për të ardhur në pushtet, duke rrëzuar Fan Nolin në qershor të vitit 1924. I ndërgjegjshëm se ai konsiderohej prej Musolinit si njeri i Jugosllavisë, Zogu i ofroi Kryeministrit italian prova se do të preferonte Italinë në rivalitetin e shfaqur italo-jugosllav mbi çështjen shqiptare. Zogu mbështeti hapur interesat e Romës, sidomos ekonomike e më tej politike e ushtarake, duke i konsideruar ato jo vetëm si të dobishme, por edhe të domosdoshme për zhvillimin e Shqipërisë dhe forcimin e ekonomisë së saj.
Kthesa politike e Zogut drejt lidhjeve më të ngushta me Italinë nuk erdhi vetëm si rezultat i presionit të Romës ndaj Zogut, por ajo u nxit direkt ose indirekt edhe nga politika jorealiste jugosllave ndaj Shqipërisë, politikë e cila ishte destinuar të dështonte, si në raportet me Shqipërinë e Italinë, ashtu edhe në rrafshin ballkanik.
Një nga pjesët interesante të librit janë kujtimet e ministrit fuqiplotë të Italisë, që udhëhoqi negociatat dhe marrëveshjet e Zogut me Musolinin, Pompeo Aloisi. Sa të rëndësishme janë këto kujtime për rindërtimin e ngjarjeve nga ana juaj?
Ashtu siç e përmenda më lart, mund të gjendet dokumentacion arkivor për marrëdhëniet shqiptaro-italiane në një numër të konsiderueshëm burimesh arkivore. Studimi im do të ishte i njëanshëm, subjektiv dhe jorealist nëse do të isha mbështetur vetëm në burime arkivore shqiptare ose vetëm italiane. Në studimin tim janë pasqyruar kërkimet dhe gjetjet e mia në burime arkivore shqiptare, në shumë burime arkivore të huaja (italiane, franceze, britanike, amerikane, ruse, jugosllave etj) në kujtime, burime të shtypit të kohës dhe në literaturë të pasur historiografike shqiptare dhe të huaj.
Kuptueshëm, gjatë studimit dhe analizës së ngjarjeve dhe fenomeneve, një rëndësi të veçantë zënë kujtimet e dëshmitarëve të gjallë të atyre ngjarjeve sidomos kur ata janë aktorë dhe faktorë përcaktues të tyre.
Kujtimet e Aloisit zënë një vend të veçantë, jo vetëm nëpërmjet telegrameve zyrtare që ai i dërgon Romës, por sidomos në përshkrimet që ai i bën Zogut, karakterit të tij dhe shpurës së njerëzve që i qëndronin afër dhe sjelljeve e qëllimeve të tyre. Aloisi është arkitekti dhe negociatori i Paktit të Parë të Tiranës të vitit 1926, një nga dokumentet më të rëndësishme të kohës në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ju jeni një diplomat dhe si i tillë, sot mund të na jepni një analizë të shkurtër se cilat ishin gabimet e Zogut në politikën e jashtme? Pse ra ai në këto gabime dhe çfarë duhet të bënte më mirë?
Zogu mbetet një nga figurat politike më të rëndësishme dhe më afatgjata në historinë e shtetit shqiptar. Shumë i ri ai ishte ministër i Brendshëm, Kryeministër, President dhe Mbret i shqiptarëve në moshën 33- vjeçare, në vitin 1928. Situata politike dhe ekonomike e Shqipërisë në vitet e qeverisjes së Zogut ishte shumë e vështirë dhe zgjidhja mes mundësive për një garanci dhe partneritet në politikën e jashtme ishte më e mira që Zogu bëri kur hodhi sytë dhe vëmendjen drejt Italisë. Instinkti i tij prej politikani shqiptar për të kapërcyer situata të momentit ia lehtësoi përkohësisht situatën e tij të brendshme politike, por jo të ardhmen e tij në planin afatgjatë. Vizioni për të ndërtuar projekte afatmesme dhe afatgjata në raportet me Italinë mungon në mendësinë e Mbretit të shqiptarëve të asaj kohe.
Duket se Zogun nuk e shqetësonte aspak qeveria e Romës dhe ideologjia fashiste saj. Në rastin më të mirë, ai nuk arriti të kuptonte në kohë qëllimet e Musolinit për të ndërtuar në Shqipëri një “platformë” ballkanike fashiste për t’u shtrirë më tej në thellësi të Ballkanit dhe vendeve të tjera. Zogu pranoi shumë “dhurata” prej Italisë fashiste, përfshi kurorën e monarkut, duke harruar se do të vinte dita kur do të duhej t’i kthente mbrapa këto shërbime.
Shumë vonë Zogu mundi të kuptojë se miqësia e sinqertë e Italisë po kthehej në një darë shtrënguese në lirinë e tij politike, ekonomike, financiare dhe ushtarake brenda mbretërisë së tij. Reagimi i Zogut ndaj kësaj situate ishte spontan dhe shumë i vonuar. Ai jo vetëm që nuk dha rezultate pozitive, por ndikoi në acarimin e mëtejshëm të krizës ekonomike dhe financiare në Shqipëri. Lëvizjet politike të Zogut, reagimet dhe kundërshtimet e tij ndaj politikës shtrirëse të Italisë fashiste dhe synimeve të saj në Shqipëri u bënë përgjithësisht të vonuara dhe ishin më tepër spektakolare, sesa të bazuara dhe të argumentuara politikisht.
Zogu veproi në këtë mënyrë, ndoshta jo vetëm sepse s’kishte rrugë tjetër, por sepse vetëm nëpërmjet këtij reagimi ai mendonte të ruante të pacenuar pushtetin e tij të brendshëm dhe të ishte publikisht me imunitet dhe i pakritikuar për politikën e tij nacionaliste si ndaj Italisë, ashtu edhe ndaj fqinjit tjetër tokësor, Jugosllavisë.
Edhe loja e dyfishtë që shpesh Zogu bëri midis Italisë dhe Jugosllavisë, jo vetëm që nuk dha rezultate pozitive, por shkaktoi jo rrallë herë acarime dhe situata të tensionuara në marrëdhëniet me këto vende, si dhe vonesa të panevojshme me ndikime negative në plotësimin e kërkesave ekonomike të domosdoshme për Shqipërinë.
Megjithatë, duke e vendosur në kontekstin përkatës historik dhe gjeopolitik, Zogu, nëpërmjet shfrytëzimit të burimeve financiare italiane, ndihmës së saj politike dhe ushtarake mundi të hedhë bazat e ndërtimit të një shteti perëndimor, arriti të krijojë një administratë dhe një burokraci me mendësi bashkëkohore duke u përpjekur ta shkëpusë atë nga trashëgimia dhe origjina e saj otomano-aziatike dhe praktikat mesjetare.
Krijimi i Monarkisë shqiptare në anën tjetër, pavarësisht mënyrës si ajo u realizua, provokoi një unitet të brendshëm dhe kombëtar mes shqiptarëve dhe e vendosi shtetin shqiptar në një pozicion të barabartë mes monarkive të tjera europiane.
Historiani Pëllumb Xhufi përmend një tjetër mesazh që ky libër përcjell tek lexuesi, se “një histori e tillë me përthyerje e përmbysje të forta, ka vazhduar ta karakterizojë politikën e jashtme të shtetit shqiptar edhe në dekadat e mëvonshme, deri në ditët e sotme”… A bini dakord me këtë përkufizim? Si do ta përshkruanit politikën tonë të jashtme në kohët kur jetojmë?
Dëshiroj me këtë rast të falenderoj profesorin, diplomatin dhe mikun tim, Pëllumb Xhufi, për kritikat e tij pozitive dhe vlerësimet ndaj librit tim. Kjo edhe për faktin sepse ai, për shumë arsye, e njeh këtë kontekst (periudhën, Italinë dhe Shqipërinë) jashtëzakonisht mirë. Profesor Xhufi dhe unë ndajmë pikëpamje të njëjta apo të përafërta mbi shumë aspekte të politikës së jashtme të Shqipërisë, atë të kaluar, por edhe të ditëve tona. Politika e jashtme është pasqyrë e realitetit të brendshëm të një vendi dhe i shërben interesave politike, ekonomike, ushtarake, ideologjike të tij në larminë e marrëdhënieve me jashtë, (dypalëshe apo shumëpalëshe, rajonale apo globale).
Gjatë historisë së shkurtër të shtetit shqiptar modern thyerjet dhe përmbysjet kanë ndodhur së pari si rezultat i ndryshimeve radikale të regjimeve dhe sistemeve politike në Shqipëri: një shtet në mbijetesë, republikë, monarki e pavarur, monarki vasale gjatë pushtimit italian, regjim i diktaturës së proletariatit për gati sa gjysma e moshës së shtetit shqiptar dhe së fundmi një tranzicion i tejzgjatur demokratik. Së dyti, përmbysjet e shpeshta dhe radikale të formave të shtetit nuk u linin kohën e duhur elitave politike të vendit të përgatiteshin dhe të edukoheshin për të administruar shtetin, ideologjia dhe parimet e të cilit shtrembëroheshin ose deformoheshin sa herë ai ndryshonte formën e tij.
Por përthyerje të forta në politikën e jashtme kanë ndodhur edhe gjatë jetëgjatësisë së një forme shteti, siç ishte ajo e periudhës së mbas çlirimit deri në vitet ‘90. Partnerët e tangos sonë ideologjike në politikën e jashtme të atyre viteve larguan nga jugosllavët tek sovjetikët, pastaj tek kinezët për të mbetur fillikat të vetëm, të izoluar dhe të përjashtuar nga të gjitha pistat.
Vitet ‘90 përjetuan në fakt përmbysjen më të madhe në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, e cila u shoqërua me vështirësitë e saj për t’iu përshtatur kërkesave të imponuara nga ndryshimi thelbësor i brendisë e parimeve të saj. Kalimi nga një sistem i mbyllur dhe për një kohë të gjatë i izoluar, në një politikë të jashtme të hapur dhe të shtrirë të partneritetit afatgjatë nuk është i lehtë. Sot duket sikur po përjetojmë fazën përfundimtare të tranzicionit në politikën e jashtme të Shqipërisë. Janë përcaktuar qartë parimet, interesat, qëllimet dhe strategjia e saj afatgjatë.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian po i japin dita-ditës politikës sonë të jashtme dinamikën e kërkuar dhe vizionin e munguar. Partneriteti dypalësh, shumëpalësh, rajonal, global dhe ai i sigurisë e integrimit që politika e jashtme shqiptare është duke ndjekur, koha mjaftueshmërisht e gjatë për të formuar e edukuar elitat e duhura politike e administrative dhe stabilizimi e qëndrueshmëria në përmirësim e vetë shtetit e formave të tij, bëjnë që në ditët e sotme hapësirat dhe veprimet për përmbysje e thyerje radikale në politikën e jashtme të Shqipërisë të ngushtohen e rrallohen drejt së pamundurës.
ISHTE NORMALE QE ZOGU U LIDH ME ITALINE …. GREKU SERBI MAQENDDONASIT MALI I ZI .TE GJITHE ISHIN KUNDRA NESH .. E VETJMA RRUGE DALJE ISHTE MIQESIA ME ITALINE … KESHTU DO TE KISHIM NJE SHANC TE MERRNIM TOKAT E VJEDHURA NGA ……. POR ENVERI NA IZOLOI NGA FRIKA E STALINIT … DHE NA PERCAU NE FAMILJE …ME NJERI TJETRIN ME PROPOGANDEN E QELBET TE KOMUNISTAVE…
Albano! Nuk je fare i sakt me keto mendime qe jep.Enver hoxha nuk i perçau familjet,as izoloi,por perkundrazi ai i bashkoi dhe i vllazeroi njerzit.Ate qe beri Ahmet Zogu nuk e ka bere asnje mbret ne bote.Ai lidhi mardhenjet me Italine,por nuk diti ta mbante.Ai iku si nje qen i zgjebosur,tradhetoi vendin,mori dhe pasurine e vendit dhe u largua duke lene popullin pa drejtim,pa udheheqje,paorganizim,ne nje fukarallek te madhe.Pse u dashka te lavderohet Zogu? Pse se beri nje turp qe u denua nga te gjitha kancelarite e Evropes e te botes.? Ju ,mesa duket e kini inatin me Enver Hoxhen,por nuk eshte e drejte,sepse ai u ndesh me ushtrine fashiste dhe luftoi kunder tij si pushtues.Dhe te luftosh per shlirimin e vendit nga pushtuesit,eshte nje akt i madhe patriotik.Per kete Enver Hoxha u vleresua nga te gjitha vendet e dale fitues nga lufta e dyte boterore.,ku shqiperia u rendit ne radhet e fitueseve.
Enver Hoxha jo vetem e ber ivendin nje shesh per lesh per sllavo komunizmin por e katandisi vehten nje leter higjenike te serbeve ruseve kinezeve dhe u ndot aq shume sa askush nuk donte ta perdorte
Per hir te se vertetes Zogut iu desh te bente nje shtet nga pluhuri shekullor dhe nuk mund te thuhet lehte se nuk i vuri themelet e shtetit,kurse Enveri gjeti nje shtet dhe ndertoi nje burg ndoshta burgun me te madh qe ka njohur historia njerzore.28000 km2