Gazetari Artan Hoxha ka treguar detaje të mëtejshme rreth grupeve kriminale të cilat veprojnë në Elbasan si dhe vizitat e shpeshta të ministrit të Brendshëm në këtë qytet.
“Kjo është vizita e dytë që Xhafaj bën në Elbasan me qëllim për t’u dhënë mbështetje policisë në Elbasan, dhe për t’i përcjellë një mesazh bandave atje. Është linja që vjen nga Turqi, e më pas kalon në vendet e BE. Jo rastësisht është zgjedhur Elbasani. Ka patur një reagim nga Prokuroria e Elbasanit por nuk ka vazhduar më tej.
Prokurori që po kryente hetime të thelluara Ardian Nezha u largua, pasi iu ndërpre mandati. Nga deklarata e parë e ministrit deri tek kjo e dyta, ka patur reagime, por janë arrestuar persona të dyshuar si pjesëtarë të klanit Çela. Bëhet fjalë për 5-6 persona. Janë shpallur në kërkim disa persona. Ndërkohë që nga krahu tjetër nuk ka ndodhur një gjë e tillë, nuk ka persona në kërkim.
Në Elbasan janë vrarë disa punonjës policie. Dihet ku veprojnë këto grupe, dhe ku i kanë bërë investimet e tyre, por ende nuk është bërë asgjë. Skuadra speciale u qëllua me armë, por policia e Elbasanit e pushoi çështjen, dhe akuzoi policinë për tejkalim të kompetencave. Ndërkohë që janë disa çështje të pazbuluara. Një prej tyre është ajo e vitit 2016, ku u vranë disa anëtarë të fisit Çapja. Këto ngjarje kanë vijuar.
Një nga ish shefat e policisë Fadil Mema, i është bërë 3 herë atentat. Ngjarje të tjera të rënda kanë ndodhur, por autorët nuk janë gjetur. Aty duhet një koordinim i punës që bëhet nga policia dhe prokuroria. Duhet një grup special për të goditur këto banda, për t’ju bllokuar asetet e tyre”, deklaroi Artan Hoxha.