Analisti i politikës Artan Hoxha në një intervistë për MAPO komenton fushatën dhe alternativat kryesore për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij, Rama ka zgjedhur taktiken “premto të ardhmen e pamundur që të harrojnë të sotmen e trishtë dhe të shkuarën e dështuar”, ndërsa Basha ka forcuar tiparet e tij si lider tashmë me përvojë drejtimi edhe në beteja opozitare radikale siç ishin dalja nga parlamenti dhe protestat me përballje të ashpër me policinë në shërbim të pushtetit rilindas e jo të shtetit. Sipas tij Basha ka mbajtur edhe profilin e njeriut normal, ndryshe nga Rama që tentoi deri në karagjozllëk, të luajë liderin global.
Kur jemi 5 javë para zgjedhjeve parlamentare fushata elektorale ka krijuar tashmë modelet që po ndjek partia në pushtet dhe opozita. PS po kërkon një mandat të tretë pa një bilanc qeverisjeje, ndërsa opozita kërkon ndryshim duke propozuar një program elektoral. Në këndvështrimin tuaj ku ndryshon fushata e dy palëve? Çfarë po i ofrohet elektoratit në këto zgjedhje?
Fushata e Rilindjes po ecën sipas përmbajtjes boshe dhe stilit gallatë të zgjedhjeve 2017. Tepsisë dhe Kusisë i janë shtuar edhe disa projekte tip “tuneli nën Adriatik” apo “porti i Karpenit 5 miliard që me kanale lundruese e bënte edhe Kavajën qytet bregdetar si Durrësin”. Meqë i “fituan” ato zgjedhje mendojnë se me të njëjtën metodë do të fitojnë përsëri. Në fakt gjërat kanë ndryshuar. Opozita e sotme është e bashkuar. Mes PD dhe LSI nuk ka konflikt si në 2017 por bashkëpunim. Mes PD dhe Rilindjes nuk ka paqe dhe shtrëngim duarsh tip “qepalla” por përballje totale, në çdo fushë e me qëndrime, objektiva dhe koncepte të kundërta. Këto përbëjnë tiparin thelbësor të strategjisë dhe taktikës elektorale opozitare, krejt e ndryshme nga 2017. Sa për programin opozitar, opozita kishte edhe në 2017, ka edhe sot, në thelb i njëjtë por i përshtatur me rrethanat e këtij 4-vjeçari dhe zhvillimeve të diktuara.
Fushatat po i dominojnë edhe këtë herë liderët e partive, Basha në sheshe qytetesh me simpatizantët, ndërsa Rama me kantieret e ndërtimit. Sipas jush ku ndryshojnë dy kandidatët për kryeministër Rama dhe Basha në mënyrën e qasjes ndaj elektoratit?
Rama ka zgjedhur taktikën “premto të ardhmen e pamundur që të harrojnë të sotmen e trishtë dhe të shkuarën e dështuar”. Ai provokon me synimin për mandatin e tretë ndërsa nuk ka bilanc pozitiv as për të parin e as për të dytin. Edhe në dy mundësitë që pati, mirëmenaxhimi i tërmetit dhe pandemisë ka dështuar në mënyrë spektakolare. Premtimet për përfundimin e veprave strehuese brenda 2020 ishin e mbetën në erë. Sa për pandeminë radhitemi vendi më i dështuar i Europës me shtesën e pazakontë të vdekjeve në 1 vit pandemie mbi 40% ndërsa, bazuar në raportimet e zbukuruara Rilindëse radhitemi ndër vendet me më pak vdekje nga COVID-19 për 1 Milion banor. Fakti i zi, gënjeshtra shumëngjyrëshe.
Si vetë Rilindja. Shkurt, Rama ka qenë bosh në vepra e plot në gënjeshtra, kështu ka mbetur, e kështu po iu qaset edhe këtyre zgjedhjeve. Basha, vjen në këto zgjedhje më i pjekur, veçanërisht i pasur me përvojën e hidhur të 2017-ës në të cilën ai i qëndroi besnik marrëveshjes me Ramën ndërsa ky i kishte turrur banditët dhe pagatorët në terren për të blerë, vjelë a grabitur vota, gjë që doli edhe nga përgjimet e prokurorisë në Durrës e që u botuan nga gazeta gjermane Bild.
Basha ka forcuar tiparet e tij si lider tashmë me përvojë drejtimi edhe në beteja opozitare radikale siç ishin dalja nga parlamenti dhe protestat me përballje të ashpër me policinë në shërbim të pushtetit rilindas e jo të shtetit. Por Basha ka mbajtur edhe profilin e njeriut normal, ndryshe nga Rama që tentoi deri në karagjozllëk, të luajë liderin global. Basha ka respektuar pluralizmin partiak duke mbajtur e forcuar partneritetin me forcat politike në spektër të gjerë si dhe ka zbatuar disa metoda të lavdërueshme të hapjes dhe konkurrencës brenda partisë, ndryshe nga Rama që ka shkelur, mposhtur e mpakur çdo zë kundër në kampin e vet.
Çfarë impakti ju kanë lënë listat e kandidatëve për deputetë të dy partive kryesore me sjelljen e figurave të reja apo me ruajtjen e figurave të vjetra. Çfarë roli mendoni se do luajnë taktikat e kryetarëve në përzgjedhjen e emrave përfaqësues?
PD ka ruajtur dominancën e figurave politike në listën e vet të kandidatëve, ndryshe nga 2017 kur eksperimentoi me persona jashtë partisë në pozicione kyçe e deri duke lënë jashtë persona me karrierë e peshë. Por PD e ka pasuruar listën e vet, edhe me persona me profil të spikatur profesional, civil e publik dhe mundur të krijojë një listë përfaqësuesish në raporte të shëndetshme tipologjike. Rilindja ofron një listë kandidatësh që dominohet në ekzagjerim nga tipari femëror si dhe i paprovuar apo i panjohur gjerësisht në publik.
Duket sikur Rilindja edhe në listë, me emrat në pozicionet e gjysmës së parë kërkon të krijojë një fasadë, një numër fytyrash të këndshme e të panjohura kundra të cilave nuk ke se ç’thua kundër ndonëse nuk ke se ç’thua as pro. Poshtë tyre vijnë një radhë politikanësh me përvojë e rol në partinë socialiste, lënë aty si kuaj që të tërheqin karrocën ku kanë hipur pasagjerët, kandidatët e radhëve të para, ndërsa pas duket se vijon mobilizimi i segmenteve të errëta të krimit, ndërsa nuk kandidon më babai me të shkuar kriminale, por i biri apo e bija.
Një incident i dhunshëm në Elbasan Ditën e Verës tregoi se politika vijon të nxisë gjuhën e urrejtjes dhe të mbajë afër elementë kriminalë. A mendoni se ishte një rast i izoluar apo është një fenomen që do ta shohim dhe në këtë fushatë përdorimin e “të fortëve” dhe çfarë impakti ka kjo te votuesit?
Nuk është politika në përgjithësi. Është Rilindja. Natyrisht që do vijojnë të provokojnë. Natyrisht do vijojnë të kërcënojnë votuesit e të joshin vota. Por, sa më shumë të rritet besimi në fitoren e opozitës aq më pak kurajo do kenë kriminelët të provokojnë opozitën e të manipulojnë zgjedhjet. Ata më mirë se cilido tjetër e dinë se ç’i pret më pas.