Juha Varto është profesor kërkimi në artet pamore dhe edukim i Universitetit të Artit dhe Dizajnit në Helsinki. Si filozof, ai ka shkruar libra rreth Platonit, Heideggerit dhe etikës. Botimet e tij rreth kritikës dhe teorisë së artit përfshijnë vepra të kinemasë europiane, të estetikës dhe këngës flamengo. Në studimet e kohëve të fundit, është fokusuar në veçantinë e përvojës njerëzore në art dhe në jetën e përditshme, duke ndërtuar një dialog midis Georges Bataille dhe Michel Henry. Ka gradën doktor në filozofitë teorike dhe master në studimin rreth teatrit; drejton studimet dhe kërkimet doktorale në Shkollën Universitare të Edukimit Artistik.
Arti dhe mjeshtëria e bukurisë është botimi i parë në shqip nga ky autor, një përkthim i kujdesshëm dhe profesional nga pedagogu, studiuesi dhe kritiku i artit, prof. Gëzim Qëndro. Qëllimi i këtij libri është të hedhë dritë mbi estetikën nga disa pikëvështrime, para së gjithash, për të treguar disa ide dhe tipare themelore. Ai përfshin haptas pikëpamje vlerëgjykuese dhe polemizuese, të cilat synojnë të sfidojnë vetë pedagogët e artit që të mos i pranojnë duke formuar kështu opinionet e tyre.
Futja në programet mësimore e artit dhe e krijimit artistik nga njëra anë, dhe edukimi përmes përfshirjes në art nga ana tjetër, janë raste të veçanta në arsim. Të dy janë të rëndësishëm, qoftë edhe nëse e marrim seriozisht kritikën e hedhur nga Judith Rich Harrisi, e cila thotë se po e mbivlerësojmë shumë efektin e edukimit të qëllimshëm te fëmijët dhe të rinjtë. J. R. Harrisi flet rreth përpjekjes së qëllimtë, që synon t’i shndërrojë fëmijët dhe të rinjtë në një tip të veçantë njerëzish, të rritur. Përpjekja ka pak gjasa t’ia dalë mbanë, sepse ndikimet më të mëdha vijnë nga tjetërkund: nga bashkëmoshatarët apo rruga. Këto ndikime pranohen, u zihet besë dhe madje kuptohen. Përkundër tyre, përpjekja e të rriturve për t’u përcjellë kulturën e moshës së pjekurisë nuk fillon të funksionojë pa kaluar njëzet vite të vështira. Edukimi artistik ka një varg qëllimesh të ndryshme, që nuk kanë të bëjnë me arritjen e pjekurisë, me sigurimin e një statu quo-je në shoqëri apo përmbushjen e diçkaje të paracaktuar. Më tepër kanë të bëjnë me të qenit i hapur ndaj mundësive të reja shprehjeje, njohjeje dhe mendimi, të cilat, te një person në rritje e sipër, janë pjesë e pandashme. Ndryshe nga ç’mendohet shpesh, edukimi artistik nuk synon edukimin estetik; qëllimi është më shumë të shkoqisë misterin e estetikës në mënyrë që pedagogu dhe personi që po edukohet të mund të takohen në krijimin dhe përfshirjen që përjetojnë kur hulumtojnë artin. Në format e saj të ndryshme, estetika ka nxjerrë gjithherë në pah një cilësi të veçantë njerëzore: ndjenjën për masën dhe bukurinë. Në çdo epokë, kësaj cilësie i janë dhënë kuptime të larmishme operative por, në një mënyrë ose në një tjetër, koncepti i aftësive njerëzore është nxjerrë gjithmonë në plan të parë. Ndërthurja e aftësive me masën, e aftësive me bukurinë krijojnë një ekuacion kompleks, i cili kërkon një zgjidhje shumëplanëshe: si janë krijuar apo krijojnë njëra-tjetrën, si mund të bashkohen, të marrin me mend tjetrën apo si mund të kontrollohen, madje edhe të mësohen?
Marrëdhënia e estetikës me aftësinë(të) është një problem themelor, sepse ajo bën të dukshme aftësinë e njeriut për të krijuar të bukurën, masën e duhur, apo harmoninë, siç e përkufizonin grekët. Edhe harmonia dhe bukuria që gjejmë në natyrë bëhen të njëmendta kur njerëzit kuptojnë se mund të arrijnë krijime të ngjashme. Kështu, krijimi dhe analiza, realizimi dhe praktika shkojnë dorë për dore. Për një pedagog arti, estetika, në një masë të madhe, lidhet sidomos me shqyrtimin në shkallën më të gjerë të mundshme të aftësive. Kjo pasi një aftësi nuk mund të ketë vetëm kuptimin se di të bësh diçka, një përsëritje mekanike pa kuptuar gjë nga konteksti. Aftësia gjithmonë thelbësore nënkupton rrokjen e parimeve operacionale, të etikës dhe përgjegjësisë. Ajo përfshin gjithashtu të qenit i aftë t’ua komunikosh këtë aftësi të tjerëve, të udhëheqësh dhe të mësosh. Duke qenë se përvoja shqisore estetike është lidhja jonë më konkrete me botën, dhe përmes botës me njëri-tjetrin, është e qartë se përmes estetikës ne mund të kuptojmë vendin që zë aftësia.
Fjala “estetikë” rrjedh nga greqishtja aisthesis, që do të thotë ndjeshmëri, duke iu referuar marrëdhënies konkrete trupore të njeriut me botën. Ndjeshmëria është ndërfaqja jonë më e prekshme me botën. E gjithëpranishme, e qëndrueshme, e megjithatë e ndryshueshme në ndjeshmërinë e saj përmes nevojave, mësimit dhe intensitetit. Përmes ndjeshmërisë, bota infiltrohet brenda nesh: ne jemi të hapur, të brishtë dhe shpesh të lëndueshëm prej botës që marrim përmes shqisave. Aroma, shijet, prekjet, imazhet, tingujt nuk kërkojnë leje; ato thjesht hyjnë brenda nesh. Ne mund të heqim apo largojmë tutje mendimet, por ndërkohë ndjeshmëria jonë e ka lënë botën të depërtojë brenda nesh përpara se të dimë si t’i rezistojmë.
Kjo e bën ndjeshmërinë mënyrën themelore të qenies në botë. Por estetika është më tepër se kaq. Ajo përshkruan, në çdo kohë dhe kulturë të caktuar, idenë e dijes dhe të prejardhjes së saj, besueshmërinë dhe shprehjen e dijes, duke na treguar se si aftësia dhe arti zënë vend në jetën e njerëzve. Shpesh, pyetja qendrore është nëse mund t’i zëmë besë përvojës së botës që na ofrojnë shqisat. Me besimin vjen edhe përligjja për të artikuluar përvojën tonë në mënyrë të atillë që të tjerët ta marrin si shprehje aftësish. Kësisoj, estetika mbulon të gjitha koordinatat kyç të marrëdhënies së njeriut me botën: besueshmërinë, besimin, nevojën për t’u vetëshprehur, për kontakte me të tjerët, për të zhvilluar dhe zbuluar diçka rreth vetes dhe botës për diskutim të zakonshëm. Estetika merret me shprehjen dhe analizën e saj, duke mbuluar parimet e aftësive, rezultatin e veprimtarisë shprehëse, si dhe diskurin dhe mendimet që lidhen me to.
Koncepti i veçantë i estetikës, veçanërisht në vendet perëndimore, është koncepti i së bukurës. E bukura jo dhe aq rreth objekteve të bukura individuale, por rreth kërkimit të një koncepti të përgjithshëm që na zbulon në mënyrë të kuptueshme ndikimin e ndjeshmërisë: në marrëdhënien tonë me botën, ne kërkojmë atë vend ku të njohim bukurinë dhe përplotësinë e botës, të cilën e marrim gjithmonë si pikënisje, por edhe si fund.
Në plot 15 kapitujt koncizë të këtij vëllimi, Juha Varto, i konsideruar si një nga filozofët më të rëndësishëm finlandezë, jep detaje interesante rreth gjithçkaje që lidhet me estetikën, artin, bukurinë, filozofinë, muzikën etj. Një libër me vlerë dhe shumë i çmuar jo vetëm për çdo pedagog apo student, por edhe për çdo lexues kureshtar që do të mësojë më tepër rreth këtyre çështjeve.
SKEDA
Titulli: Arti dhe mjeshtëria e bukurisë
Autor: Juha Varto
Përktheu: Gëzim Qëndro
224 f., 1000 lekë
Botues: DITURIA