Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare një ndër intelektualët më të shquar të qytetit të Durrësit, Gjergj Vlashi, shkrimtar, përkthyes dhe artist. Ai u lind në Durrës më 13 korrik 1928.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës’, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj.
Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës. Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension.
Për shumë vite Gjergj Vlashi ka qenë regjisor i estradës profesioniste të qytetit të Durrësit deri kur doli në pension në vitin 1990.
Me të lidhet një pjesë e historisë e artit durrsak pas çlirimit të vendit. Me dhjetëra shfaqje të trupës së estradës së Durrësit mbajnë vulën e tij.
Aktorë si Ramazan Njala, Enver Likmeta, Fadil Hasa, Spiro Strati, Aishe Stari, Lumturi Dashi etj rritën performancën e tyre artistike nën drejtimin e regjisorit Vlashi.
Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.
Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Gjithashtu është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes.
Njohës i disa gjuhëve të huaja, Gjergj Vlashi solli në shqip Franc Kafkën me veprat “Metamorfoza” dhe “Proçesi”, si dhe shkroi tregime, novela e romane.
Gjergj Vlashi mban titujt “Qytetar Nderi” i Durrësit,”Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.