fbpx

Editorial

Artistët po e mundin Edi Ramën në fushën e tij





               Publikuar në : 09:54 - 29/07/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Në kohën kur qindra artistë ishin mbledhur në oborrin e Teatrit Kombëtar, në pritje të shfaqjes-protestë së aktorit Mehdi Malkaj, kryeministri Edi Rama ishte në Salzburg të Austrisë, në një forum të fondacionit Convoco! Prej aty, Rama mbajti të njëjtin fjalim që e mban prej më shumë se 20 vitesh tashmë në politikë.



Përpara një intervistuesi që i tha disa herë se është mik i AnriSalës, kryeministri Edi Rama foli me një anglishte të lodhur. Që në fillim u tha se ai vazhdon të bëjë art edhe në zyrë, diçka që u prit me të qeshura dhe habi. Por Rama insistoi duke u thënë se kjo është diçka serioze, edhe pse ato që bën janë disa vizatime që njihen edhe si dudlling.


Kryeministri vazhdoi sërish (si nuk u lodh) duke folur për faktin se e ka lyer Tiranën me ngjyra kur ishte kryebashkiak, por mbi të gjitha u tha të pranishmëve se është munduar për të krijuar hapësira publike në kryeqytet. Sesa shumë hapësira publike ka në Tiranë, kjo nuk është e nevojshme të komentohet. Por edhe një hapësirë të rëndësishme publike, atë të Teatrit Kombëtar, ai po e dorëzon në duart e një ndërtuesi.

“Në vendin më të varfër në Europë po flitej me ngjyra”, tha Rama, por nuk u tha të pranishmëve se si kioskat e dikurshme janë kthyer në pallate gjigante, shumica të shëmtuar, që po ia marrin frymën Tiranës.

“Ne duam të ndërtojmë një vend europian me institucione demokratike”, tha Rama, pa u ndalur të shpjegojë se përse Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku nuk mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por rëndësi kanë batutat, që tashmë duhet të jenë bërë bajate edhe për publikun e huaj. Rama përsëriti sërish batutën për hyrjen e Shqipërisë në BE dhe daljen e britanikëve prej andej. Pastaj atë për faktin se familja e tij ka një larmi fetare. Në fund nuk mund të mos mungonte përsëritja për herë të n-të që e bukura e tij po e çon vendin përpara. Pyetja që lind: Kur është kaq e bukur Shqipëria që ka ndërtuar ai, përse kanë ikur 500 mijë njerëz gjatë qeverisjes së tij? Përse po ikin sidomos të rinjtë? Asnjë përgjigje për këto.

“Cilësia e jetës në politikën tonë është shumë e ulët pasi ne nuk biem dakord as për orën. Ne duhet të rritemi, demokracia nuk është një ushtrim i lehtë”,-tha Rama. Por nuk tha se përse Shqipëria është katandisur në vendin më të korruptuar në Europë. Sigurisht nuk mund të fliste se përse jemi kthyer në të vetmin narkoshtet në historinë e Europës.

Në fund, ai lëshoi një tjetër kërcënim kur foli për kërpudhën para kryeministrisë, duke thënë se ajo do rikthehet gjithmonë e më e madhe sa herë të ketë protesta. Për çudi, shqetësimi i tij mbetet për kërpudhën, por jo për teatrin, aty ku janë mbledhur kundër tij ato pak mendje racionale dhe ‘qeliza të shëndetshme’ të vendit.

Në kohën që Rama po fliste, një media publikoi një listë të rrogëtarëve të Teatrit, që nuk kanë guxuar të flasin në mbrojtje të tij. Ishte një tjetër tregues i frikshëm i mungesës së lirisë në një vend ku të gjithë mund të mbahen peng edhe për një rrogë. Por ata artistë dhe aktivistë që kanë dalë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar po e mundin Ramën në fushën e tij. Është e kotë përpjekja për ta hequr veten si njeri të artit në politikë nëpër ca forume, kur nuk të presin në asnjë kancelari të huaj. Thjesht bëhesh qesharak, si ajo anglishtja e çalë, që nuk prodhon më as batuta, të vetmin produkt real të një kryeministri.


Etiketa: , ,

Pas