Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha sot nga foltorja e Kuvetit se Teatri Kombëtar është në gjendje emergjente dhe mund ti zërë brenda ata që e frekuentojnë.
“Teatri është në gjendje emergjence, fakti që rri në këmbë, është shfrytëzuar për shfaqje, por është argumenti më mjeran duke pritur ditën që mund të na zërë brenda. Miu ishte bashkëjetues me artistë”, tha Kumbaro, duke mbrojtur projektligjin për Teatrin Komëbtar, që diskutohet sot në Kuvend.
“Sot gjejmë një mundësi për të bërë një teatër dinjitoz për vendin, kam shkuar gjithë jetën në teatër, por pak kam parë nga kolegët e kësaj salle, nuk ju kam parë jo në këto pesë vite ku unë nuk lë shfaqje pa parë. Nga inspektimet dhe ekspertizat është konstatuar se ambientet janë jashtë kushtet teknike për shfrytëzim, muri me përbërje pupuliti ka dëmtime të konsiderueshme, nga Instituti i Ndërtimit theksohet se përtej arkitekturës, strukturës që bën të pamundur çdo ndërhyrje, kushtet janë të tilla që teatri duhet të mbyllet, thuhet, riparimi i objektit përbën vështirësi, kosto të larta dhe një ndërhyrje rrënjësore në 90% të objektit, në themel, çati dhe soleta, ndërhyrja sado e madhe të jetë nuk e sjell në kushtet optimale”, shtoi ajo.
Për Kumbaron, projektligji që diskutohet sot në Kuvend, “është një investim dinjitoz si e meriton e shkuara, historia dhe e ardhmja”.