Në Komisionin e Medias ku mungon ministrja e Kulturës dhe deputetët e mazhorancës, artistët po kundërshtojne projektligjin e qerverisë që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.
Ata lexuan një letër publike drejtuar te gjithe institucioneve përfshi kryeministrin dhe Presidentin e Republikës.
“E ndiejmë veten të tradhëtuar e s’mund të futemi në asnjë dialog që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar, është projektligj arbitrar…Nëse nuk do kemi përgjigje deri të premten, trupa teatrore, artistët, legjitimohemi të uzurpojmë godinën si të vetmen formë që zëri ynë të dëgjohet. Urojmë në mirëkuptimin tuaj dhe jemi në pritje të një përgjigje”, – thuhet ndër radhë në letrën publike.
Bëhet fjalë për bllokimin e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.
I pranishëm në komision ishte edhe aktori, Robert Ndrenika.
“Personalisht do të doja të ishte dhe pala e deputetëve të PS-së. Mospjesëmarrja e tyre tregon se duhet të nisë lufta. Unë erdha me mendjen që të flisja dhe të arsyetonim me ta. Ata nuk vijnë fare. Nuk di ç’të të them. Di tu them, PPP në këtë rast me Teatrin Kombëtar dhe tokën është shqeto vjedhje e grabitje, për këtë jo unë vetëm, por ta analizojnë të tërë: Një përparësi që i jepet një firme. S’na dëgjon kush, s’na përfill kush, na braktisin jo vetëm ne, por edhe ju po ju poshtërojnë… “, tha ai.
Ndrenika nënvizoi se ka 20 vjet kjo tentative për grabitje.
“Ajo tokë vërtet është e shtetit por është e komunitetit teatror, kanë lënë kockat njerëzit atje, e të vijë një ta grabisi…më falni për tonin, por këto fjale i kam nga shpirti. Këtu më lë shteg të mendoj se këtu do të vjedhë dhe kryeministri dhe ministresha. Më vete mendja sepse përdersia nuk vijnë të ulen të diskutojnë”, shtoi ai.
Artistët e pranishëm në komision qartësuan se nuk do të futen në grevë urie, porse do të ndjekin të gjithe rrugën ligjore nga protestat e deri tek referendumi për mos prishjen e teatrit.
Nga ana e saj, kryetarja e kiomisionit të Medias tha se edhe PD-ja do të ndjekë të gjithë rrugën ligjore të këtij drafti duke mos përjashtuar as ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse pranoi se kjo e fundit tashmë nuk ekziston.