Ambasadori i SHBA në Tiranë tha se Enver Hoxha ka qenë një monstër që ka sjellë vetëm vuajtje për shqiptarët dhe nuk ka asgjë për ta glorifikuar. Ai gjykon se qeveria po bën mirë në politikën e jashtme, por ekonomia është e lëkundur. Sipas Arvizu, bojkoti është dëmtues për opozitën, ndërsa paralajmëroi se ajo mund të ketë lëvizje drejt Kuvendit javët e ardhshme.
Intervistoi Ilva Tare
Pak orë pasi e cilësoi fotografinë e Enver Hoxhës si fyerje për shqiptarët në festimet e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, në “Tonight Ilva Tare” ka deklaruar se Enver Hoxha ka qenë një monstër që ka sjellë vetëm vuajtje për popullin shqiptar dhe është për të ardhur keq që shikon të rinj me grushtin lart apo me foto të Enver Hoxhës në festimet për 70-vjetorin e çlirimit. Ndërsa në lidhje me bojkotin e opozitës, ambasadori Arvizu ka deklaruar se disa nga denoncimet e saj janë të ekzagjeruara dhe kjo dëmton kredibilitetin e opozitës, dhe për këtë ata duhet të jenë në Kuvend. “Mendoj se ky është një ekzagjerim. Nëse mund të thosha që këshilla ime për opozitën është që qeveria po vepron dhe në mënyrë legjitime mund të kritikohet, por duhet bërë një dallim mes vizionit tuaj dhe alternativës suaj. Denoncimi në mënyrë konstante, shumë prej tyre të ekzagjeruara, dëmtojnë kredibilitetin e opozitës dhe ky bojkot ka qenë dëmtues. SHBA dhe miq të PD i kanë nxitur ata të kthehen në Kuvend dhe zëri i tyre të dëgjohet. Ka pasur lëvizje dhe pritet në javët e ardhshme. PD ka një rol të rëndësishëm për ta përmbushur në këtë vend. Mirëpresim të kthehen më të fortë.”
Fotoja e Enver Hoxhës
“Po ndiqja ceremoninë dhe po e shihja në televizor dhe pashë gjithë kabinetin, kryetarin e Kuvendit, personat që mbanin foto të Enver Hoxhës, dhe thashë se kjo është një qeveri që ka punuar kaq fort dhe ka bërë një punë shumë të mirë përsa i përket projektimit të një imazhi proeuropian për statusin në BE dhe arriti që të ishte vizita e Papës, dhe fjalët në fakt ishin të miat. Stafi im më tha që kjo fjala e fundit “një fyerje për shqiptarët është e fortë” dhe unë thashë që ashtu dua, që të jetë e fortë. Kjo është një deklaratë serioze. Kjo është e rëndësishme që SHBA të mbajë një qëndrim të qartë për një çështje të tillë. Ky ka qenë një monstër që ka sjellë vuajtje. Nuk ka asgjë për ta glorifikuar, dhe shumë prej sfidave janë trashëgimi e Enver Hoxhës, kjo quhet “enverizëm”, këtë e shohim edhe tek të majtët por edhe te të djathtët. Është e vështirë që të mund të vlerësosh se cilat janë motivimet, unë thjesht nuk e di, por SHBA kanë besim te kjo qeveri dhe qeveria e mëparshme, që nuk kanë asnjë marrëdhënie me Hoxhën dhe trashëgiminë që ai përfaqëson. Disa prej këtyre pleqve shfaqen sërish, dhe nuk janë shqetësim personat 80 vjeç, por janë të rinjtë. Më kujtohet imazhi i atyre fëmijëve me grushtin lart dhe kjo është vërtet një fyerje.
Qeveria
“Më 23 qershor të 2013 votuesit votuan në masë për ndryshimin dhe pritjet në mënyrë të kuptueshme ishin dhe mbeten të larta. Kjo qeveri duket se ka qenë në detyrë prej shumë kohësh, por nuk janë as në gjysmën e mandatit të tyre. Ka kaluar më shumë se një vit dhe mendoj se duhet të jepen disa vlerësime paraprake. Politika e jashtme ka një notë shumë të lartë; Bushati, Kodheli dhe të tjerë kanë treguar se Kryeministri ka një drejtim të qartë dhe është në marshim drejt Perëndimit dhe kjo është siguruese për partnerët. Ai ka treguar se ka qenë i hapur nga qeveritë perëndimore, institucionet dhe për politikën e jashtme marrin nota të larta.
Në çështje të tilla, si shteti ligjor, ndërtimet pa leje dhe veprimet e policisë, arsimi, reforma në shëndetësi, pritjet e njerëzve janë të larta dhe është e vështirë kur kushtet ekonomike nuk janë të mira. Ka disa shenja për lëvizje pozitive, por ka shumë për të bërë. Ekonomia është e lëkundur”.
Bojkoti dhe opozita
Nëse mund të thosha që këshilla ime për opozitën është që qeveria po bën dhe në mënyrë legjitime mund të kritikohet në disa raste, por duhet bërë një dallim mes vizionit tuaj dhe alternativës suaj. Mendoj se denoncimi në mënyrë konstante, shumë prej tyre të ekzagjeruara dëmtojnë kredibilitetin e opozitës dhe ky bojkot ka qenë dëmtues. ShBA dhe miq të PD i kanë nxitur ata të kthehen në Kuvend dhe zëri i tyre të dëgjohet. Ka pasur lëvizje dhe pritet në javët e ardhshme. PD ka një rol të rëndësishëm për ta përmbushur në këtë vend. Mirëpresim të kthehen më të fortë.
Presidenti
I pyetur se ç’vlerësim kishte për Presidentin dhe rolin e tij, ambasadori i SHBA-së vërejti se ka punuar edhe më parë me zotin Nishani kur ka qenë ministër i Brendshëm. “Ai është një njeri i mirë, por ato që thotë nuk janë gjithmonë të tijat”. Pyetjes së Ilva Tares se të kujt janë, ai nuk iu përgjigj, duke anashkaluar një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Besoj të gjithë e dinë të kujt janë”.
Arvizu qeka akoma ketu Me sa shoh i pelqejne gjellerat dhe dhuratat nga Shqiperia Duket shume i zgjuar kur fle