Ende pa u mbyllur ky sezon televiziv, ka nisur vrullin qarkullimi i emrave nga njëri televizion në tjetrin, madje edhe lëvizja e një pakete të plotë programesh nga njëri ekran te tjetri.
Nga kjo valë ndryshimesh e lëvizjesh nuk shpëtoi pa u përmendur as emri i Blendi Fevziut, Turjan Hyskës, Agron Llakajt, por edhe programe si 2XL, të cilat vijojnë të jenë në biseda mes drejtuesve kryesorë të mediave në vend.
Ditët e fundit, ndryshimet më të komentuara mediatikisht janë ato nga Vizion Plus. Sapo Turjan Hyska lëvizi drejt Klanit, edhe programi 2XL e ndoqi pas për një projekt të ri në të njëjtin ekran.
Një ditë më vonë, pasi Juli Deda u përshëndet duke falënderuar me mirënjohje produksionin e këtij ekrani për mbështetjen e gjatë, sot një emër besnik i Vizionit mësohet se do të lëvizë drejt “Top Channel”.
Burimeve pranë Blitz.al kanë mësuar se prezantuesja e njohur Anila Çela, e cila prej vitesh ka drejtuar disa programe në Vizion Plus, sezonin e ri do të zhvendoset në Top Channel për të drejtuar “Pasdite në Top Channel”.
Siç kuptohet, gazetarja do të zëvendësojë Juli Kristafin, e cila e mori drejtimin e këtij programi pas largimit të beftë të Jonida Shehut. Ndërkohë, kjo e fundit, ende nuk ka një projekt konkret për ta bërë publik sezonin e ri.