Fjala e Ramës në Asamblene e Partisë Socialiste ishte pranimi publik para anëtarëve të kësaj asambleje dhe përpara të gjithë shqiptarëve, që patën mundësi të ndjekin fjalën e tij, se premtimet për mandatin e tretë, janë të njëjtat të bëra në mandatin e parë dhe të dytë, pothuajse të gjitha të parealizuara.
Rama në këtë asemble pranoi se qeveria e tij ka dështuar në të gjitha fushat që përmendi duke filluar nga drejtësia, punësimi, ikjen e shqiptareve nga vendi i tyre, luftën kundër krimit të organizuar, në zhvillimin e infrastrukturës së energjisë dhe teknologjisë digjitale dhe asaj të transportit, që i atribuoi vetes veprat të cilat janë kryer nga të tjerët, si rruga e Kombit dhe shumë rrugë kryesore kombëtare që lidhin qytetet e vendit tonë nga veriu në jug.
Njëkohësisht Rama i atribuoi qeverisë së tij fondet evropiane për zhvillimin e bujqësisë, por të cilat janë fonde që kishte tërhequr gjatë dy mandateve të fundit qeveria e mëparshme jo socialiste, që në vitin 2006.
Por kryeministri shqiptar garantoi se tendenca e ikjes së shqiptarëve nga Shqipëria do të vazhdojë edhe për dhjetë vitet e ardhshme, kjo sipas tij, si një tendencë e vendeve ish-komuniste të lindjes e jo si shkak i një keq-qeverisjeje nga pushteti i tij absolut qëndror dhe lokal, që nuk krijon kushtet e biznesit të vogël e të mesëm që krijojnë vende pune, por vetëm bisneset e mëdha që mbyllin të vegjlit, një pjesë e të cilës e ka origjinën e burimeve financiare kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike që sot në Shqipëri është bisnesi me fitimprurës.
Kryeministri shqiptar e tha qartë se është një qeveri klienteliste kur foli për anëtarët e Partisë Socialiste, duke thënë se atyre duhet t’u japim “çdo gjë që na kërkojnë”, ashtu siç ka bërë me ndarjen administrative dhe me pushtetin lokal monist, që e konsiderojnë pronë private me ekskluzivitetin e tyre ndaj tij duke punësuar anëtarët e PS në vend të nëpunësve të pa parti apo me bindje politike jo të majta, që ishin para zgjedhjeve të 30 qërshorit 2019.
Gjatë fjalës së tij kryeministri shqiptar nuk arriti të bind as vehten dhe të pranishmit për arritjet e mandatit të dytë, duke qënë se ishin të njëjtat që ai premtoi si objektiva për një mandat të tretë. Kritikat nga Evropa për shkeljen e kushtit për miratimin e ndryshimeve të ligjit elektoral me konsensusin e të gjitha forcave politike parlamentare dhe jo parlamentare e anashkaloi qëllimisht sepse ndryshimet janë bërë për përfitime meskine politike të partisë së tij.
Rama e pranoi qartë se atij nuk i intereson integrimi i Shqipërisë sa më shpejt në Evropë, sepse ai është shkaku i kësaj shtyrje të pafund, gjë të cilën e konfirmoi edhe gjatë konferencës për shtyp të mbajtur se bashku me ministren e jashtme të Suedisë dhe me komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, të cilët theksuan se modifikimet e Kodit zgjedhor në parlament pa marrë parasysh konsensusin e 5 qërshorit, janë një pengesë për takimin e parë ndërshtetëror me BE dhe për planin e zhvillimit të rajonit, që përfshin një zhvillim struktural me fondet europiane në katër vitet e ardhshme.
Asambleja e fundit e PS-së dukej se kishte qëllim politik strategjik afat gjatë, vetëm mënjanimin e influencës në skenën politike të LSI dhe themeluesit të saj Ilir Meta, të cilin e konsideroi një krijesë e lindur në kurriz të dy partive më të mëdha dhe që Rama i kushtoi një pjesë të mirë të fjalës duke lëshuar mesazhin e izolimit të tij.
E gjithë kjo eklipsoi pjesën tjetër të fjalimit i mbushur me demagogji për sukseset e qeverisë së tij, që çdo shqiptar i ka të qarta dështimet në tetë vitet e qeverisë Rama, i cili dukej se po fliste para një kompanie transporti që merret me trasloket e admistratave publike, duke ndarë detyrat e secilit, që u ka caktuar punëdhënësi i tyre.