Një ndeshje e çmendur ishte ajo mes Atalantës dhe Empolit, e fundit e javës së 32-të në Serinë A.
Me Berishën dhe Gjimshitin të dy në stol, Atalanta kërkonte pikë ndaj vendit të tretë nga fundi, për të vazhduar ëndrrën për vendin e katërt, ndërsa përballë ishte titullar shqiptari tjetër, mbrojtësi Frederik Veseli.
Në 90 minuta lojë, ishte një dominim total i zikaltërve. 18 goditje në portë, kundrejt vetëm një të Empolit, por të gjitha u pritën nga portieri i miqve.
Përveç një morie rastesh të pritura, sulmuesit e Atalantës gabuan edhe shumë herë para porte, dhe nuk arritën fitoren, duke lënë dy pikë me shumë vlerë për Europën. Tashmë Atalanta mbetet në vendin e gjashtë me 53 pikë, 2 më pak se Milani, ndërkohë që ky ishte barazimi i dytë radhazi.
Nga ana tjetër, kjo ishte një pikë mjaft me vlera për Empolin e Veselit, që në vendin e 18-të, shkon në 29 pikë, vetëm 2 më pak se Bolonja.