Nga Klementin Mile
Opozita vetëm fjalën ka, andaj duhet ta përdorë me kujdes. Fatkeqësisht, ngjarjet e fundit konfirmojnë paaftësinë e opozitës shqiptare për të kuptuar se kur duhet të flasë, kur të heshtë, kur të dalë në skenë dhe kur të tërhiqet në prapaskenë. Protesta e kuksianëve i dha opozitës një mundësi të artë për të rritur shanset elektorale në betejat e ardhshme me mazhorancën. Gjithçka që duhet të bënte opozita ishte të mos bënte asgjë – të heshtte, të tërhiqej në prapaskenë dhe prej aty të priste rezultatin e ndeshjes së qeverisë Rama me popullin protestues të Kukësit. Në betejën e një qeverie me popullin fiton gjithmonë populli, pasi është ai që mandaton qeveritë, jo e kundërta.
Këtë herë opozita duhet të heshtte. Ajo nuk duhet të futej midis qeverisë dhe popullit, por duhet ta linte protestën popullore të zhvillohej spontanisht, qoftë edhe dhunshëm po të qe nevoja, pasi vetëm përmes spontanitetit të ndjenjës prodhohet cilësia e protestës që tmerron qeveritë. Në vend të kësaj opozita vendosi ta transformojë protestën spontane të popullit në mosbindje civile të organizuar – shkurt, vendosi ta normalizojë dhe rrjedhimisht banalizojë atë shkëndijë revolte që shpërtheu në Kukës. E transformuar në mosbindje civile (çka këtu nënkupton një organizim partiak të zakonshëm) revolta popullore bëhet krejtësisht e papërfillshme prej qeverisë. Qeveria nuk frikësohet nga kjo, pasi ajo e interpreton mosbindjen civile si bindje partiake. Prapa çdo akti të mosbindjes civile ajo nuk sheh njerëz të popullit të revoltuar, por anëtarë dhe militantë të bindur të partive të opozitës.
Të gjithë atyre që shprehen se opozita duhet të fliste në emër të popullit, pasi për këtë është opozita kur populli ngrihet kundër qeverisë dhe keqtrajtohet prej saj, u duhet thënë se misioni i opozitës në demokraci nuk është parësisht moral, por politik. Opozita ekziston për të marrë pushtetin; e nëse për ta arritur këtë i duhet të bëjë edhe ndonjë anashkalim moral, kjo është legjitime në politikë. Nga ana tjetër, është e vështirë të besohet se deputetët e opozitës udhëhiqen para së gjithash nga konsiderata morale – synimi parësor i tyre është padyshim marrja e pushtetit. Veçse logjika politike e ndjekur prej opozitës është difektoze. Natyrisht që populli protestues ka nevojë për mbështetje dhe organizim, por opozita duhet ta ofronte këtë në prapaskenë, pa zhurmë e bujë, pa protagonizëm të figurave opozitare që populli i mban mend si të korruptuar, arrogantë dhe të paaftë. Kështu shanset e opozitës për të fituar besimin e popullit vetëm zvogëlohen, ndërkohë që qeveria përfiton nga fakti që opozita vijon të mos shihet si alternativë e pushtetit.
Opozitës do t’i duhet të heshtë për një kohë të gjatë që, në mos t’i falen, të paktën t’i harrohen mëkatet e së shkuarës – përndryshe ardhja e saj në pushtet ka për të qenë edhe më e largët se ç’parashikohet. Por nëse opozita ka probleme konsolidimi të brendshëm si për shembull të kryetarit në parti apo të zgjidhjes së rivalitetit për të mbajtur flamurin e frontit opozitar, apo të ruajtjes së lidhjes me militantët dhe anëtarët, është e vështirë të mendohet heshtja si strategji e mundshme opozitare. Heshtja është një art që nuk e zotërojnë të gjithë dhe nuk e kanë të gjithë luksin ta praktikojnë. Duhet të dish të heshtësh, por mbi të gjitha duhet ta kesh mundësinë të tërhiqesh në prapaskenë dhe ta lësh qeverinë të rrëzohet prej popullit. Fundja qeverinë vetëm populli e rrëzon, asnjëherë opozita.
*Pedagog në UET
Rubrika: Peripatos
titulli duhet te ishte ASGJE E RE NGA PEDAGOGET ,INTELEKTUALET ETJ.kazan te rames hiq me shum,ne vend ti suleni kriminelve , dhe bashpuntorve te tyre kryekriminel rama,xhafa tahiri sulmoni opoziten si te ishit ju geronet e agronet.