fbpx

Aktualitet

Aspak i lehtë biznesi i lokaleve, Ardita tregon PSE





               Publikuar në : 10:55 - 03/11/19 |
Alessia Selimi

I jemi drejtuar një lokali të ri, mjaft modern, në zemër të kryeqytetit. Muzika e këndshme në sfond mposhtet hera pas here nga zëra të mbytur dhe të njëtrajtshëm. Në një tavolinë, kokë më kokë filxhanë të mëdhenj e të vegjël. Në tjetrën, një kafexhi i vjetër, që duket se preferon ta nisë ditën i vetëm. Pak më tutje, ulur në karrige elegante, shihen tre të rinj. Nuk po flasin. Madje, nuk ka kurrkund gjurmë të buzëve të tyre. Diç po shkruajnë në telefon. Ora shënon 10:00. Po i ngjitemi disa shkallëve, që të lënë të kuptosh se ndriçojnë përgjatë mbrëmjeve.


E veshur me një bluzë sportive të zezë dhe xhinse, njihemi me të zonjën e lokalit, Arditën. Menjëherë na drejton në një tavolinë, përpara së cilës shihet pjesa më e madhe e klientëve, si dhe një copëz rrugë. Ardita nuk është e re në këtë sipërmarrje. Iniciativën për të patur një biznes të sajin e mori 13 vite më parë, me lokalin e vogël pas Kryeministrisë, “Rockwood”. E megjithatë, nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar.



Për frymë popullsie, Tirana dhe Shqipëria ka dalë në disa vëzhgime me numrin më të madh të kafeneve. Duket si sport mjaft popullor. Çdokush që ka para, investimi i parë që i vjen në mend, është të hapë një bar. Por sa e lehtë është të nisësh e të mbash një biznes të tillë?


Ardita ka hapur të paktën 6 bare dhe pub-e deri më tani. Ajo shprehet për MAPO se nuk është aspak e lehtë kjo lloj sipërmarrje, sidomos duke marrë parasysh shtrirjen e tyre të frikshme.

Ndalet fillimisht tek e shkuara. Ndonëse duket qartazi se përplaset edhe me kujtime të trishta, Ardita është e vetëdijshme se vetëm përmes ditëve të kaluara, mund të flasësh për të tashmen dhe për atë se çfarë shtrihet përpara.

“Rebelizmi më ka shoqëruar përgjatë gjithë jetës. Brezi im nuk e ka patur aspak të lehtë që të vendosej në kërkim të ëndrrave. Por, unë mendoj se arrita të dilja jashtë kornizave të periudhës së tranzicionit. U largova jashtë vendit, pa patur mundësi që të ndiqja studimet e larta. Dëshiroja të bëhesha gazetare. Dëshiroja  vërtetë shumë…”-tregon Ardita, ndërkohë që vendos një pale syze të errëta dhe të mëdha, si për të fshehur një lloj melankolie.

“Përtej kufirit, u njoha më afër me lokalet. Kur u ktheva në Shqipëri, vendosa të kisha diçka timen. “Rockwood” identifikon padyshim periudhën më të bukur të jetës sime. E megjithatë, fillimi, ashtu sikurse edhe puna për të qenë sa më jetëgjatë në biznes, ka qenë tepër i vështirë. E hasja gjithmonë veten nën trysninë për të krijuar klientelë besnike, si edhe në “sulme” të vazhdueshme nga shteti. Por, nuk i kam treguar asnjëherë problematikat e biznesit. Fundja, klientët nuk duan t’ia dinë se çfarë fshihet pas gotave apo filxhanave të servirura në kohë. Atyre u mjafton thjesht shërbimi cilësor”-vijon Ardita.

“Është po ashtu e vështirë edhe për shkak të përshtatjes. Në Tiranë ekziston një klimë e turbullt tregu. Ti mendon se e njeh, ose mendon se mund t’i japësh jetë një ideje të caktuar, por rrugës të del plotësisht tjetër gjë. Mjafton të ndalemi tek ndryshimi i brezave. Nuk dua të them se ka ndryshuar për mirë, apo për keq. Unë nuk jam askush për të thënë diçka të tillë. Por, mendoj se përmes tyre njeh një Tiranë të re. Dhe kështu, do të të duhet gjithmonë të përshtatesh”-thotë ajo.

Por si është Ardita përkundrejt punonjësve të saj? “E shoh veten si një person tepër të dhënë pas punës; aspak të rreptë. Megjithatë, nuk më pëlqen të jem e afrueshme me punonjësit. Nuk më duket e udhës të di për jetën e tyre personale. Jam e sinqertë kur them se emrin ua mësoj pas dy muajve”-tregon ajo fytyrëqeshur, ndonëse mimika i ndryshon në fraksion sekondi.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, kam konstatuar se shqiptarët janë njerëz që nuk e duan punën. E di, nuk tingëlloj aspak mirë kur bëj të tilla përgjithësime. Fatkeqësisht, eksperienca më bën që ta them këtë gjë. Ç’është më e bukura, punonjësit duan që të tjerët t’i tregojnë forcën duke i urdhëruar. Unë nuk e bëj dot diçka të tillë. Më pëlqen të punoj në kushte të barabarta. Mua s’më bën asgjë që të jem më e mirë, apo më e zgjuar. I mëshoj dëshirës për të krijuar marrdhënie, që konsiston në marrje dhe dhënie”.

Ajo flet dukshëm edhe me gjuhën e trupit. E ka të pamundur të konsumojë kafenë e porositur; është tepër e përfshirë në bashkëbisedim. Teksa na tregon se fshihet pas çdo elementi dekorativ të lokalit, nuk e mohon ndihmën e jashtëzakonshme të ish të shoqit. Së bashku duket se i mban ende të lidhur, dashuria për të bukurën.

“Gjithçka e kam nisur me një kapital të vogël, të ofruar nga ish-bashkëshorti im. Ai gëzon një tjetër profil. Është artist, më saktë piktor. Sikundër mund të kuptohet, nuk ka të njëjtin stil pune si unë. E megjithatë, më ka suportuar dhe vijon të më suportojë”-shprehet Ardita, duke na bërë që të ndalemi paksa edhe në marrëdhënien e shëndetshme shoqërore midis dy ish partnerëve. “Besoj fort se njerëzit ndahen në të njëjtën mënyrë që kanë arritur ta ushqejnë dhe kultivojnë lidhjen e tyre. Çfarë është në fund të ditës ndarja? Thjesht një vendim. Pavarësisht lëndimit të përkohshëm, nëse marrëdhënia me partnerin është bazuar gjatë gjithë kohës në komunikim të shëndetshëm, kjo e fundit besoj se do të arrijë të triumfojë në një mënyrë apo në tjetrën. Për të mos përmendur më pas fëmijët dhe punën, si arsye kyçe të shoqërisë sonë të palëkundur”.

Meqenëse përmend fëmijët, shfaqim kureshtje për të si nënë. Me një lirshmëri të pazakontë, Ardita thotë se nuk dëshiron ta quajë veten shoqe, ndonëse ka ushqyer prej vitesh një raport miqësor. “Do thoja që jam një mama paksa e rreptë, por vetëm në drejtimin e shkollës. Jam munduar gjithmonë që t’i tregoj tablonë shumëngjyrëshe të botës ku jetojmë. Edhe me to gëzoj një komunikim tepër të lirshëm. Nuk mund të hiqem si një person tjetër përballë tyre. Kjo jam unë! Dhe për të qenë e sinqertë, brezi i ri më bën shumë përshtypje, i shoh tepër naivë. Ndoshta për shkak të mënyrës sesi janë rritur, pa kurrfarë trysnie të ushtruar…Megjithatë, mendoj se janë të pakët ata fëmijë që nuk i ngjajnë prindërve të tyre. Po ndaj me ju një episod të një dite mëse të zakonshme. Isha e shtrirë në dhomën time dhe Antoni, djali im i madh, vendos këngët e Nirvanës. Pasi kishte një orë e gjysmë që isha zhytur në kujtime të së kaluarës, iu drejtova dhe i thashë: Anton, më ke ofruar një nga mëngjeset më të bukura që mund të ketë një 40-vjeçare”.

Më tej, Ardita tregon se nuk është aspak një grua që i pëlqen të gatuajë, apo të hapë dyert e shtëpisë për miqtë e saj. “Unë s’mbaj mend një periudhë të jetës sime, që të mos kem qenë e rrethuar nga njerëz të njohur dhe të panjohur. Është bukur të jesh në kontakt të vazhdueshëm me persona nga të cilët ke ç’të marrësh, por ama është njëkohësisht edhe shumë e lodhshme. Unë nuk ftoj asnjë njeri në shtëpinë time. E shoh si të vetmin vend ku mund të shkëputem nga gjithçka dhe kushdo. Sa për pjesën e të qenurit një amvisë e përkushtuar, nuk është aspak pjesë e karakterit tim.

Por për sa kohë e sheh ajo veten duke drejtuar dhe menaxhuar një lokal? Çuditërisht, jo për shumë. Duket se i ka dhënë vetes kohë edhe 2-3 vjet.  “Dua të kaloj në një tjetër stad. Mund të them se kam dhënë shumë nga vetja në këtë drejtim. Jam konsumuar shumë. Them se do t’i përkushtohem asaj çka më bën realisht të lumtur. Jam e çmendur pas veshjeve. Ndonëse duket diçka sipërfaqësore, mua më pëlqen që njerëzit të duken këndshëm. Kam prej një viti e gjysmë një dyqan veshjesh, por synoj shumë më tepër. Nuk mund të them konkretisht se çfarë, por ajo çka mund të them me plot bindje është se pas disa vitesh e shoh veten në këto ujëra”.

 


Etiketa: ,

Pas