Dikur

Aspekte nga mizoritë greke ndaj shqiptarëve, 1912-1926





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:24 - 02/07/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I KALUAR


  1. Marrëveshje në dëm të interesave të shqiptarëve

Krahina e Çamërisë, si pjesa më jugore e trevave të banuara prej shqiptarëve zë një vend të rëndësishëm në zhvillimet historike të popullit tonë. Gjatë luftërave Ballkanike 1912–1913 popullsia e Çamërisë, së bashku me njësitë ushtarake që dërgoi Qeveria e Përkohshme e Vlorës, iu kundërvu me vendosmëri ushtrive pushtuese greke, që u dyndën në këtë trevë shqiptare. Por Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), në kundërshtim me vullnetin e popullsisë së Çamërisë, vendosi t’i jepte pjesën më të madhe të saj Greqisë. Pas Luftës së Parë Botërore, qeveritë e ndryshme greke shpërngulën me dhunë dhe dërguan në Anadoll si turq dhjetëra mijë çamë myslimanë dhe shqiptarë të tjerë të Epirit.


Në një dosje (pa vit) të fondit arkivor të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit Shqiptar, ku administrohen promemorie, raporte, fjalime e protesta mbi trajtimin e shqiptarëve në Jugosllavi e Greqi, përfshirja e tyre në shkëmbimin e popullsisë myslimane dhe artikuj të ndryshëm mbi origjinën e popullsisë së Epirit ndodhen edhe statistika të shqiptarëve të Greqisë, si dhe një hartë me qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë Jugore të djegura tërësisht ose pjesërisht nga grekët.


Të dhënat që jepen në statistikën e krahinave të shqiptarëve në trojet e tyre në Greqi janë:

RrethiTotalShqiptarëSerbëBullgarëRumunëGrekë
Kastoria96 32637 11830 98314 98713 238
Filat28 47322 3486 127
Gumenica10 12610 126
Aidonat16 35513 7802 575
Margëllëç15 72315 723
Parga1 300800500

Shkëmbimet filluan pas nënshkrimit në Lozanë (Zvicër) më 30 janar 1923 të konventës ndërmjet Greqisë e Turqisë për shkëmbimin e popullsive greke e turke. Mirëpo qeveria e Athinës, në kundërshtim me zotimet që kishte marrë, si dhe në kundërshtim me dispozitat ndërkombëtare, po ndiqte kundër shqiptarëve të besimit mysliman politikën e shpërnguljes me forcë nga vatrat e tyre për në Turqi, duke i paraqitur si turq. Për popullsinë shqiptare në Çamëri dhe në viset e tjera u krijua kështu një gjendje shumë e rëndë që ndikoi edhe në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Megjithëse kryeministri shqiptar Fan Noli u prit ftohtë në selinë e Lidhjes së Kombeve, ai e shfrytëzoi rastin në sesionin V të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve për të mbrojtur edhe interesat kombëtarë të popullsisë shqiptare të mbetur brenda kufijve të Greqisë, e cila ishte përfshirë në atë kohë padrejtësisht në shkëmbimet e popullsive greke e turke.

Lidhur me këtë çështje, në fjalën e tij në fund të shtatorit 1924, Fan Noli kritikoi qëndrimet e komisionit miks ndërkombëtar, të ngarkuar për shkëmbimin e popullsive, i cili dukej qartë se po mbante anën e përfaqësuesve grekë, duke përfshirë në shkëmbim edhe shqiptarët myslimanë, që do të thoshte se po zbatonin politikat e Athinës për pastrimin etnik të Çamërisë e të viseve të tjera nga shqiptarët. Fan Noli kërkoi që Këshilli i Lidhjes së Kombeve të ndërmjetësonte pranë qeverisë së Athinës për ta përjashtuar nga shkëmbimi të gjithë trevën e Çamërisë, e banuar nga shqiptarë. Por Këshilli nuk mori asnjë vendim dhe e shtyu shqyrtimin e kësaj çështje për një kohë të pacaktuar.

Disa aspekte të mizorive që ka pësuar popullsia shqiptare në Greqi, në vitet 1922–1926, do të shpalosen në vijim të këtij dosieri. 

  1. Dëshmitë e shqiptarit “Pindus”

Më 23 janar 1923, ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme një letër, e cila i ishte dërguar zëvendësisht prefektit të Shkodrës Rauf Ficos nga një shqiptar që nënshkruante me pseudonimin “Pindus”. Letra ishte hartuar më 30 dhjetor 1922; autori ishte i sigurt që do të identifikohej nga z. Fico dhe i lutej atij që, për interesat e Atdheut, letrën t’ia komunikonte Shkëlqesisë Ahmet Zogut.

Ndër të tjera, më këtë letër “Pindus” evidenton këto fakte:

“… Sikurse keni vu re, kur arrita këtu [Greqi] gjendja e përgjithshme e grekëve merrte në teposhtë; më vonë erdhën ndodhina të tjera që nuk u pritshin aspak e që krijuan një gjendje aq kritike që vazhdon gjithnjë.

Sa përreth, ku gjindem ka qetësi, por ardhja e muhaxhirëve me sëmundje e lëngata gjithëfarësh, mungesa e artikujve parë bashkë me krizën financiare përgatit një situatë mjaft të dyshimtë e që nuk mund të parashihet përfundimi.

Myslimanët këtu relativisht deri tash janë rehat e fati i tyne ka me rrjedh pjesërisht prej Konferencës së Lozanës. Këtu në qytet kam gjetë pak shqiptarë, shumica e myslimanëve shikojnë nga Turqia e s’duan me dijtë për Shqipni. Nga ana tjetër, edhe çamët që janë thjesht shqiptarë, duket se pak shpresë kanë në Shqipni, sepse kur ndodhet që ikin prej vendeve të veta shkojnë për në Turqi. Kam pas rast me i pyetë përse nuk shkojnë në Shqipëri, ndër vllazën të vet, e më janë gjegjë që atje nuk kanë se ç’të bëjnë se nuk gjejnë dot punë. Mjerisht kjo është e vërtetë, kur shihet se edhe prej Toskënisë ka një emigarcion të fortë për në Turqi”.

Mbi çështjen e Shqipnisë së Jugut, quajtur prej grekëve Epiri i Veriut, “Pindus” shkruan:

“Sikurse e  dini, grekët nuk kanë mujtun kurrë me hjekë dorë prej atyre viseve, për të cilat janë bâ shumë veprime e për të cilat shihen edhe shumë libra të botueme prej grekëve me qëllim propagande. Pra për grekët çështja Nord-Epirote nuk vdes kurrë, prandaj mbas mendimit tim edhe vërejtja e jonë shqyptare lypet gjithëherë me kenë e drejtueme andej e me punue ndër ato vise me mjete kulturore, tuj shikue me bâ e me zhdukë ato gjurmë të përgjakuna që kanë lânë grekët me propagandën e tyne helmore.

Administrata, gjygjet ndër ato vise duhet me qenë shembullore e sidomos muhamedanët, për dashtuni të lirisë, lypet të bëjnë sakrifice të kondendojnë kristjanët pa i diftue ligshti, por dashtuni e zemër të gjerë.

… Sikurse dihet opinionin publik ndër këto vite e formon qeveria dhe organet e saj, pra kuptohet vetiu se qeveria greke don gjithmonë me fitue kohë tuj pritë komplikacione e përfitime prej tyne. Ç’shpresë mund të kenë Greqia për një modifikim të kufinjve me Shqipërinë e për dobi të veten nuk dihet ose nuk shihet; vetëm një send mundet me vu në rrezik qetësinë, fuqia e armatosun e tyne nën sundim të një qeverie iresponsable – duhet me dijt’ se Greqia nuk ka lëshue as një klasë e qëndron në gjendje luftarake, punë e cila nuk kuptohet aspak kur të merret parasysh gjendja financiare.

Mbasi Komisioni i Kufijve mori pushim, dy sende me një farë rëndësie kanë ndodhë për çka i përket çështjes së kufinit dhe asaj shqiptaro – greke.

1) Kufini u mbyll përsëri, mbas një urdhëni prej Athinës e munden vetëm me kalue ata që janë të njoftun mirësisht (favorablement) prej autoriteteve greke. Sa për myslimanët, qofshin të këndejshëm apo të andejshëm, urdhri është fare negativ e absolut. Po kësaj çështje e cila ka mjaft rëndësi, nuk po due me i dhanë një fytyrë seriozë, tuj qenë se kso fare chicanesh kanë ndodhun shpesh në kufi”.

Çështje me rëndësi është:

2) Një urdhën i botuem këtë dhjetor (1922) e që i përket shërbimit ushtarak të personave lindun brenda kufijve të Shqipërisë, pra nënshtetas shqiptarë. Urdhëri thotë:

Një dekret për thirrjen nën armë për të lindunit n’Epir të Nordit e banuesa në Greqi është nënshkrue – thirren klasat 1919 – 1922, tuj qenë [se] klasa 1923 është tuj e bâ shërbimin. Nuk është nevoja të shtoj asnjë fjalë mbi këtë çështje se shihet qartas abuzimi dhe dhuna që u bâhet nënshtetsave shqiptarë e zakoneve të drejtësisë ndërkombëtare.

Për të ardhmen, “Pindus” këshillon:

“Qeveria shqiptare të kenë fort kujdes e sjellë sytë kah kufini i jugut sepse, në një kohë që qeveria greke është iresponsable, mund të krijojë të paprituna. Nuk këshilloj sot për sot forcimin ushtarak të kufinit për mos me hy ndër shpenzime e aq më tepër kur n’anë të këtejshme nuk shihen lëvizje ushtarake. Por tue qenë se grekët përgatitjet e veta, duke pasë ushtrinë në këmbë, mund t’i bëjë pa vonesë, prandaj e shoh plot të arsyeshme krijimin e një a dy stacioneve lajmëtare afër kufirit, të cilat stacione lypet të kontrollojnë me ditë gjendjen e sidomos [gjendjen] ushtarake në zonën greke. Oficerët për këtë shërbim lypset të jenë mjaft të besueshëm prej shtabit madhor e të jenë të zgjuar tuj marrë responsabilitet të madh mbi vete, kuptohet se lypset mbajtë këshilli e rezerva”. 

  1. Mazhar Dino: – Me këto që po u ndodhin, çamët janë gati të shkojnë në Ferr

Më 5 janar 1924, përfaqësuesi i Shqipërisë në Greqi, Mazhar Dino, i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Tiranë, këtë raport mbi mjerimet e çamëve në shtetin grek:

Mizoritë që ka pasur Çamërija 11 vjet me rradhë nën sundimin grek janë të njohura pak a shumë. Këtu do të përshkruaj me shifra dhe dokumente në dorë, vuajtjet tragjike të tridhjetë e pesë e ca mijë shqiptarëve në kohëra mâ të afërme, me hollësira dhe episode që do hedhin dritë mbi mjerimet e Çamërisë sonë.

Nga fundi i Vjeshtës II (tetor) dhe nga fillimi i Vjeshtës III (nëntor) të motit 1922, refugjatë grekë nga të Turqisë erdhën në Greqi. Prej këtyne 12 000 (8 000 njëherë dhe 4 000 më pastaj) zbritën në Gumenicë dhe qeveria greke i vendosi në shtëpitë e çamëve. Në Gumenicë, në Kastri, në Paramithi, në Kardhiq, në Varfaj, çamët u shtrënguan t’i ushqejnë këta refugjatë për një muaj; në Arpicë me presion të stacionkomandantit vendësit i ushqyen 4 muaj me rradhë. Se ç’pësoj Çamëria me këto tufa refugjatësh brenda në shtëpitë e tyre merret me mend: veç dâmeve materiale edhe nderi i tyre u muar shpesh herë nëpër këmbë.

Si iku shumica e madhe e këtyre refugjatëve edhe u vendos ne Maqedoni (krahina e Maqedonisë në Greqinë Veriore – V.H.)  4 000 (katër mijë) e ca që mbetën zunë edhe i shkelën si zotër shtëpitë ku ndodheshin dhe ato ara që kishin liruar.

Disa fshatra, sidomos në krahinën e Gropës, për të shpëtuar prej refugjatëve i paguan nga 15 Dhrahmi ryshfet rrethkomandantit. Por më e keqja ishte se refugjatët, me ndihmën pasive të xhandarmërisë greke, u zinin pusi udhës dhe i rripnin ose plagosnin natën në shtëpitë e tyre. Në Shkupicë (Paramithi) 30 veta hynë natën brenda në shtëpi të Nuredin dhe Bajram Kushit duke i munduar dhe duke i plaçkitur.

Në fshatin Shenicë (Margëllëç) pritën Adem Sheherinë dhe e vranë. Në mahallen Kamin të fshatit Dragoni (Paramithi) hynë dhe bënë plaçkitje anembanë. Në Shulash të Gumenicës, si dhe në Gumenicë brenda, refugjatët me ndihmën e xhandarmërisë trembnin njerëzinë dhe duke qëlluar me armë plagosën dy shqiptarë.

Qeveria greke, kur thirri nën armë 19 klasë nga turqit e Maqedonisë, shumica e të cilëve e kishin bërë shërbimin ushtarak, thirri edhe çamët duke i numëruar këta si turq, meqë kjo masë u muar si përgjigje nga ana e guvernës greke për një masë analoge të qeverisë turke kundrejt grekëve të Turqisë.

Një komision çamësh vajti në Athinë, në qershor 1923, edhe shfaqi pranë qeverisë greke se Çamëria është një vend i banuar prej shqiptarësh dhe prandaj nuk donin që të venin në Turqi. Çamët me anë të nji delegacioni tjetër në Athinë kishin protestuar edhe kundra masës që i shtrëngonte t’u lëshonin refugjatëve 75% të shtëpive të tyre.

Qeveria greke u tha se nuk do t’i quante si turq dhe se duhej të duronin pak deri sa të mbaronte Konferenca e Lozanës dhe të merreshin masa sigurimi për ta. Dhe që nga ajo datë e deri sa u vra Tellini mjerimet dhe mundimet e çamëve sikur u pakësuan në një farë mënyre, ndonëse autoritetet greke informoheshin pa pushuar mbi pasunin e tyre dhe mbi të tjera.

Por, që pas vrasjes së Tellinit dhe sidomos si u zu Korfuzi nga italianët, u duk sheshit qëllimi i grekëve për të dërguar çamët në Turqi. Atëherë autoritetet greke përpiqeshin të shpiknin kryengritje dhe komplote të pa qena nga ana e çamëve. Në Margëllëç komandanti i xhandarmërisë dhe nënprefekti i atjeshëm, me pretekstin e nji komploti të paqenë, i dërguan në gjygjin ushtarak të Janinës dhe i burgosën 60 veta nga parësia (Myftin Adem Efendi, Ibrahim Rojben, Mehmet Buzen, Haxhi Brahon). Me një mijë përpjekje dhe sidomos me ndihmën e deputetit të Konicës, Panajot Floros, mezi u liruan.

Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë greke Florias dhe prokurori i Diktimit t’Athinës erdhën gjoja për të bërë hetime mbi vrasjen e Tellinit. Kurse Komiteti Nacional i Janinës mundohej me çdo mjet e çdo mënyrë që çamët të dërgoheshin në Turqi dhe bashkë me komandantin Florias kërkuan nga qeveria që të veprohej në këtë kuptim.

Kështu nisën përsëri me një sistem persekutimet e fundme kundër çamëve. Tashti këta nuk ishin më të zotët e pasunisë së tyre: qiraja do të jepej me arkën e shtetit; gjysma e prodhimit, pendet dhe veglat e tjera bujqësore refugjatëve; gjithë prodhimi i arave të tyre atyre që i kishin lëruar, po të mos ishin çamër. I ndaluen të mbillnin në kohën e duhur. Dekreti për ndarjen e çifliqeve doli për Çamërinë në kohën e të korrave, me qëllim që të mos mbillnin prodhimet e sivjetme. Pastaj këto çifliqe nuk ishin të ndonjë njeriut, po të shumë vetave dhe ligji mbi çifliqet nuk i përmendte këto raste, si çifliqet Skendal, Stanove, Kariot etj. Në 150 stremet që kish zoti Reshit Bako dhe në çiflikun Skendal, kur ata po punonin me pendet e veta duke mbjellë, hynë refugjatët dhe i mbollën për hesapin e tyre. I sipërpërmenduri zoti Bako shkoi në gjygj, fitoi gjygjin, po prapë puna mbeti si ishte, pa u vu në veprim vendimi i gjygjit, simbas zakonit që kanë bâ në shumë [raste] të tjera. Në Gumenicë refugjatët u ranë ullinjve të shqiptarëve dhe i mblodhën të gjithë. Me dekret mbretëror në Vjeshtë të tretë prapë në Gumenicë të gjitha livadhet u zunë nga refugjatët. Të gjitha këto në një mënyrë arbitrare, pa çmim, pa ndonjë shpërblim.

Rrojtja në Çamëri sot është bërë e pamundur. Autoritetet qeveritare u kanë bërë shesh të lirë hajdutëve që të bëjnë ç’të duan në kurriz të çamëve. Jo vetëm kanë dy hajdutë të njohur, kapidan Hariloa dhe Niko Qano, dhe i kanë vënë në krye të ushtarëve dhe të xhandarëve me qëllim gjoja për të ndjekur hajdutët, por në të vërtetë me qëllim që të merren vesh me hajdutët dhe të mundojnë çamërit e mjerë edhe t’i shtrëngojnë kështu të largohen nga Çamëria.

Në Kardhiq, në Dragoni, në Karbunarë mundimet e banorëve ishin n’atë shkallë sa u shtrënguan të lënë plang e shtëpi e prokopi dhe të venë në Paramithi dhe në Margëllëç, ku janë qytete e mund të mbrohen. Tetë mijë krerë gjë të gjallë i shitën për hiç gjë. Refugjatët u zânë vendin ku ndodhen dhe sot.

Guximi i hajdutëve âsht aq i madh sa natën hyjnë dhe në qytete dhe sillen rreth shtëpive të çamëve. Qëllimi është të vrasin dhe të trembin parësinë: Në Paramithi janë munduar të hyjnë në shtëpitë e çamëve Hahraman Promja, Malko Meto, Mec Dervishi, Mazhar Dino etj.

Autoritetet greke, në vend që të marrin masa, i këshillojnë çamët të ikin në Turqi pse ato nuk mund që të bâjnë gjë kundër refugjatëve. Një komision i përbërë prej një zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me nënprefektin dhe kryekatundarin e Filatit po shëtit duke pyetur çamët në janë turq apo shqiptar. Në Filat brenda i pyetnin vetëm ku kishin lindur dhe ku kish lindur ati i tyre. Fshatarët i thirrën një nga një me anë të kryekatundarit dhe i pyesnin në ishin turq mysliman apo shqiptar mysliman. Shumë prej atyre që u paraqitën, me shpresë se do të shpëtonin nga mizoritë e hajdutëve, përgjigjeshin se ishin turq dhe vinin nënshkrimin e tyre dhe të tjerë që ishin shqiptar mysliman po shfaqnin dëshirën për të ikur, me që rrojtja e tyre ishte e pamundur.

Nga ç’treguam më sipër duket se qeveria greke po mundohet me çdo mënyrë që të dërgojë çamët në Turqi. Dhe me këto sisteme që ka nisur nuk mund që të mos ia arrijë qëllimit, pse çamët më këto shtrëngime që po u bâhen, me këto ndodhi në të cilat dhe nderi i grave të tyre nuk âsht i siguruar, do të marin me sy të venë jo në Turqi, po edhe në Ferr.

Pra, i nënshkruari me anën e kësaj shkrese, kam nderin t’i shfaq Shkëlqësis s’Uej se çfarë masash ka ndërmend të marrë Qeveria Kombëtare përpara kësaj gjendjeje të mjerueshme të Çamërisë. Si mund të përfundohet, prej ngjarjeve të sipërtreguara, nga masat legale me dekret mbretnorë që po merr qeveria greke, përveç masave të tjera jozyrtare, por me futjen e njerëzve të qeverisë greke, me ndjekjet, burgosjet e vrasjet e panumërta që iu bahen çamëve, natyrisht ka për të ardhur një ditë që këta dyzetë mijë shqiptarë, të mbetur pa mjete ekonomike, pa sigurim jete e nderi do të shtrëngohen të largohen nga vendi i dashtun i tyre, mbasi nuk do të ketë mjete për rrojtje.

Vallë largimi i tyre nga Çamërija a nuk do të jetë nji humbje për jetë e asaj toke arbërore? A nuk do t’ishte mâ mirë që k’ta vllazën të mjerë, në vend që të shtrëngoheshin nga e pamundja me shkue ndofta në Turqi, të kenë një vend banimi sa me jetue së bashku me bashkëatdhetarët e tyre në Shqipërinë e lirë? Kujtojmë se do të mund të largoheshin pak a shumë k’to mjerime e vuajtje të popullit t’atjeshëm (Çamëri), në qoftë se edhe qeveria shqiptare të dukej sikur âsht duke marrë masa analoge, ose tue vendosun ato urdhna që kërkon të zbatojë Greqia atje.

Besojmë se Qeveria shqiptare duhet të marrë disa masa pak mâ të shpejta, sepse, sikur dihet, koha e caktuar për shkëmbimin e refugjatëve midis Turqisë e Greqisë mbaron në fillim të majit 1924, e kështu mos të gjindemi përpara një fakti të ngutshëm që të dërgohen çamët, të shtrënguar, në Turqi.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM

LEXO EDHE:

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve

 

 


Etiketa: , , , , ,

Pas