Kompania AstraZeneca i mëshon vendimit për të furnizuar fillimisht me vaksina anti-Covid Britaninë e Madhe, më pas vendet e Bashkimit Europian.
Në një deklaratë për mediat, shefi ekzekutiv i kompanisë, Pascal Soriot u shpreh se marrëveshja me Britaninë është firmosur disa muaj para së të nënshkruhej me BE-në, ndaj dhe furnizimi me vaksina do të ketë dallime.
“Marrëveshja me Britaninë u arrit në qershor, tre muaj para marrëveshjes me BE. Natyrisht dhe furnizimi me vaksina do të bëhet në kohë të ndryshme”, – u shpreh Soriot.
Prej ditësh kompania AstraZeneca është përfshirë në një debat me zyrtarët e BE-së, për vonesat në furnizimin me vaksina.
Komisionerja e Shëndetësisë në BE, Stella Kyriakides, ka shprehur pakënaqësi me kompaninë britanike duke thënë se prodhuesi i ilaçeve nuk po i përmbahet kontratës që është firmosur më herët.
Por Pascal Soriot theksoi se vonesa e dërgimit të vaksinave ka ardhur si pasojë e problemeve në prodhim dhe sasisë së madhe që po kërkohet nga vendet e BE-së.
Deri më tani Bashkimi Europian ka porositur 300 milionë doza të vaksinës AstraZeneca dhe mund të kërkohen dhe 100 milionë doza të tjera.
Etiketa: Astrazeneca, Bashkimi Europian, Britania e Madhe, Pandemia COVID-19