Cikel poetik nga Faruk Myrtaj
1.
Në vendlindje jetojnë vetëm njerëz të bukur…
(meditime emigranti)
Aty jam, aty, askund tjetër,
Ku tjetër veç në ato udhë…
Në kurthe malli, ujëra loti, gjelbër në blu
Ato troje, bekuar prej mungese,
s’e di se si, s’di se pse…as se kur…
Në mëmëdhe jetojnë veç njerëz të bukur
I kemi me vete, pas vetes, siç lënë atje
Kudo këndej, ikur si unë, i mbaj larg, frikur…
Tek e fundit prej tyre kam ikur!
Rrallë e më rrallë në Atdhe po dukem,
Si në ikje pa adresë, pa shkak të thënë
në frikë të pa pra, mos s’gjej tjetër imazh…
Më mirë i rri larg…
Atdheu mbase s’është ai që shihni e prekni për ditë
S’është e thënë të jetë as imazhi që gëzoj unë,
Është ç’hynë e s’del nga trupi kthyer në shpirt
Duke ëndërruar atyshëm sy-mbylljen më në fund…
Vendlindje, djep a lojë…si i bëhet vallë?!
S’po gënjej dot veten të kthehem gjallë!
2.
Vjershë për tim bir dhe berberin e tij të parë!
Nën këmbët e berberit flokët e tim biri,
Flokët e tim biri përtokë hedhur.
Erdhi e m’u qa i vogli, fyerje-brishti,
Për flokët e shkelur!
“Me gërshërë m’i priste, m’i hidhte përdhè
E shkelte mbi to…”
(Dëgjoni, o njerez, këtë berber
s’e le më të rroje!)
Si ta qetësoj e s’di si t’i them
Tim biri, fyer për herë të parë.
“Flokët?! Eh flokët, gjë pa nerv,
Berberi pastë dorën e mbarë…!”
I brishti im, i pamësuari me fyerje,
Që endè ngatërron flokët me kokën…
Berber, lëvduar qofsh prej meje,
Që fillove shpjegimin e Botës!
1987
3.
Kopsa të vogla, të mëdha dhe kopsa të tjera
Palltoja ime me kopsa të rënda, të mëdha,
Xhaketa mbërthyer me kopsa jo aq të vogla
Dhe këmisha, bluza, trikoja e pantallonat
Së paku nga dy-tri pulla I kanë
Vet ua kemi qepur!
Në vend të drynave, kopsat përdorim
Për të fshehur e zbukuruar veten
Si joshje dhe si kurth të dashurisë…
Nga pullat, komçat as nga kopsat s’na vjen
Dhe as na ikën
Mungesa e lirisë!
1988
4.
Vendlindje s’është…
Vendlindje s’është thjesht “atje ku je lindur”…
Është ku je lindur dhe ku ende ke dëshirë të mbyllësh sytë e vetes.
Atje ku pranon, pa fjalë, siç të lindën përmes një të qare që s’ishte e qarë
Përmes një heshtje prej të urti, prehjes së më-në-fundme t’i jepesh…
5.
Emigrant i vonë
Shpresoj më shumë zemër, më tepër mirësi,
Nëse u bie në sy ardhja ime këtu.
Më lipset ca kohë dhe juve ca durim,
Kam ikur prej të Mive, ende s’jam në Ju…
Besomani ethen…të lindem këtu provoj
Çdo ditë hollon muret midis, paretet
Në s’dini llojin, prej foshnje të vonë
Provoni si nënë që lind fëmijën e një tjetre…
Çdo fjalë, çdo gjest, shtron pritjen e ngrohtë
Lindjen e dytë, ëndërruar në të urtë.
Në shfaqem si foshnjë me dukje burri në moshë,
Mos dyshoni, ju lutem: i sa-lindur, këtu.
Bekuar durimin, për të qarën time si bebe
Oqeane kalova, mbështjellë me tokë Prill.
Me sqep zogu provoj të gërvisht lëvozhgën e vezës,
Në tokë-djepin e premtuar, në mund të rilind…
6.
VLORA
Deti rob i mbetet
Tek këmbët i rri…
Vlora herë i jepet,
Herë vrerët i rri
Zot, vetë e bëre…
Mos e ha me sy!
Gdhinë dita ters
Nxin Karaburuni
Bëhet natë me hënë
Vlora nëpër gjumë
Sikur shkon e zhytet
Pa shenjë e pa udhë
Bëje dallgë, o Zot
Na e kthe në breg
Nëse niset, prapë
Le të shkoj, të mbytet…
Është Vlorë, im-Zot
Si Vlorë na dhimbset…
Vlora mbetet Vlorë
Deti mbetet Det…
Dy të dashuruar
Vend-takimi Breg!
7.
Qytete të vetmuar
Kur bie një gjethe, nis e rrëzohet një pemë!
Shembet një pemë, uturon pylli, sikur rrëzohet vet ai
Njerëzit e sotëm… të ftuar në qytetet e mëdha
ku nuk u kërkohet të dinë për fqinjin përbri…