Mapo Letrare

Atë portë që e mbyll vdekja, e hap dashuria





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:57 - 19/01/20 |
Eli Kanina

“Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” nga Zija Çela

(Në 50 vjetorin e përkthyesit Dritan Çela)


I nderuar Dritan!
Uroj që qiejt e tu, sot të shkrepëtijnë nga lumnimi i pasjes tënde si një dritë hyjnore, atje lart! Ta gëzosh pesëdhjetvjetorin e lindjes, atje ku perëndia zgjodhi të të ketë, për një pranverë të përjetshme!



Përkthyesi i ndarë nga jeta, Dritan Çela

Edhe më e dukshme bëhet mungesa jote kësaj dite, kur ti në një prej viteve më të bukura të jetës, ndoshta pa dëshirën tënde, ike larg prej atyre që të lindën, dhe larg prej atyre që linde për ta trashëguar jetën!


Ti nuk je sot, pranë atyre që deshe, por ti je i përkujtuar dhe më i dashur, edhe prej shumë më tepër sesa të kishin, e të kujtojnë së gjalli! Kjo sajë veprave që u përkthyen prej teje por edhe prej dashurisë, që të përjetësoi ty në një vepër! Ashtu si pazëlli do pjesëzat e veta për tu bërë një i vetëm, ashtu edhe kjo ditë do fjalët e veta, do kujtimet e veta, ditë pas dite, vit pas viti, gojë pas goje e shkrim pas shkrimi, për të na sjellë të plotë njeriun, që këtë ditë e ka të personalizuar si ditëlindjen e vet. Kjo ditë, tashmë që shpirti yt është në amshim, është kthyer në datë përkujtimi, për familjen tënde, për miqtë që ke lënë, por edhe ata që ke bërë miq pas ikjes…

Tani ti ke një pyll me miq! Një pyll që gjelbëron e shtohet jo vetëm sepse “për dashurinë shkruhet pas vdekjes” por sepse vlerat e tua ishin toka të pasura, ku mbijnë e rriten filiza miqësie pa u shterur. Sepse dashuria i ushqen! Ka mijëra dimensione të saj që i rrinë mirë përjetësisë me ty. Unë do të doja të falenderoja, e të flisja për atë që më njohu me ty, atin tënd shkrimtar, Zija Çela!

Kur isha në gjimnaz, shoqja ime e klasës dhe e pallatit, Orjeta, më dhuroi për ditëlindje librin e shkrimtarit nga Shkodra, Zija Çela. E lexova me kënaqësi romanin “Gjaku i dallandyshes”. Kur shkova studente bleva më pas edhe “Mali i tejdukshëm”, “Gjysma e Xhokondës”, “Eklips”, e të tjerë më vonë, që do të rreshtoheshin në bibliotekën time, si një dëshmi e hershme për autorin e preferuar Zija Çela..

Pas martesës dhe disa vitesh në Greqi,(që do të thotë e shkëputur nga letërsia dhe realiteti shqiptar) kur u celebrova me librat e mi tek MUZGU, lexova një esse nga libri “Komshinjtë e vdekjes” e mikut tim, shkrimtarit dhe botuesit Mark Simoni. Tema e saj ishte vdekja, pasqyrimi i saj në letërsi nga autorë shqiptarë e të huaj, që ishin përvëluar me vdekjen e evlatëve. Lexova emrin e Zija Çelës dhe kureshtja nuk më la. Marku më tregoi se i biri kishte qenë një përkthyes i talentuar, për të cilin Zijai kishte shkruar një libër. Mu kujtua se e kisha lexuar emrin e tij si përkthyes tek “I thuaj zemrës po” i Suzana Tamaros. Mendova qysh atë çast se Zijai, Biri dhe Vdekja, ishin Bermuda e letërsisë shqiptare, por kjo mbetej për ta konfirmuar. Vdekja në atë esse, ishte përpjestuar në shumë autorë njëherësh, ndaj nuk ia vlerësova peshën tek Zijai. Vdekja aty nuk mu duk gjëmë(gjëma shuan gjithçka), por një sfidë jete përderisa frymëzonte tek shkrimtarët, letërsi nga më të bukurat…

Në Panairin e Librit, mora librin Ora e Zooparkut nga vetë shkrimtari Zija Çela. Ndoshta ishte dashamirësia me të cilën më drejtohej si të barabartë, që ma qartësoi madhështinë e këtij njeriu, jo thjesht një autor i shkëlqyer. Ndërkohë që flisnim e shkëmbenim librat, një mike e së bijës, Rivës, na ndërpreu duke kërkuar “librin e Tanit”. Nuk e humba rastin ta marr edhe unë. Ndërsa shkruhej dedikimi për mua, një grua e ulur aty, më foli diçka. E pyeta Zijain për të, dhe ai me habi mu kthye: -Siiii, nuk e njeh mammin?! Atë e njohin dhe e dinë të gjithë, nëna e Dritanit…
Por flakaresha e vërtetë do më vinte pas pyetjes time absurde:

-Nga çfarë aksidenti iku biri juaj?
Kuptohet ishte pyetje pa kuptim për të dy, një pyetje që nuk donte asnjë përgjigje…por gjithë librin. Ndaj të dy më panë çuditshëm në heshtje, sikur ta kuptonin edhe më mirë pse duhet ta lexoja librin për Dritanin. Zijai, ndërkohë e kishte dedikuar librin dhe ma vuri në dorë, sikur të më kishte dhënë një foshnjë për ta përkujdesur. Duke lexuar dedikimin, kuptova se ishte edhe përgjegjësi, të kishe bindjen e Mjeshtrit për t’i bërë vend dhimbjes për Tanushin, (siç ai e thërriste), përveç privilegjit. Në një gjendje faji (sigurisht jo për vdekjen) për ato që s’i dija, dhe që s’kisha lexuar më parë atë libër, u shpjegova se nuk kam qenë prej shumë vitesh në Shqipëri, duke e mbyllur me një përqafim lehtësues të dyve. Mora pjesën time të dhimbjes për birin e tyre Dritanin, të cilin vajza ime e fiksoi në një foto…

I nderuar Dritan!
Me përqafimin e prindërve të tu, mu duk se ceka edhe dhimbjen e mungesës tënde! Mu duk se mammi Aliqi jo vetëm ma fali mosdijen për ty, por edhe më mirbesoi një pjesë të peshës së dashurisë prej nëne, që vuante në çdo psherëtimë që nxirrte me emrin tënd. Me këtë libër, unë u njoha me ty, aq sa të kuptoja “pse, për dashurinë shkruhet pas vdekjes“.

Rastësisht pashë se në fund të librit nuk kishte çmim. Si mund të kishte çmim dashuria e prindërve për birin! Edhe më i çmuar bëhej pas leximit ai libër, me një mardhënie familjare të përjetësuar! Vjen një kohë kur kjo mardhënie shpërblehet, në kahun tjetër nga biri tek prindërit. Por ti, nuk do ta kishe këtë mundësi t’i shpërbleje Dritan! Ndaj babai yt na e dha ne lexuesve mundësinë, që t’i përqafojmë ata prindër, si ty, kur marrim në dorë këtë libër. Ne lexuesit mësojmë aty të të duam, të mbajmë pakëz peshë humbjeje, për të lehtësuar sadopak dhimbjen, dhe ky është shpërblimi. Ai libër, nëpërmjet lexuesve të vet, me brendinë që rrëfehet si para Zotit, i justifikon, i qetëson, i përmbush, i shpërblen ata prindër si të ishte vetë biri. Ai libër i siguron JETËGJATËSI Dritanit, (përpos librave ku ai ka lënë emrin e tij si përkthyes), dhe kjo nuk është pak për ata prindër!

Libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” është një vepër ku autori Zija Cela është Zoti i dhimbjes së vet, të cilën forcërisht e përballon, (aq sa durohet heshta në brinjë) dhe na e sjell si një mesazh të fortë dashurie! Është një libër që nuk qurravitet prej vdekjes, por nuk mund t’i shkosh deri në fund pa u ngashëryer për shpresën dhe dashurinë që e përshkon si fill i kuq, ndërsa fati luan duke numëruar mbrapsh. Duket se daullet e librit bien, për ta treguar e rijetuar dashurinë orë e çast. Sepse një jetë e jetuar me dashuri, edhe pas vdekjes mund të tregohet e frymëzon përjetësi.

Vdekja e birit është një sfidë në jetën e autorit, që fatkeqësisht për të, e fatmirësisht për lexuesit kthehet në sfidën e penës së Zija Çelës. Jo për ta ngushëlluar për humbjen, por për ta anashkaluar mungesën fizike, me përjetësinë e vlerave të birit. Tejçimi i vlerave njerëzore e profesionale të Dritanit, jo vetëm është motiv, por edhe e përligj librin. E kush më mirë se një prind, njeh dobësitë e fëmijës? E kush më tepër se një shkrimtar kalibri, do të maste profesionalisht, punën e një përkthyesi të pasionuarl?

Ky libër duket sikur vë në hije veprat e parashkruara të atit Zija, dhe shumë lexues të rinj e nisin njohjen me të dhe veprat e tij, pikërisht me librin e Dritanit. Por gajleja e Zijait, nuk është më vetja. Ai e mbart dhe prezanton vdekjen e birit, dinjitoz, pa e keqpërdorur atë. Sepse Zija Çela ishte dhe mbetet një shkrimtar i shkëlqyer dhe i vlerësuar me çmime, pavarësisht këtij libri. E megjithatë me këtë libër Zijai shkrimtar e prind identifikohet denjësisht. Këtu takohet, barazohet me birin dhe duket se konkurohet e tejkalohet prej tij. Por Zijai shkrimtar nuk ka asnjë kompleks përfituesi apo egoisti, kur shkruan e rrëfen për përkthyesin, do vetëm e vetëm që të përcillet tek lexuesi, Dritani, për gjithçka s’mundi vetë. Është me fat Zijai në këtë pikë, sepse përzgjedhja e autorëve të përkthyer nga Dritani është e përkryer. Është kjo një mundësi që e ka, dhe i jep birit “për ta mbajtur akoma pranë” kur kuptoi që s’mund t’ia ndalonte ikjen.

Dritan Çela la vepra të përkthyer prej tij, që Zijai u gëzohet atyre si prindi për fëmijën, si miku për mikun, duke na i rrëfyer edhe ne lexuesve, përmes detajesh në këtë libër. Kur fëmija të nderon, ndjen nevojën t’ua thuash të gjithëve, ta ndash me gjithkënd suksesin e birit. Këtë bën Zijai tek ky libër, ku ndihet se Biri dhe Ati komunikojnë, njëri këtej dhe tjetri andej vdekjes, duke e sfiduar vdekjen, por jo njëri tjetrin. Madje kjo i larton me dashurinë që i mban bashkë, dhe i madhështon në sytë e lexuesit. Babai Zija cfilitet, tkurret e shkruan pa u ndalur, nën peshën e dhimbjes së mungesës së birit, për të shlyer çdo peng, borxh e detyrim ndaj jetës së dyfishtë, për vete por edhe për Dritanin, që ta meritojë madhështinë e përjetësisë, dhe për të shkuar i qetë te i biri. Biri jetoi, punoi fort dhe iku në heshtje, dhe prej andej duket se na thotë: – Bëni atë që dini të bëni më mirë dhe, lërini të tjerët të flasin për ju!

Kështu shfaqet në këtë libër Bermuda e Letërsisë Shqipe, Ati, Biri, e Vdekja, me mesin e tyre të artë, dashurinë! Është ajo që forcon Atin, që preh të qetë Birin, dhe e bën Vdekjen një qiri të ndezur, që u reflekton madhështinë tek ky libër. E vetmja gjuhë që na flet për jetën dhe përjetësinë tek ky libër, duke e sfiduar vdekjen, është dashuria! Japin e marrin dashuri, ata mes tyre, por edhe me ne lexuesit, duke ia rritur dimensionet nga Toka në Qiell, këtij komunikimi vezullues, derisa fati t’i bëjë përsëri bashkë. Ky libër është një urë që qetëson shpirtra, përmbush detyrime dhe shpërfaq vlera:
Vlerat e Dritanit si njeri, përkthyes, e bir!
Vlerat e Zijait si njeri, shkrimtar, e prind!
Vlerat e Dashurisë kur triumfon mbi vdekjen!

Në fund të leximit të këtij libri, ndihem më e afërt me autorin, dhe ndjej ndoshta jo gjithçka ai ndjen për Tanushin, por diçka që bën vend dhe zgjerohet brenda meje, një filiz miqësie. E çfarë është jeta në fund të fundit: E gjërë dhe e gjatë, e ndriçuar nga dashuria, si një udhë plot sfida, ku librat e marrin frymëzimin nga njerëzit, por edhe ku librat frymëzojnë vlera njerëzore!

Sepse atë portë që e mbyll vdekja, e hap dashuria!


Etiketa: ,

Pas