Tre të vdekur është bilanci i një atentati, i tipit mafioz, ngjarje e ndodhur rreth orës 14:40, në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë-Krujës.
Pasi i është bë pritë, është qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të një mjeti tip “Wolkswagen Passat”, që po lëvizte drejt Mamurrasit.
Autorët kanë zbritur nga një tjetër automjet, i të njëjtit tip, duke qëlluar me breshëri ndaj mjetit brenda të cilët ndodheshin tre persona.
Janë derdhur 60 plumba kallashnikovi, duke bërë që mjeti të marrë flakë.
Tre personat që ndodheshin brenda, si pasojë e breshërive kanë mbetur të vdekur.
Njëri prej tyre, i identifikuar si Diklen Vata, 30 vjeç, me origjinë nga Laçi, ka mundur të dalë nga mjeti dhe ka ndërruar jetë në rrugë.
Dy të tjerë kanë mbetur brenda automjetit që ra pre e atentatit, ndërkohë që është dashur të mbërrijnë ekipet zjarrfikëse dhe policia, për nxjerrjen e trupave nga brenda makinës që po digjej. Sipas raportimeve paraprake, dy të tjerët të mbetur në makinë janë shkrumbuar dhe është bërë i vështirë identifikimi i tyre.
Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj nga Fushë-Kruja janë identifikuar më vonë si dy personat e tjerë, të cilët u gjetën të pajetë brenda në makinë.
Mjeti tip “Wolkswagen Passat” brenda të cilit dyshohet se ndodheshin 3 autorët e dyshuar është larguar në drejtim të Mamurrasit. Makina e përdorur në atentat është gjetur e djegur në Larushkë. Janë gjetur brenda makinës së djegur edhe armët e dyshuara që janë përdorur, në krimin e rëndë.
Nga viktimat, të paktën njëri prej tyre ka qenë i arrestuar më parë, për trafik droge, çka nga hetimet paraprake ka bërë që policia të dyshojë për ndonjë hakmarrje mes grupeve kriminale, që operojnë në zonën e Fushë-Krujës, Laçit dhe Mamurrasit.
Në vendin ku ndodhi ngjarja nuk ka pasur kamera sigurie, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar.
Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje dhe janë vënë në kërkim të autorëve të dyshuar.
Njoftimi zyrtar i policisë mbi ngjarjen:
Në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, te mbikalimi i Fushë Krujës, dyshohet se në drejtim të një automjeti tip “Volswagen Passat” është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë automjeti ka marrë flakë dhe janë djegur në automjet dy shtetas ende të pa identifikuar.
Gjithashtu, nga të shtënat ka mbetur i vrarë dhe shtetasi D. V., 30 vjeç, nga Fushë Mamurrasi, i cili ka qenë pasagjer por ka mundur të dalë nga automjeti, dhe ka humbur jetën sapo ka dalë prej tij.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta Policie.
Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volswagen Passat” që dyshohet se është i autorëve. Në brendësi të automjetit është konstatuar një armë zjarri automatike që dyshohet se është përdorur nga autori/ët për të kryer krimin.
Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, po punon për identifikimin e dy shtetasve të djegur në automjet dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve.