Aktualitet

Atentatet e fundit/ FNSH blindon Tiranën, Vlorën, Elbasanin dhe Lushnjen





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 23:24 - 22/01/20 |
mapo.al

Prej dy ditësh efektivët e Forcave Speciale RENEA dhe FNSH po ushtrojnë kontrolle të shumta në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Lushnje. Duket se kontrollet e rrepta po bëhen pas atentateve dhe ngjarjeve të fundit kriminale që ndodhën në vend.


Siç shihet dhe në pamjet më poshtë forca të shumta janë stacionuar kryesisht në Vlorë në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar. Kontrollet janë përqëndruar në akset rrugore kryesore si rruga Transballkanike, Bulevardi i ri i Vlorës apo dhe Lungomare.



Çdo automjet po ndalohet për kontroll të imtësishëm, për evidentimin dhe arrestimin e personave që i kanë shpëtuar ligjit por dhe gjithë atyre që nuk kanë dokumentacionet e nevojshme.


***

Kujtojmë se katër ditë më parë një ngjarje e rëndë u shënua në Vlorë. Një person i maskuar u fut në një lokal dhe qëlloi ndaj dy personave që po pinin kafe. Sipas raportimeve, objektiv i atentatit bëhet me dije se ka qenë Nikollaq Çepaj, i cili sapo ishte liruar nga burgu. I plagosur ka mbetur edhe Roland Çepaj, të afërm me njëri-tjetrin, por autorët ende nuk janë arrestuar. Gjithashtu, mesditën e sotme forcat speciale kanë qenë në Selenicë, ku kanë bërë një krehje të zonës dhe janë pozicionuar në hyrje dhe në dalje të fshatit, duke kontrolluar automjetet.

***
Dy netë më parë një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Tiranën. Vilson Tafçiu mbeti i vrarë me tre plumba në gjoks nga Noel Disha, 29-vjeç. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim nga policia.
I riu me origjinë nga Dibra u qëllua me tre plumba në gjoks mbrëmjen e 20 janarit në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ku autori e thirri në emër për të dalë jashtë nga lokali ku Vilson Tafçiu po konsumonte kafe në praninë e disa personave të tjerë.

Tafçiu dhe Disha, të dy dibranë, kanë pasur njohje me njëri-tjetrin ndërsa kishin qenë së bashku edhe në Francë, ku dyshohet të kenë lindur konflikte mes tyre për pazare droge. Pikërisht këtu është fokusuar pista e parë hetimore, në të kaluarën e tij në Francë dhe në Belgjikë, pasi Tafçiu nuk ka pasur precedentë të mëparshëm penalë. Megjithatë, policia në njoftimin e parë për ngjarjen, thotë se ka qenë një konflikt i çastit që solli vrasjen e 29-vjeçarit.


Etiketa: , ,

Pas