Tiranë Tetë ditë pas ekzekutimit të Dritan Lamajt, policia i fokuson hetimet te dyshimet e familjarëve të tij. Bashkëshortja e ish-shefit të komisariatit nr.6, Anila Lamaj, është marrë në pyetje tri net më parë në ambientet e shtëpisë së saj, dyert e së cilës qëndrojnë hapur për mort. Një burim nga grupi hetimor i tha MAPO-s tha se e veja e Lamajt u është përgjigjur për 3 orë pyetjeve të hetuesve mbi lëvizjet e fundit të komisarit, vendin ku ai e linte makinën dhe nëse ai ndante me familjarët shqetësimet e punës. “Nga dëshmitë e mbledhura na rezulton se Dritan Lamaj mundohej të mos u tregonte familjarëve problemet që kishte, pasi nuk donte t”i shqetësonte”,-tha një zyrtar i policisë së Tiranës. Megjithatë, Anila ka përshkruar lëvizjet e fundit të Dritan Lamajt, para se të qëllohej për vdekje me breshëri automatiku. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, Dritan Lamaj e linte makinën e tij në oborrin e pallatit, edhe pse familja dispononte një garazh. “Ditën e vrasjes, Dritani po priste të motrën për të mbaruar një punë familjare. Ai u fut në garazh, mori disa sende personale dhe më pas u nis drejt makinës që e kishte parkuar në oborr. Me të motrën vendosi të takohej rrugës”,-mësohet të ketë pohuar për grupin hetimor Anila Lamaj. Zyrtarët e policisë së Tiranës nuk japin detaje të tjera rreth kësaj dëshmie, ndërsa pohojnë një tjetër element të rëndësishëm nga dëshmia e së motrës. Të njëjtat burime i thanë MAPO-s se edhe pse i rezervuar në familje, Dritan Lamaj nuk ka mundur t’i ruajë të gjitha problemet për vete. Në dëshminë e saj, e motra e viktimës ka rrëfyer për grupin hetimor një bisedë telefonike të dëgjuar nga Dritani, që fliste për kërcënime në adresë të tij. “Pak kohë para krimit, kur ndodhesha në makinën e tij, e mori dikush në telefon. Dritani u nervozua dhe u përgjigj: Nëse keni burrni, merruni me mua, jo me familjen time”,-ka dëshmuar motra e Dritan Lamajt. Hetuesit e policisë së Tiranës thonë se kjo dëshmi tregonte se Dritan Lamaj ishte i kërcënuar, edhe pse mohohet fakti që ai të ketë bërë denoncim zyrtar në Policinë e Shtetit. Mungesën e një denoncimi apo një shqetësimi të ndarë nga Dritan Lamaj e kanë pohuar edhe eprorët e tij në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj e Muhamet Rrumbullaku, të cilët pak ditë më parë thanë se nuk kishin asnjë kallëzim për kërcënim prej tij. Megjithatë, grupi hetimor është fokusuar tashmë te tabulatet telefonike të viktimës, për të zbardhur bisedat që ai ka bërë me persona të ndryshëm. Përgjatë 1 jave pas vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr.6, Policia e Tiranës ka mbledhur mbi 100 dëshmi për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ku i dyshuar kryesor është biznesmeni Arben Frroku, i arrestuar tashmë në Selanik. Megjithatë, ende nuk është gjetur asnjë provë direkte që lidh Frrokun me ekzekutimin e Dritan Lamajt, më 24 shkurt të këtij viti. Ai sapo kishte dalë nga banesa e tij në zonën e Tiranës së Re, kur drejt mjetit të tij “Lancia” Ypsilon u qëllua me dy breshëri “Kallashnikovi” që pasuan njëra-tjetrën. Oficeri i karrierës ndërroi jetë vetëm pak minuta më vonë në spitalin Ushtarak, ku u transportua me shpejtësi nga disa banorë të zonës, të cilët e kishin njohur. Autorët dyshohet se janë larguar me një automjet tip “BMW”, makinë kjo që u gjend e djegur në Domje të Tiranës. Një orë pas krimit policia ofroi 100 mijë dollarë shpërblim për informatorët, ndërsa në të gdhirë të 25 shkurtit arrestoi në Selanik të Greqisë Arben Frrokun, biznesmenin që kishte konflikte publike me Dritan Lamajn. Frroku ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën, duke pohuar se nuk ka gisht në vrasjen e Dritan Lamajt.
24
Shkurti ishte dita e ekzekutimit të ish-shefit të komisariatit nr.6, Dritan Lamaj. I transferuar nga detyra në shtator të vitit të kaluar, Lamaj u ekzekutua në oborrin e pallatit të tij. Policia arrestoi Arben Frrokun
100
Dëshmitarë janë marrë në pyetje nga grupi hetimor rreth rrethanave të vrasjes së Dritan Lamajt. Përveç të afërmve, kolegëve e dëshmitarëve okularë, policia ka marrë në pyetje edhe të afërmit e Arben Frrokut
Policia u rikthehet
dëshmitarëve okularë
Policia e Tiranës u është rikthyer dëshmitarëve okularë, një javë pas vrasjes së Dritan Lamajt. Burimet e policisë dyshojnë se dëshmitarët mund të kenë parë shumë më tepër se ç’kanë pohuar në polici, ndoshta të përfshirë nga terrori i ngjarjes së rëndë. Vetë dëshmitarët e kanë përshkruar vrasjen të shoqëruar me dy breshëri automatiku, e para e shkurtër, ndërsa e dyta më e gjatë. Goditja ka qenë e menjëhershme, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi komisarit të policisë, të cilit i është gjetur edhe arma e shërbimit në kroskotin e automjetit tip “Lancia Ypsilon” me xhama të errët dhe targa TR 2564 N. Nga këqyrja e kryer, Lamaj rezulton të ketë marrë tre plumba, njëri prej të cilëve rezultoi fatal, pasi i shkaktoi një plagë vdekjeprurëse në kokë. Vetëm katër minuta më pas në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë të komisariatit nr.2, ndërsa pas tyre edhe drejtuesit e policisë.
“Frroku”, dosja drejt Greqisë brenda 40 ditësh
Verifikimi i alibisë së Arben Frrokut dhe mbledhja e dëshmive janë dy çështjet që po ndiqen me prioritet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Biznesmeni Arben Frroku ka kaluar në pikën doganore të Kapshticës me drejtim Greqinë në orën 21:27 minuta, pra tri orë pas vrasjes së kryekomisarit, i cili u qëllua me breshëri automatiku pasditen e datës 24 shkurt, pranë banesës së tij në Tiranë. Vetë Frroku deklaroi publikisht se doganën e ka kaluar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të dielës, por nga këqyrja e regjistrit dhe kamerave të sigurisë prokuroria thotë se ora e saktë është 21:27 minuta e mbrëmjes së datës 24 shkurt. Të gjitha këto pretendime do të verifikohen nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila vijon të marrë dëshmi nga persona që kishin dijeni mbi konfliktin mes ish-shefit të komisariatit nr.6, Dritan Lamaj, dhe biznesmenit Arben Frroku. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare pas masës së arrestit që dha Gjykata për Krime të Rënda dy ditë pas vrasjes së komisarit. Kjo kërkesë u është paraqitur autoriteteve greke, ndërsa Gjykata e Selanikut la 40 ditë afat që Interpol Tirana të paraqesë dosjen hetimore për ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri. Vetë i dyshuari ka mohuar çdo lidhje me vrasjen e komisar Lamajt, duke deklaruar se do të përballet me të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, me t’u kthyer në Shqipëri.