Redjan Rraja e ka mohuar përfshirjen e tij në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, teksa ka dalë për masën e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Sipas ABC News, Rraja ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë duke përshkuar si zakonisht rrugën Tiranë-Durrës-Fushë Krujë. Më tej, është shprehur se nuk njeh askënd nga personat e plagosur nga atentati, dhe se gjithçka e ka mësuar nga mediat.
Prokuroria ka kërkuar për Redjan Rrajën masën e sigurisë “arrest me burg”, por avokati i tij Besnik Cerekja mësohet se ka kundërshtuar, duke thënë se s’mund të jepet një masë e tillë veçse me provën e gjurmëve të gishtërinjve në automjetin e braktisur në fshatin Shkafanë.
Rraja u arrestua para dy ditësh në pikën kufitare në Shkodër, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Risjellim në vëmendje se para pesë ditësh prokurori Arjan Ndoja, i shoqëruar sëbashku me Andi Malokun dhe Pëllumb Muharremi, u qëllua nga një makinë me breshëri kallashnikovi në mbikalimin e Shkozetit.
Lexo edhe:
Atentati ndaj prokurorit, Policia: Si ramë në gjurmët e Redjan Rrajës