Aktualitet

Atentati ndaj Preng Gjinit, reagon PD: Shteti i Ramës, ai i gangsterëve








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:23 - 16/09/20 |
mapo.al

Partia Demokratike e konsideron atentatin e djeshëm eksploziv ndaj Preng Gjinit, pasojë të politikës së Edi Ramës.


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh në një deklaratë për mediat se shteti që ka ndërtuar Edi Rama është i gangsterëve, dhe se kryeministri ka dështuar si i tillë.


“Kjo politikë ka lënë krimin të lirë të bëjë çfarë të dojë, kur të dojë dhe si të dojë, duke bërë viktima të luftës së tyre edhe fëmijët, siç ndodhi mbrëmë në aktin mafioz-terrorist në Tiranë. Politika “hëngshin kokat e veta” e ka burimin tek pakti i Edi Ramës me krimin, i cili është burimi i pasigurisë së qytëtarëve”, tha ndër të tjera Bardhi.


Bardhi garantoi se qeveria e Partisë Demokratike, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të ketë rendin dhe sigurinë publike prioritet kryesor të saj.


“Kush është për burg, do të shkojë në burg! Ligji nuk do të tregojë mëshirë për askënd që cënon jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve!”- përfundoi sekretari i përgjithshëm i PD-së.

Deklarata e plotë e sekretarit të përgjithshëm të PD-së:

Shteti që ka ndërtuar Edi Rama është ai i gangsterëve. Bandat vriten në mes të kryeqytetit, në mes të ditës dhe kriminelët nuk kapen, sepse Edi Rama ka dështuar si kryeministër.

Goditja mafioze, e përjetuar nga shumë qytetarë si një sulm terrorist në një nga qendrat më të populluara të Tiranës, është pasojë e politikës së Edi Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”.

Një politikë e tillë ka lënë krimin të lirë të bëjë çfarë të dojë, kur të dojë dhe si të dojë, duke bërë viktima të luftës së tyre edhe fëmijët, siç ndodhi mbrëmë në aktin mafioz-terrorist në Tiranë.

Politika “hëngshin kokat e veta” e ka burimin tek pakti i Edi Ramës me krimin, i cili është burimi i pasigurisë së qytëtarëve.

Kryeministri në ikje ka dështuar me vendosjen e rendit dhe sigurisë, sepse ai erdhi dhe qëndroi në pushtet, duke patur ortak krimin dhe bandat. Prioriteti i tij është të mbrojë dhe të pasurojë kriminelët që i mbajnë në këmbë pushtetin dhe jo të mbrojë qytetarët shqiptarë.

Shumë nga kriminelët që vriten rrugëve kanë marrë leje, licensa, marrin tendera, ndërtojnë pallate, ku pastrojnë paratë e trafikut të drogës. Janë këto para me të cilat financohet fushata e pistë elektorale dhe qendrimi në politikë i Edi Ramës.

Kjo nuk është histori e sotme! Është historia 22 vjeçare e Edi Ramës në politikë. Ai ka punuar me krimin, e ka mbrojtur krimin, e ka pasuruar krimin!

Këtu gjendet edhe përgjigja përse vrasjet, shpërthimet me tritol, atentatet mafioze nuk parandalohen dhe autorët nuk gjenden.

Tek qytetarët sot mbizotëron opinioni se shteti mungon dhe territori është lënë nën thundrën e krimit, duke krijuar një situatë të përkeqësuar për sigurinë e jetës së tyre. Çfarë bën Edi Rama për të këtë gjendje? Ble një makinë të re të fjalës së fundit për Ministrin e tij të Brendshëm.

Duke zgjedhur spektaklin e luksit, në vend që të bëjë detyrën për të garantuar rend dhe siguri, Sandër Lleshaj nuk ka asnjë ndryshim nga gangsterët që lëvizin nëpër rrugë me makina superluksoze, ose të vjedhura, ose të blera me para nga aktiviteti kriminal.

Ministri sillet si bandit, duke e angazhuar Policinë e Shtetit në luftë me qytetarët dhe jo me krimin. Policia përdoret për të dhunuar opozitën, protestuesit, studentët, naftëtarët, që protestojnë për të drejtat e tyre, por është kokëulur përballë krimit, sepse është e tradhëtuar nga kupola drejtuese politike e Policisë së Shtetit.

Fjalët ligj, rend, siguri nuk kanë asnjë lidhje me këtë qeveri. Ajo ka dështuar në zbulimin e të gjitha vrasjeve të bujshme dhe nuk ka çuar para drejtësisë qoftë edhe vetëm 1 bos të trafikut të drogës.

Kjo qeveri nuk ka më asnjë ofertë të mirë për qytetarët.

Qytetarët e refuzojnë politikën e Edi Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”.

Në këtë gjendje të vështirë ekonomike, sociale, psikologjike dhe politike qytetarët kanë nevojë për një qeveri që nuk flirton me krimin, nuk është në ortakëri me trafikantët e drogës, nuk mbahet peng nga paratë e pista të krimit të organizuar.

Qeveria e PD, e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, do të ketë rendin dhe sigurinë publike prioritet kryesor të saj. Kush është për burg, do të shkojë në burg! Ligji nuk do të tregojë mëshirë për askënd që cënon jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve!

 


Etiketa: , ,

Pas